Mensur Mamuti

 

Në sistemet e shkrimit rebusi mund të shpjegohet si një “metaforë ortografike”, e cila hyn në grupin e ideogrameve apo ideografeve (nga greqishtja ἰδεα – ide dhe γραφω – shkruan). Këtë më së miri mund ta kuptojmë nga shkrimet e indianëve dhe egjiptasve të lashtë. Përderisa korpusi i simboleve të indianëve ishin katalogë metalesh, hieroglifet egjiptase paraqitnin emra. Termi “ideogram” përdoret edhe gjatë përshkrimit të simboleve dhe sistemeve të shkrimit siç janë kuneiformat sumere dhe shenjat kineze.

Shkrime piktografike në Abidos të Egjiptit, që datojnë nga shekulli IV p.e.s.

Në vendet me turbullira dhe në gjendje lufte rebusi është përdorur si metodë për kriptim (kodim) të mesazheve. Mirëpo, si sot, edhe në lashtësi ka patur njerëz të tillë, të cilët i kanë dhënë drejtim artistik kësaj forme. Janë të njohur rebuset e njërit prej artistëve më të mëdhenj të “Rinascimentos” (Rilindjes) italiane, Leonardo da Vinçit.

Amore sola mi fa remirare, la sol mi fa sollecita (Vetëm dashuria më bën të kujtoj, vetëm ajo më nxit)

Komunikimi me figura nuk ka qenë gjithmonë i suksesshëm. Ka patur raste kur nuk kanë mundur t’i deshifrojnë figurat dhe mesazhet kanë mbetur të keqkuptuara ose nuk janë kuptuar tërësisht. Prandaj, është paraqitur nevoja për përmirësim dhe vënie të standardeve. Aspektet e përmirësimit të këtij stili të të shkruarit kanë qenë:

  • i sigurisë, sepse me kohë njerëzit kanë filluar të mësohen t’i “lexojnë” ato. Kështu, falë zgjuarsisë së “postierit”, letra ka mundur të shkojë në duart e atij, kundër të cilit është shkruar letra;
  • i “stilit” kriptik të të shkruarit, sepse ka ndodhë që letrat të jenë të koklavitura dhe të paqarta për lexim. (Deri te kjo ka ardhë si pasojë e mosnjohjes së këtij “stili” apo më saktësisht, si pasojë e përdorimit të figurave dhe shenjave të njohura vetëm për autorin e letrës).
  • zbavitës dhe edukativ. Rebusi, si pjesë e enigmatikës, ka pësuar ndryshime të mëdha dhe sot kemi një gamë të tërë problemesh enigmatike në të gjitha sferat shkencore.

Enigmatët apo enigmistët *, të cilët na mbetet t’i emërojmë kështu, sepse në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe nuk figuron ende profesioni apo fusha e atij që merret me enigmatikë, rebuset i kanë ndarë në të zakonshme dhe të pazakonshme (të kushtëzuara).

Me zhvillimin e enigmatikës edhe rebuset e kushtëzuara vazhdojnë me nënndarje tjera. Siç e dimë, zgjidhja e rebusit mund të jetë një fjalë e vetme, një fjali apo një shprehje.

Poashtu e dimë edhe atë se, zakonisht, figurat paraqiten nga ana e majtë dhe çdonjëra nga to jep nga një pjesë të zgjidhjes. Leximi i figurave, poashtu bëhet nga ana e majtë dhe shkon rrafsh.

(Ju kujtohet rebusi i veprës së Fatos Arapit “Patat e egra”, i cili fitohej nga PATATE + E + GRA)?

Në raste kur rebusi nuk mund të paraqitet me figura, në skenë hyjnë apostrofat që të na tregojnë se fjalës së formuar nga ajo figurë i hiqen një ose më tepër shkronja, në fillim apo në fund të fjalës. Po ua rikujtojmë shembullin e rebusit: KALORIFER, i cili përbëhej prej fjalëve: (KALORës, I, reFER)

Deri këtu kishim të bëjmë me rebuset e zakonshme, te të cilët shkronjat e eliminuara “zhduken” dhe nuk hyjnë në përdorim të mëtutjeshëm.

Për dallim, te rebuset e pazakonshme përdorimi i shkronjave të eliminuara është i kushtëzuar. Këto lloje të rebusit janë me eliminime të shkronjave, të cilët duhet patjetër të përdoren gjatë zgjidhjes.

Sipas mënyrës së përdorimit të shkronjave “të eliminuara”, rebusi i pazakonshëm ndahet në:

  • rarebus (shkronjat shtohen pas fjalisë apo shprehjes), rebusoid (shkronjat shtohen menjëherë pas fjalës përkatëse),
  • rebus palindrom (leximi bëhet nga ana e djathtë),
  • rebus përshkrues (në vend të imazheve përdoret përshkrimi me tekst),
  • rebus me shkronja (përbëhet nga shkronjat, numrat dhe shenjat),
  • rebus anagramor (nga shkronjat e fjalëve të fituara formohen fjalë të reja) dhe
  • rebus kthyes (zgjidhet ngjashëm si rebusi klasik, por leximi i frazës (shprehjes) ndryshon. Zgjidhja (leximi i rebusit) fillon nga një shkronjë në brendi të njërës nga shprehjet deri në fund të saj dhe pastaj vazhdohet me pjesën e mbetur, nga fillimi i shprehjes së parë deri te shkronja prej ku ka filluar leximi.

* Shqipërimi i termeve për enigmatikën dhe për llojet enigmatike është temë në vete, për të cilën do të shkruajmë në një rast tjetër.