Është ndoshta e çuditshme të shkruash për librat, jo për librat si libra, si përmbajtje, si ide e kështu gjërash intelektuale, por për librat si objekte… që rrinë në raft. Teksa i shoh më duken të gjithë si ushtarë të një ushtrie jo fort të disiplinuar, së paku këto të mitë kështu janë – të padisplinuar. Disa rrinë mirë, drejt e në vijë, disa të tjerë kanë anuar majtas e disa djathtas, si ushtarë të këqinj që janë mërzitur nga urdhërat. Ka edhe ushtarë qe rrinë krejt shtrirë, bëjnë pallë çunat. Nuk u shkon mendja fare për disiplinë e as për oficerë e gjeneralë.

Më interesantë janë ata që rrinë shtrirë mbi kokat e këtyre të bindurve. Ata duken sikur zgërdhihen me të nënshtruarit, kurse vetë bëjnë qejf dhe ndonjëherë kur hapet dritarja, ajrosin fletët të pashqetësuar. Ca te tjerë kane dalë krejt jashtë raftit apo vijës ushtarake të disiplinës dhe janë shtrirë në tavolinë të shkapërderdhur si mos më keq. Nja dy a tre në dyshek afër jastëkut, njëri poshtë krevatit… rrinë ashtu në fshehtësi të plotë. Një tjetër rri ulur në çantën e udhëtimit, i trazuar nga rrokullusjet dhe hapjet e mbylljet e shpeshta nëpër autobusë e kafene.

Është interesante kjo gjendje e tyre, herë-herë duken sikur po protestojnë, kërkojnë ndërrim vendesh, ndihen të pabarabartë, fatkeqë… Dhe kur ta mendosh që gjithçka është në dorën tënde, gjithë ato shkrime, germa, fjalë, fjali të tëra, të shkruara nga pena të mëdha, kërkojnë të arrijnë të bindin kokën tënde për të drejtat e tyre. Disa protestojnë me anë të kopertinës, ata me kopertinë të trashë thonë që ne jemi më seriozët, më të bujshmit, prandaj edhe na kanë mbeshtjellur kaq mirë. Jemi të rëndësishëm, nuk është punë e vogël të të vënë një kapak kaq të trashë. Këta të tjerët që kanë kopertina të zakonshme, justifikohen me thjeshtësinë e tyre. S’është nevoja të mbështillesh aq trashë për të qenë i rëndësishëm, ne jemi modestë por themi gjëra te mëdha. Ashtu hollë-hollë depërtojmë në mendje dhe të mbushim me melhem, jemi të brishtë, të ëmbël, ashtu si kopertina.

Pastaj të tjerë që lavdërohen me trashësinë, me numrin e faqeve. Të tjerë që gati s’vihen re fare në raft, të ligshtë, të zënë ngusht nga dy trashaluqë që ia kanë zënë frymën… Të tjerë mesatarë, me kopertina të bukura, të vizatuar nga piktorë të njohur e të panjohur, të tjerë fare të vjetër, të grisur, që mezi mbahen… Të gjithë kërkojnë vëmendje. Të gjithë duan t’i ajrosin fletët dhe të të nxjerrin sytë me germat e tyre që në fillim duken aq të pafajshme, atëherë kur veç sa s’kanë filluar të kërcejnë si të tërbuara para syve, të futen thellë tyre dhe të ta helmojnë trurin me plot histori, trillime, fantazi, që të lënë pa mend fare.

Dhe i ditur mendoje që ishe para se ato germa të çmendura të të kaplojnë qenien, me plot dyshime dole për veten, e për botën, për librin vetë, e për të gjitha.

Eh librat… Këta djaj që të mësojnë që S’DI!

 

 

Kushtrim Zendeli

Gjatë vitit 2016 ka kontribuar në rubrikën Shëmbëllime në PanAlbanica. Adhurues i artit, posaçërisht atij letrar. Me profesion është mjek stomatolog nga Kërçova. Ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës.
Shkruan poezi dhe prozë. Edhe pse i diplomuar në një fushë krejt të ndryshme, nuk i ndahet penës, shkrimeve të ndryshme artistike dhe pjesëmarrjes në evenimente të ndryshme kulturore.