Flasim përhanshëm me Ilirian Zhupën

Nga: Xhemazije Rizvani

 

Përse mendoni se ju jeni gabimi ?

Mendoj se jam gabimi, pasi edhe mbas kaq shumë vjetësh jetë, nuk i jam dorëzuar dhe nuk mendoj t’i dorëzohem sistemit të reflekseve të para, siç konstatoj se ndodh rëndom. Pasi mendoj ende se e mira është një gjë e përbashkët dhe jo vetëm e imja, morali nuk është një shfaqje, por është një thelb; patriotizmi, besa e atdheu po ashtu. Jam gabimi, pasi sa herë kam pranuar dhe mungesat dhe dobësitë e mia, kam konstatuar me trishtim të thellë, se ata që kam rretheqark kanë përfituar nga ky pranim duke trashur më shumë fajet dhe zullumet e veta ndaj meje.

 

Pse mos të të pyesim ku keni qenë ?

Mbasi kjo është një intervistë e shkurtër, në këtë zheg vere, dhe shtjellimi i pyetjes suaj do të paktën dy mijë vjet që të marrë përgjigje të plotë. Për një përgjigje të përmbledhur lexo librin “Mos më pyet ku kam qenë”.

 

Ju duket se pesimizmi shkon gjithmonë paralel me përvojën?

Përvoja dhe pesimizmi janë si e bardha dhe e zeza. Sa më shumë ndiçohesh, aq më mirë e shquan errësirën.

 

Nga shumë gjëra që të mungojë, çka ju mungon e para tani?

Ajo që kam kërkuar dhe e kërkoj gjithë jetën: Dashuria që shfaqet në formën e Njeriut.

 

Cila është mungesa e frikshme e njerëzve seriozë të shtetit amë?

Së pari, unë nuk besoj se ka shtet amë dhe shtet bijë apo bir. Sëmundja e seriozitetit kallp, kaq e përhapur ndër ne, është një shenjë ulëritëse e mungesës së humanizmit dhe përgjegjësisë. Mes nesh, një seriozitet i madh, përgjithësisht është një ambalazh i shtrenjtë, brenda të cilit fshihen produkte skarco.

 

Kush ju mbush e zbraz si një gotë?

Le ta ndryshojmë pak pyetjen. Le të themi si një orë me rërë. Pasi gotat dhe enët e tjera kanë lidhje me stomakun, ndërsa ora e rërës ka lidhje me trurin.

 

Ç’ju ngre nervat që në mëngjes?

Fakti që kur hap sytë, kam në mendje vetëm gjëra dhe punë të bukura, ndërsa mbasi dal në rrugë, shumëçka shkon në drejtim të paditur, pra rrugë pa rrugë.

 

Nëse do hiqnit dorë nga vargjet, ç’gjë tjetër do ju shkonte për dore?

Të mbillja lule e pemë dhe të rrisja zogj, në fshatin e gjyshërve dhe prindërve të mi, në Çorraj. Dhe t’i bleja tim ati që nuk jeton më, kapelen që i pata premtuar.

 

Si duket një grua, si një bukë e nxehtë e sapo nxjerrë nga furra?

Buka shuan një uri fizike, gruaja shuan një “uri” shpirtërore. Buka ftohet e prishet në disa ditë, një grua nuk ftohet e nuk prishet kurrë. Ajo është gjithmonë si buka e sapo nxjerrë nga furra, edhe kur bëhet vajzë, edhe kur bëhet nënë, edhe kur bëhet gjyshe. Ajo është e nxehtë, e avullt, ftuese. Kur isha fëmijë, bëja figura njerëzore me tulin e bukës së ngrohtë, por nuk u jepja dot zë dhe frymë; gratë bëjnë fëmijë, burra dhe gra, njerëz, popuj dhe kombe me tulin e vet dhe u japin gjithmonë frymë dhe zë.

 

Në truallin e Shqipeve kush janë papagajt?

Më mirë të themi kush nuk janë? Një pakicë që bëhen minoritet përditë e më shumë, nuk janë. Ndërsa papagajtë në truallin e shqipeve, tashmë janë si në shtëpinë e vet. Këndojnë në qeveri, në parlament, në administratë, në akademi dhe institucione shkencore e kulturore, në media, në universitete, shkolla, kopshte dhe çerdhe. Sa më shumë të këndojnë si papagaj, aq më të suksesshëm janë dhe aq më shumë e shtojnë tagjinë e vet. Dhe aq më shumë rrallohen radhët e “shpendëve” të tjerë…

 

Si duket Shqipëria pa Dritëroin?

Si një orkestër pa violinë. Po koncerti vazhdon me librat e tij.

 

Ç’ka të vdekur brenda jush?

Shumë ëndrra, shumë miq, shumë libra.

 

Ju vjen keq pse s’jeni më i ri?

Jo! Nuk më vjen keq. Pasi shpesh vetëndihem si adoleshent. Dhe dua të rritem…

 

Sa gra mund të mbajë poezia juaj?

Do doja që në poezinë time të ishin të gjitha pasardhëset e Evës. Ose së paku, secila nga to të gjente diçka nga vetja, mes vargjeve dhe fjalëve të mia.

 

Si ndihet Poeti i përzier me të tjerët?

Në abitatin e vet, si çdo gjallesë tjetër e kësaj bote.

 

Poeti dhe vargjet e preferuara cilat janë?

Poetët e mi të preferuar janë Lasgushi dhe Whitman. Po edhe mijëra vargje dhe poezi të poetëve të tjerë.

 

Keni qenë dashnor i zjarrtë?

Përgjigjen për këtë pyetje duhet ta japin Evat. Unë kam qenë Adami që e kam ngrënë mollën.

 

Në çka ju duket se kjo botë është ndërtuar keq?

Në raportin e njeriut me veten, njeriut me njeriun, njeriut me sendet, natyrën dhe botën.

 

Cila poezi e juaja është më e dashura për ju?

Ajo që po shkruaj sonte.

 

Cila poezi e juaja është më e dashur për të tjërët?

Besoj se janë shumë, por për këtë është mirë të pyeten të tjerët.

 

Si duhet t’i trajtojë shteti poetët?

Si njerëz! As si papagaj dhe as si qen.

 

Si duhet gruaja ta trajtojë një poet?

Si të dashur, si burrë, si njeri që ka vazhdimisht nevojë të arratiset në vetminë e vet.

 

Çka ju kthen në filozof?

Gjërat e vogla që bëjnë dhe zhbëjnë qenien humane, kur kjo e fundit sheh veten në pasqyrën e të vërtetave universale.

 

Çka ju tremb më shumë te vetja?

Frika mos bie në grackën e luftës me të njejtën logjikë dhe me të njëjtat mjete të atyre që më luftojnë dhe urrejnë.

 

A janë poetët egoistë?

Kur janë në gjips dhe në bronz, jo. Kur janë të gjallë, varet nga natyra e tyre njerëzore.

 

A është turp të heshtësh a të flasësh?

Të heshtësh është virtyt, në një botë ku gjithnjë e më shumë të marrët vetëm flasin…

 

Çka ju dhemb më shumë?

Boshllëku… I cili po rritet po aq shpejt sa lakmia e njeriut dhe e bën këtë të fundit rob të tij.

 

Në një dimension tjetër jete kush do të ishte Ilirian Zhupa?

Përsëri Ilirian Zhupa, por me më shumë ëndrra dhe me më pak plagë.

 

Kush jeni ju?

Ende nuk kam një përgjigje.

 

Për çka nuk folëm në këtë bisedë të përhënshme?

Për hënën dhe vendet ku njerëzit nuk janë të përhënshëm si ne.

 

Faleminderit!