Rebusi hyn në kategorinë e problemeve kriptike dhe në të kaluarën ka shërbyer për dërgimin e porosive të shifruara. Prandaj, që të zgjidhet saktë, krijuesi i rebusit duhet ta përpilojë atë në mënyrë sa më të qartë. Figurat duhet të jenë të dallueshme dhe shenjat (shkronjat, numrat…) të lexueshme.

Mjeshëtria dhe rregullat e krijimit të rebuseve janë temë më vete. Çdo lloj i rebusit i ka rregullat e veta dhe krijuesi i tyre vepron sipas tyre.

Do t’i ndajmë rebuset në disa grupe dhe do t’i shqyrtojmë ato veçmas.

Në grupin e parë do ta trajtojmë rebusin e zakonshëm, i cili paraqitet në dy forma: me dhe pa apostrofa.

Grupi i dytë do t’i përfshijë rebuset e kushtëzuara: rarebusin dhe rebusoidin.

Në grupin e tretë do të njihemi me rebusin palindrom dhe atë anagramor.

Ndërsa grupit të katërt i takojnë rebuset me shkronja dhe rebuset në vargje.

Atëherë, të fillojmë me rebuset e zakonshme. T’i analizojmë më hollësisht mënyrat e zgjidhjes së gjëzave të dhëna me figura. Të shohim si duhet t’i lexojmë figurat dhe shenjat dhe si duhet t’i kombinojmë fjalët e fituara për ta formuluar zgjidhjen e rebusit.

Këto më së miri mund t’i sqarojmë me shembuj.

Shembulli 1:

 

Mbi çdo detyrë, në kllapa, jepen një ose disa numra. Në shembullin 1 në kllapa është shënuar (9). Kjo do të thotë se zgjidhja e rebusit përbëhet prej një fjale nëntëshkronjëshe.

Pranë figurës mund të ketë një apo më shumë apostrofa (’), që nënkupton heqjen (eliminimin) e një ose më shumë shkronjave prapa ose para figurës, varësisht nga pozita e apostrofit. P. sh. te shembulli 1, pas fjalës KALORËS janë venduar dy apostrofa (’’), që nënkupton heqjen e dy shkronjave të fundit të asaj fjale, si rezultat i së cilës fitohet fjala KALOR. Njëlloj veprohet edhe te fjala REFER, mirëpo kësaj radhe, pasi apostrofat janë para fjalës, hiqen dy shkronjat e para dhe fitohet fjala FER.

Te fjalët e pastra (kur nuk ka apostrofa), atëherë nuk hiqet asnjë shkronjë, por fjala shënohet ashtu si është.

Dhe në fund, si rezultat i operacioneve të ndërmarra në fjalët me apostrofa, fitohet zgjidhja e kërkuar prej 9 shkronjave:

KALOR(ës) I (re)FER = KALORIFER

Që ta ‘pjekim’ më mirë kuptimin mbi rebuset, ju japim edhe dy shembuj. Njëri (shembulli 2) nuk përmban asnjë apostrof dhe tjetri (shembulli 3) tregon se numri i fjalëve në fillim të rebusit, ajo në kllapa (5,1,6), vlen edhe për lidhëzat dhe se zgjidhja e rebusit përbëhet prej tre pjesëve (fjala e parë përmban 5, e dyta 1 ndërsa fjala e tretë 4 shkronja).

Shembulli 2:

(Figurat janë: dy ndërtime mbi lumë dhe një rrjetë peshkimi. Zgjidhja: MURAT ISAKU).

 

Shembulli 3:

(Figurat janë: një shoshë, një sport dhe kufiri i diçkaje. Zgjidhja: DITËT E NAIMIT)

Lehtë, apo jo?

Mundohuni të krijoni rebuse me një fjalë. Pastaj mund të provoni edhe me ndonjë personazh, vepër apo thënie. Do të shihni se pas disa “gjetjeve” do të filloni ta ndjeni kënaqësinë e kësaj loje magjike.

Teksti i radhës: Rebuset e kushtëzuara: Rarebusi dhe Rebusoidi.

Mensur Mamuti

Mensur Mamuti, është inxhinier i Shkencave Kompjuterike dhe punon në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në sektorin për Dizajn dhe Multimedia. Është autor dhe botues i revistës enigmatike "Rebusi", autor dhe udhëheqës i programeve "Rebus-Bleta" dhe "Enigma" në radio të ndryshme në Tetovë, autor dhe regjisor i programit televiziv "Mix Age" në TVM, redaktor i kuizit "Rmazani" etj. Aktualisht është redaktor përgjegjës i rubrikës enigmatike "Koha e lirë" në gazetën "Koha" që botohet në Shkup. Është autor i revistës "100 fjalëkryqe për 100 vjetorin", në 100-vjetorin e Pavarësisë.