Papa Françesku ka nënshkruar të martën, më 15 Mars, dekretin për shenjtërimin e Nënës Terezë, Nobelisten e  Paqes dhe figurën botërore të bamirësisë, e cila do të shpallet shenjtore më 4 shtator të këtij viti, njoftoi Vatikani

Në të gjitha viset shqiptare lajmi për shenjtërimin e Nënë Terezës është pritur si një ogur i mirë, duke e vlerësuar këtë si një njohje që i bëhet shenjtërisë dhe virtytit bamirës, që buron nga prejardhja dhe gjenetika e saj shqiptare.

“Nëna Terezë, për më pak se një vit do të jetë shenjtorja më e re botës, ndërsa shqiptarët do ta kenë edhe një përfaqësuese të tyre në tempullin e të shenjtëve, duke iu bashkuar shenjtorëve tanë ilirë, si Shën Asti i Durrësit, Shën Flori dhe Lauri i Ulpianës, Dardanisë, Shën Niketa dhe Shën Jeronimi”, ka deklaruar Dom Lush Gjergji, njëri nga biografët kryesorë të Nënës Terezë.

“Nëna Terezë është e parëlindura shenjtore shqiptare e shekullit të ri dhe me siguri, një uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë.”, theksoi kryeministri Edi Rama.

“Nëna Terezë e kaloi një jetë tërë në shërbim të njerëzve nevojtarë, duke u bërë simbol i mirësisë, dashurisë dhe solidarizimit me njerëzit e vuajtur në gjithë globin”, ka shkruar presidenti i ardhshëm i Kosovës Hashim Thaçi.

Vendi i kremtimit ende nuk është bërë i njohur. Kisha e Indisë ka insistuar që për këtë festë Papa argjentinas të vijë në Kalkutë, por në ditët e fundit shumë burime në Vatikan kanë siguruar se një udhëtim i tillë nuk ishte në rendin e ditës dhe se shenjtërimi do të ndodhë në Romë.

E  lindur më 26 gusht të vitit 1910, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë murgeshë kur ishte tetëmbëdhjetë vjeçe dhe u dërgua për mësimdhënie në Indi. Pastaj, në vitin 1950, ajo themeloi urdhërin e saj të murgeshave, të quajtur Misionaret e Bamirësisë, i cili tani ka plot 4500 murgesha.  Nobeliste e Paqes në vitin 1979, Nëna Terezë vdiq në Kalkutë në vitin 1997. Ajo vazhdon të jetë një shembull i përkryer i shërbimit për humanizëm.

Ard Halili

Ard Halili ka mbaruar Lycée Corbon në Paris, ndërkaq në vitin 2017 Fakultetin e Administrimit të Biznesit, dega Ekonomiks
në UEJL. Ka qenë delegat në edicionin e shtatë të Parlamentit
Frankofon të të rinjëve 2015 në Bernë. Në vitin 2013
ka qenë bartës i bursës Erasmus+ për këmbim studentor
në Universitetin e Foggia-s në Itali.