Isuf Sherifi

 

Kushtuar mësuesit dhe veprimtarit Arif Seferi (1938-1992)

 

Është nëntor. Ne jemi këtu.

Pandehim se jemi bajrakë

e shpesh nuk i ngjajmë as shkopit.

 

Na gërryen dëshira të themi diçka

që ishte fjalë jotja

Po druaj se shkronjat i kemi ngatërruar keq.

 

Pandehim se jemi duke ecur drejt

por shpesh nuk e dimë se për ku jemi nisur.

 

Muaji i festave është, mësues Seferi

kuq e zi është veshur kalendari

 

Ti vjen këtë nëntor i vyeshëm si kahera

ne na ke këtu

te koka dhe këmbët.

 

Në duar kemi një copëz drite

që na e le

t’i gjejmë udhët kur prek terri.

 

Na thuaj

sa hapa ka udha gjer te liria e tanë,

sa bjeshkë duhet kapërcyer,

sa ujqër e derra kanë ato male!?

 

Na thuaj, i dashur Mësues,

kush kaloi e kush ngeli

në ditarin tënd të zemrës?

 

Unë, për Besë, nuk e di

si mund të kalohet klasa

me mungesa pafund

e me dije cung as sa për dy paund!?

 

Në kohën tënde ishte ndryshe,

sot krejt tjetërfare është!

 

Në fletoret e hartimit

tani nuk vizatohet dielli

si dikur,

ai vjen i pjerrët

bie në gjumë herët

dhe në pikë të ditës mjelet.

 

Po e vë pikën këtu, Mësues

se t’ju lodh s’dua këtë nëntor

veç lutem njashtu sikur etërit

që gjaku i Arbërit t’rrojë e t’lulëzojë!