Është e njohur anekdota për Volterin dhe Fridrikun e Madh. Ata të dy i dërgonin njëri- tjetrit porosi me rebuse.

 

Jeta është rebus.

Planifikimet, pritjet dhe ëndrrat, janë rebus për çdo moshë. Dallimi është te akti; rinia gjendet para aktit të veprimeve, ndërsa më të moshuarit, para aktit të kryer.

Të parët pyeten SI të veprojnë, ndërsa të dytët SI është dashur të veprojnë.

Truri është ai i cili gjithmonë në kërkim të zgjidhjes, ndërsa pikëpyetja është ajo që e ngacmon trurin.

Jeta, me të vërtetë, është rebus dhe ne jemi elementet e tij.

Ç’është, në të vërtetë, rebusi?

Rebusi është një lloj gjëze, e cila jepet me anë të imazheve. Fotografia, shenjat, numrat apo shkronjat janë elementet e rebusit.

Me zgjidhjen e rebusit fitohet një fjalë ose fjali.

Fjala rebus rrjedh nga latinishtja rebus (shumësi i fjalës res (“gjë”)).

Fjalori i gjuhës shqipe (www.fjalori.shkenca.org/), thotë kështu:

REBUS m. libr.

  1. Gjëegjëzë, në të cilën paraqitet me vizatime, me shifra, me shkronja a me shenja të tjera një fjali ose një shprehje, që duhet gjetur. Rebus numrash. Zgjidhja e rebusit.
    2. fig. Diçka me përmbajtje të ngatërruar e të pakuptueshme, që duhet zgjidhur; diçka e vështirë për ta zbërthyer a për ta kuptuar.

Nuk dihet me saktësi kur është paraqitur rebusi i parë. Në Greqinë dhe Romën e lashtë janë kalitur monedha me rebuse me figura njerëzish dhe qytetesh të rëndësishëm.

Mendohet se fjala rebus rrjedh nga shekulli XV dhe është marrë:

  • ose nga fraza e Picardie-ut de rebus quae feruntur, e përdorur në një gjëzë satirike, që do të thotë “në lidhje me gjërat që po ndodhin”,
  • ose nga fraza verbis sed rebus, që do të thotë “jo me fjalë, por me gjëra (vepra)”.

Është e njohur anekdota për Volterin dhe Fridrikun e Madh. Ata të dy i dërgonin njëri- tjetrit porosi me rebuse. Më poshtë është vizatimi i Fridrikut, dërguar Volterit:

 

Sanssouci

 

Figurat në këtë rebus (në frengjisht) paraqesin: Deux mains (dy duar) sous (nën) p (kjo në frengjisht lexohet “pé”) à (në) cent (qind) sous scie (nën sharrë). Kështu, zgjidhja e rebusit është: Demain souper à Sanssouci? (Nesër në darkë në Sansusi?)

Ndërsa përgjigja e Volterit ka qenë: Ga!

Ga! paraqet rebus shkronjash, i cili zbërthehet në Gé grand, A petit! (G e madhe, a e vogël). Kjo e jep zgjidhjen J’ai grand appétit! (Kam apetit (oreks) të madh!).

Sot, rebuset i hasim në revista e gazeta të ndryshme, si detyra për të kaluar kohën e lirë.

Rebusi shembull:

(5,1,3)

Patateegra

 

Zgjidhja:

Figurat në këtë rebus janë: PATATE E GRA.

Kllapat mbi rebus tregojnë gjatësinë e fjalëve të zgjidhjes. 5 = patate, 1=e, 3=gra.

Kështu, zgjidhja e rebusit paraqet veprën e Fatos Arapit “Patat e egra”.

 

Në tekstin e radhës do të njihemi me elementet e rebusit, llojet dhe rregullat si zgjidhen çdonjëra nga to.

Mensur Mamuti

Mensur Mamuti, redaktor përgjegjës i rubrikës Gjë(ra)egjëza në PanAlbanica është inxhinier i Shkencave Kompjuterike dhe punon në UEJL, në sektorin për Dizajn dhe Multimedia. Që nga 1994 është redaktor kryesor i kuizit të diturisë, "Ramazani". Autor dhe botues i Revistës enigmatike "Rebusi". Autor dhe udhëheqës i programeve "Rebus-Bleta" dhe "Enigma" në radio të ndryshme në Tetovë. Gjatë viti 2004 ka qenë autor dhe regjisor i programit televiziv "Mix Age" në TVM. Që nga viti 2016 është redaktor përgjegjës i rubrikës enigmatike "Koha e lirë" në gazetën "Koha" që botohet në Shkup. Është autor i revistës "100 fjalëkryqe për 100 vjetorin", në 100-vjetorin e Pavarësisë.