Rro zog pa krahë

Hijet e ngopura mbetën larg trupave,
Si mjegulla të zeza mbushur me shi,
U zbrazën mbi rrugën që njeh
zërin e përvuajtur të psalmit të tyre.
Fillon dhe mbaron me Amin!

Duart e thata rëndojnë prej byzylykësh,
T’hedhura “ngushëllim” nëpër kosha mbeturinash.
Tërbohen si qentë pas erës së gjakut,
Fiken pas dromcave  t’bukës-zënë myk.

Duart krejt dregëza qepen pas qiellit
Bashkë me sytë që ikin larg vetes
Dhe Zoti bëhet gati tri herë t’pyesë bashkë me to…
Përse ne? Përse? Përse?

Në gëzimet e tyre të lindjeve a morteve
Veç vdekja luan valle mbi sytë e tyre.
E një vijë hollake mbi buzët qumështore
Bredh në vend buzëqeshjesh, sforcuar prej lotësh.

Mospërfillëse duket rruga
Kur shkelin në hijet e njëri-tjetrit,
Hapat rënkojnë sikur pas tyre zvarritet
Një qerre ngarkuar me shpirtra të humbur.
E çudi! Këta kanë veç hijen pas tyre.

Dhe lutja për pak ditë më shumë,
Ushton nëpër rrugë si psalme profeti
kënduar në katedralet zbukuruar me ar…

Kjo rrugë i çon drejt shenjtërimit të tyre,
Dyert hapen dhe ata s’dinë në ç’gjuhë të luten,
S’dinë ferri ç’fytyrë ka,
S’dinë se n’parajsë ngopesh veç me ajër.
Ata veç kërkojnë një derë
dhe dorën që gatuan ditë të bardhë.

Po pas dyerve ata takojnë
Ca “priftërinj e hoxhallarë”
Që i dënojnë “bijtë e tyre”
për mëkatin e “t’qenit” gjallë.

E sytë zgjohen,
Mendja s’dëgjon asnjë fjalë,
Era e ëmbël e bukës prej brenda
shpërndahet në trup,
si era e nënës që kurrë nuk e panë.

Por mëkatat duhen larë në këtë botë,
deri te brezi i shtatë.

Dhe i kthehen prapë rrugës,
Janë hijet e tyre gjithnjë në luftë,
Dhe rrugën mbulojnë plot me këngë,

Dhe ata mbesin pa asnjë vend
S’kanë ku t’rrëfejnë mëkatet e uritura.
Nuk flasin më, veç pyeten bashkë me Zotin,
Në ç’gjuhë lutjet i prekin “njerëzorët”?

E vdekjen shohin si ecën pas,
lidhur duarsh me hijet e tyre.
Si një nënë tepër e kujdesshme
kapur duarsh me fëmijët e tyre.

Unë shpirtin,
shpirtin ku t’ua lë në këtë poezi?

 

***

 

era*

ne vijmë dhe ikim në botë.
në botën e njëri-tjetrit bëhemi pritje.

erë.

koha është historia,
mban kalendar për ne…
rrethon datat e shënuara..
ne jemi datat!

të lindjeve, morteve, rilindjeve, sikur…

erë.

mbi njeriun, etja çon kryet përpjetë
për veten, frymën e gjakun…

ne vijmë dhe ikim në këtë botë..
të lindur për të mos njohur asgjë
të lindur për të dyshuar në çdo gjë

ne vijmë dhe ikim nga bota e njëri-tjetrit
për t’ia zënë vendin dikujt
për t’ia lënë vendin dikujt tjetër.

në botë,
vendi ynë mbet BOSH.

historia rrethon datën e fundit.

“TË PANGOPUR” shkruhet në postscriptum

me…
erë

era* (ang. emër) – epokë

 

***

Dëshira t’marra

Un’, pak gjana i du pi jetës.

 

Nâtën me u ba hânë…

Veç me ia ndritë rrugën hijes tânde.

 

E kur t’plasë mëngjesi,

Me qenë djell,

E me u kthye n’dritë.

Me ta ngrohë at’ copë shpirt.

 

Prej dielli me u ba ajr.

 

Prej ajri

me u kthye n’erë.

Me u përzi nëpër flokun tand, nëpër mendjen tande…

 

Me u ba mjegull

E me u kthye n’shi.

Me ta lagë jo veç trupin po dhe shpirtin me ta la.

 

Me qenë borë,

E me e ngrohë tokën veç me bardhësinë time…

Me t’i zbutë ty kambët që t’janë vra nëpër jetë..

 

Me qënë hânë, djell e ajr.

E me u kthye n’trup.

Me u taku ndoshta pak të dy.

 

Ma vonë.

Natën.

N’errësirë.

Du.

Me u kthye n’flutur

E me vallzue përreth llambës,

Që na ndrit ma shumë se hâna

E n’groh ma shumë se djelli..

 

E me u djegë.

Me u djegë duke vallzue rreth saj…

Tu të pa.

Tu të pa ty ndë sy.

 

E shef?

Pak gjana du pi jetës.

 

Me qenë yll,

me u shue.

Me ra prej qielli

Me t’u plotësu ty nji dëshirë…

Nurie Emrullai

Jam Nurie Emrullai. Lindur në '92, Kërçovë. Jetoj në një fshat shumë të vogël, quhet Garanë. I takon qytetit të Kërçovës. E dija që do të studioj gjuhën që kur isha 11 vjeç, që si rrjedhojë studimet i vazhdova në Universitetin e Tetovës, dega: gjuhë dhe letërsi shqipe. Me shkrime jam marrë gjithnjë. Fillimisht lexoja (e vetmja botë që më pëlqente dhe më dukej interesante). Përherë kur bëhej pyetja se: "Ç'dëshiron të bëhesh kur të rritesh?", gjithnjë përgjigjia ime ishte: "Dua të bëhem poete", edhe pse nuk e kisha idenë se çfarë është dhe ç'rrugë është. Druaj që nuk do ta di ndonjëherë. Po si nuk më tregoi askush që poetët lindin?!

Shkrimet e mia, kryesisht poezi, edhe pse s'guxoj t'i quaj të atilla, kanë të bëjnë me fenomene shoqërore, kohore, psikike, që kanë por dhe s'kanë një përcaktim të thuktë. Kanë të bëjnë me ligje që i ka vendosur njeriu dhe që unë nuk i duroj dot.