Shemsedin Ibrahimi

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës dhe liderët e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe shqiptarët kudo nuk patën asnjë moment të brengosen për veprimet individuale të personave të caktuar (sepse veprime te tilla nuk kishte), gjatë pjesëmarrjes së shqiptarëve në Kampionatin Evropian të futbollit. Shqipëria dhe tifozët kuq e zi dëshmuan edhe njëherë se kanë zemër, se nuk ushtrohen as për vandalizëm e as për t’u treguar të tjerëve se sa të fortë e të ashpër janë. Për herë të parë komentuesit e sportit bënë më shumë komente për tifozët, për sjelljen e tyre, për pamjen e tyre. Fitues të këtij kampionati këtë vit janë shqiptarët, sepse ata mbushën titujt kryesor të gazetave dhe portaleve evropiane e botërore në dy aspekte: me lojën kundër Zvicrës, ku në fushë nga të dy ekipet kishte 16 shqiptarë, kur në një ndeshje luanin kundër njëri-tjetrit dy vëllezër, ku flamuri shqiptar merrte përmasa gjigande dhe në aspektin e dytë: në lojën kundër Francës, tifozët kuq e zi i dëshmuan botës se si duhet të mbështet ekipi kombëtar, se tifozët kundërshtarë nuk janë armiq po se janë miq që luajnë kundër njëri-tjetrit dhe ekipi kombëtar i futbollit dëshmoi se është i fortë, i konsoliduar dhe se mund të përballet më këdo, qoftë edhe me Francën.

Po të reflektohet esëll, kuptohet se kjo nuk u organizua, nuk u bë për t’u treguar të tjerëve se çfarë jemi, por se ne jemi këta, pra pjesa më vitale e Evropës. Ajo pjesë që Evropa që moti e ka humbur në karakterin e saj.

Në fushën e futbollit ekipi shqiptar përfaqësohet me potencialin tërësisht unik, të pa importuar, të pa natyralizuar. Të gjithë futbollistët janë shqiptarë. Kur përballesh me Kombëtaren Shqiptare nuk përballesh me të tjerët, por thjesht me kombin shqiptar.

Gazetat franceze shkruajnë “Shqiptar ejani kur të doni”. Pra shqiptarë, jo Shqipëri, jo tifozë. Të gjithë. Ky është imazhi ynë i vërtetë. Kështu na do Evropa, ashtu si jemi në të vërtetë e jo ashtu si duan ca të tjerë.

Disa nga gazetarët dhe opinionistët e njohur nga të gjitha trojet shkruan me tone pozitive për të gjithë atë që ndodhi dhe po ndodh në Francë. Jo se ata nuk janë profesionistë dhe të paanshëm, por se vërtet ishte ashtu.

Kemi një unison në shpërndarjen e imazhit të kombit shqiptar në botë. Një frymë e re po shfaqet dhe këtë po e dëshmojnë shqiptarët.

Kjo frymë, pritet të kaplojë edhe politikën shqiptare, e cila di të përshtatet për të qëndruar atje ku është, pra në pushtet, ose në opozitë, por gjithsesi diku në sistemin politik. Nuk zhbëhet, nuk hiqet kujtesa kolektive. Ky kampionat do të jetë pjesë e kolektivizmit tonë dhe individualitetit të theksuar.

Tani mbetet vetëm të presim! PO, në dreq le të shkojë gjithçka, mjaft kemi pritur. Shqipëria jonë po përvijohet ashtu si duam ne, me të gjitha tiparet dhe futbolli ishte ai që përçoi këtë energji kombëtare.

Në fillim të kampionatit evropian u bënë kalkulime se sa para iu duhet tifozëve të secilit shtet për ta ndjekur në stadium ekipin e tyre kombëtar. Shqiptarët ishin më me pak të ardhura. Kaq, askush më nuk e përmendi këtë sepse shqiptarët nuk pyesin për para, kur është në pyetje Shqipëria. Në të gjitha ndeshjet e futbollit, stadiumet e Francës u veshën me ngjyrën kuq e zi.

Tani presim! Kjo pritje si duket do të jetë e gjatë, por në fund sërish do të ngadhënjejë Shqipëria dhe shqiptarët. A nuk ishte kështu deri më tani?