Albulena Halili

 

Në prag të mbajtjes së referendumit të serbëve të Bosnjës, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dishepulli i Millosheviqit, Ivica Daçiq, paralajmëroi Bosnjën e Hercegovinën se Serbia do t’i mbrojë serbët e Bosnjës po qe se ata sulmohen ndonjëherë. Një deklaratë që të kujton doktrinën tradicionale ruse të proteksionizmit të sllavo-ortodoksëve në Perandorinë Otomane dje, e në Ballkanin Perëndimor sot.

Megjithëse Serbia dhe entitetet paraardhëse të saj, gjatë dy shekujve të kaluar, sidomos nga viti 1876 e deri në vitin 1999, ekskluzivisht kundër popullsisë shqiptare gjashtë herë kanë kryer gjenocid e spastrim etnik, asnjëherë si shtet nuk e ka pranuar peshën e fajit kolektiv dhe e as që ka dalë përpara organeve të drejtësisë ndërkombëtare për t’u gjykuar si doktrina zyrtare shtetërore e si faj kolektiv kombëtar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, psiko-analisti i njohur Karl Jung, shkroi një ese mbi konceptin e fajit kolektiv gjerman si një dukuri psikologjike, duke theksuar se gjermanët ndjejnë faj kolektiv për krimet e bëra nga bashkëkombësit e tyre dhe kështu termi “faji kolektiv gjerman” u fut në diskursin intelektual gjerman. Edhe teologë e klerikë gjermanë patën pranuar bashkëfajësinë përmes Dekleratës së Shtutgartit mbi fajin. Një vit pas luftës, filozofi dhe psikologu Karl Jaspers ligjëratat të cilave ai u mbante studentëve i botoi nën titullin “Çështja e fajit gjerman”. Ky pranim i fajit kolektiv ndihmoi Gjermaninë të ngrihet nga gërmadhat e të bëhet sot njëra nga fuqitë botërore dhe aktorët kyçë të kontinentit evropian.

Për dallim nga Gjermania e pas-luftës, Serbia sot ka statusin kandidat për integrim në Bashkimin Evropian si dhe ka hapur negociatat për anëtarësim.

Gjatë gjithë diskursit medial pas-referendumian, vendor e ndërkombëtar, u tha që referendumi i mbajtur më 25 shtator në Republikën Serbe edhe përkundër refuzimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës, është në kundërshtim madje rrezikon skajshmërisht Marrëveshjen e Dejtonit, u theksua mbështetja e Rusisë si “aleate e shtetit të Republikës Serbe” siç qe shprehur Dodiq, dhe qe folur për zbehjen e ndikimit të SHBA-ve dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.

U la qëllimshëm në harresë deklarata e lartpërmendur e ministrit serb të punëve të jashtme, e cila ndillte luftë, madje u shquan dy tendenca mjaft të theksuara.

Së pari, shteti serb u amnestua nga të qenurit i implikuar në motivimin, orientimin dhe dirigjimin e veprimeve secesioniste të serbëve.

Së dyti, u sajua një lloj pamjeje kinse ekziston një distancim dhe moskoordnim mes politikës zyrtare serbe dhe asaj ruse. E gjithë kjo e ilustruar bukur me ngjashmëritë (sic!) e politikës së kryeministrit Vuçiq me atë të Titos – ekuilibrimit mes Rusisë dhe Perëndimit.

Që të dyja këto tendenca kanë për qëllim ta paraqesin si të paqenë doktrinën tradicionale serbe të përshtrirjes territoriale, e cila në boshtin e saj ka synimin e krijimit të Serbisë së Madhe dhe dëshirën e saj të kamotshme për një port në Detin Adriatik.

Instrumenti kryesor për arritjen e këtij synimi janë serbët që jetojnë jashtë kufijve të Serbisë. Përmes tyre ajo pamundëson funksionimin normal të shteteve ku ata jetojnë, krijimin e entiteteve artificiale përmes enklavave të vendosura më herët gjatë historisë bazuar në fshatrat-kordone, për të parandaluar vazhdimësinë territoriale kompakte të popujve të tjerë. Kjo është karakteristike sidomos në trojet shqiptare.

Këtyre dy tendencave iu shtohet edhe një e tretë e që është e mbështjellë bukur mirë me petkun e politikës së fqinjësisë së mirë. Takimi i përbashkët i qeverive serbe e shqiptare është caktuar të mbahet më 14 tetor në Nish, gjatë javës së punës njëjavore të qeverisë serbe, jashtë rezidencës së saj të përhershme, Beogradit. Mediat serbe thonë që qeveria serbe gjatë javës 13-18 tetor punimet do t’i mbajë në kazermën “Knjaz Mihajlo”, ndërkaq netët do t’i kalojnë si edhe ushtarët e brigadës së tretë tokësore të ushtrisë serbe në kazermën “Mija Stanimiroviq” në Nish, brigadë e cila ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në operacionet gjenocidale kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.

Takimi Rama-Vuçiq në rend dite do të ketë projektet infrastrukturore nga të cilat më e rëndësishmja është auto-rruga Nish-Durrës. Sigurisht që shqiptarët do të zhgënjehen kur ta kuptojnë që rruga kalon përmes hallkave Merdare-Prishtinë-Tiranë, apo atë që e njohim si rrugë e kombit.

Po ashtu pakkujt i ka shkuar ndërmend që 14 tetori, e caktuar si datë e takimit të dy qeverive, shënon dy vjetorin e ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri ku u dëshmua koncepti i fajit kolektiv serb dhe u demaskua botërisht urrejtja kolektive serbe për etnogjenezën shqiptare.

Takimi i iniciuar nga Beogradi është përfytyruar që të jetë, gjithnjë sipas tyre, jo vetëm dialog mes shteteve Shqipëri-Serbi, por dialog për raportet mes shqiptarëve e serbëve në rajon. Too good to be true – thonë anglezët. Tingëllon bukur po të mos i njihnim kaq mirë fqinjët tanë, sidomos ne të jashtëkufijve, edhe më mirë – bashkështetasit tanë të imponuar. Propozimi për dialog mes shqiptarëve dhe serbëve mund të joshë përfaqësuesit e shtetit shqiptar apo edhe shqiptarët në përgjithësi, por ajo është shëmbëlltyra e politikës jugosllave e viteve ’60 dhe ’70 apo krijimi i marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, në këmbim të projekteve serbe për superioritet ekonomik mbi kurrizin e infrastrukturës rrugore e detare shqiptare. Pra, edhe një herë urë e Serbisë drejt Evropës politike bëhet kurrizi i shqiptarëve dhe kjo si duket pa asnjë kusht të vendosur nga qeveria shqiptare.

Qeveria e Tiranës duhet të reflektojë se përderisa shteti serb ka cenuar dhe po e çon drejt dështimit përmbushjen e marrëveshjeve ballkanike: Marrëveshjen e Dejtonit, Marrëveshjen e Rambujesë, e Marrëveshjen e Konçulit, të lidhura me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së, ky është tregues se Serbia në koordinim të plotë me Rusinë po investon në zbehjen dhe sfidimin e rendit ballkanik të vendosur nga Perëndimi.

S’do mend që ky dështim duhet t’i brengosë mu aktorët të cilët kanë garantuar dhe kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes ballkanike. Tirana nuk duhet të bëhet pre e manipulimeve serbe, a aq më pak të bëhet pjesë e politikës së saj të përshtrirjes gjeografike në Ballkan. Duhet ta kuptojmë se strategjia tradicionale ruse, ashtu si gjetiu, po sistemohet në formën e neorealizmit mësymës, edhe në Ballkan.

Republika Serbe po shndërrohet në Krime ballkanike. Pafuqia e faktorëve ndërkombëtarë perëndimorë në parandalimin e mbajtjes së referendumit në Bosnjë parashikon hapjen e Kutisë së Pandorës në Ballkan.

Insistimi i krijimit të një strukture paralele të shtetit serb brenda Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave serbe, është një ogur tjetër i zi për rajonin. Askush nuk e di saktë, se çka krejt mund të dalë nga kjo kuti, e cila me gjasë duhet ri-pagëzohet si Kutia e Ballkanit.

Në një kohë kur të dyja pjesët e rendit perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian përballen me sfida të brendshme që rrezikojnë thellësisht ndikimin e tyre të jashtëm, vakumi i dominimit shërben si rrethanë e favorshme për konflikte në hapësirat nevralgjike gjeografike siç është Ballkani. Kontestimi rendit perëndimor në kushtet e interregnumit global nga fuqitë e mëdha si Rusia e Kina shpërfaqet njëlloj edhe në gadishull, ku u bashkohet edhe Turqia, përmes strategjisë së saj neo-otomane. Kështu, autoritarët e mëdhenj ia mësyjnë Ballkanit duke sfiduar e zbehur tej mase rendin e deritashëm perëndimor që u synua të vendoset në Ballkan.