Protesta, Kosova dhe shqiptarët
Tuesday, 26 January, 2016
Rikthimi në gjeopolitikë
Tuesday, 26 January, 2016

Testamenti i Mitrush Kutelit9 minuta lexim

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.

E dashur Efterpi,

Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt më dridhet. Ti s‘je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri prapë. Në një çast u gjende ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterre të Kalasë pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkoja ndonjë shtëpi për t‘u fshehur. Isha zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro , Dhimitri! Të zumë”, Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin…Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomora, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje “Si u bë kështu o Pasko? Ç‘ke bërë?” – S‘di.-“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I erdhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. “Fundja do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime kaq qënë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita ti po bëheshe gati për Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysëm. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli…sipas mëndjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet , edhe nga gazet , por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë skam qënë dhe s‘dua kurrë të jem parazit. Po ç‘të bëj grua? S‘mund. Kokën e kam të turbullt.

Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t‘i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s‘kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtëm e bëmë fëmijë në vjet stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Por atëherë kisha shëndet dhe i kapërceva të gjitha. Tani, ti e di… I di netët, e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngrën. Nuk e dua por nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më cik. Më vjen keq që do ti lë fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t‘ua arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. “Skam vjet shërbimi”. Domosdo 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, po këta jetë pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta pas vdekjes kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund ti ndihmojë për hir të punës sime të kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë e shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetjak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim….

Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi e nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara Bashkisë, kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati….

Do më njohë dhe do të më kuptojë dikush të paktën pas vdekjes?

Nuk e di: Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi po që fëmijët e mij të cilëve ju lë trashëgim punën dhe ëndrrat e minja të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurt se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin. Nisa të shkruaj një letër lamtumire të shkurtër dhe u nxeva – ndonëse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa- dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem për ilaçe. Netët i kam skëterre, siç i di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosi edhe njëherë.

1. Kur të vdes mos më bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër mure. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota?: S‘dua!

Nuk do të lajmëroni para varrimit asnjërin, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërm për të bërë formalitetit e varrimit dhe varrimin. Kaq.

S‘kam qejf të mërzis njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Poradec, pranë babait e nënës ose lart në gështenjat, në Shën Djelë. Tani e kam ndryshuar mëndjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjithë Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

Fëmijët i porosit ta duan vëndin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shfaqë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdhe është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur këtu të rrojnë me mish e shpirt qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeliu kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike ajo fizike, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen për arsimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi në vëndin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s‘di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije . Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ia lë atyre të dyve sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t‘i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti prirja nuk vlejnë asgjë pa punë , pa kulturë.

Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri-tjetrin, të duroni njëri-tjetrin….Do ti kërkoni jetës aq sa mund t‘ju japë.

Ta doni dhe ta nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq shumë tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihmë dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën,. Mbarova qerthullin tim. Nuk dua t‘ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vijnë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngaherë varrimet e bujshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë me përjashtim të Foqit dhe Nestit. Dajon tënd të madhin (K.) si dhe të shoqen do ti paralajmërosh më tej, të mos shkelin në shtëpinë tonë. As ti, as fëmijët e minj s‘kanë nevojë për vizitën dhe ngushëllimin e tyre! Kurrë! Të kam thënë gjithnjë: gjaku ujë s‘bëhet…po bëhet qelb.

Për këtë shkak nuk dua që ime motër Lirie të më qajë e të bëjë gurgulet e saja. Sot më vret me sjelljet e saj të fëlliqura, nesër më qan, si në komedi. Jashtë!

Të përqafoj , të lutem të më falësh dhe lamtumire.

Yti

Dhimitraq

(Visited 10 times, 1 visits today)
Share This