Gjakim për mbrothësinë e brezave që vijnë
E Hënë, 4 Shtator, 2017
Unë kam qenë Adami që e kam ngrënë mollën
E Hënë, 11 Shtator, 2017

Pushoni, për emrin e Zotit!5 minuta lexim

Gjergj Bubani


 

Sëmundja e madhe e shpifjeve dhe e grindjes, sëmundje që buroi prej egoizmës dhe inateve dhe e cila si një gangrenë ka pushtuar trupat dhe shpirtrat e shumicës të bashkatdhetarëve tanë, është, për Shqipërin’ e sotme, fatkeqësia m’e madhe. E vogël, e pocaqisur, jo shum’ e begatshme, Shqipëria priste dhe pret prej atdhetarëve të vërtetë theorira të mëdha, morale dhe materiale, për progresin e saj dhe për organizimin e saj të brendëshëm. Dhe në vend që të mblidhemi të gjithë tok dhe si një trup të bashkojmë punërat dhe mendimet tona për të mirën dhe për përparimin e Saj, në vend që të punojmë secilido prej nesh me zemërkthjellësi dhe me ballën lart për Atë dhe të mirën e Saj, duke mbytur çdo sentiment egoistik, që për fat të keq e kemi në natyrën tonë si shqipëtarë, ne, përkundrazi, vumë tërë fuqinë e mendimit dhe të energjisë sonë për të rrëmyer njëri varrin e tjetrit, për të përmbushur tërë inatet dhe egoizmat tona personale, duke shpifur, duke kundërshtuar, duke sharë, duke goditur, duke shojtur adversarët tanë personalë, për të mirën e egoizmit tonë personal dhe kundër Atdheut tonë, kundër Shqipërisë. Dhe tërë këto i bëjmë sheshazi pa asnjë trup dhe shumë herë në emrin e atdheut!

I mjeri atdhe!

Tani e kuptoi ai se tërë flaga e enthuziazmës sonë s’ish gjë tjetër veçse një pamje e rremë e dëshirave tona personale. Tani e kupton ai se jemi patriotë të flaktë vetëm sa kohë shpresojmë në një shpërblim për patriotizmin tonë. Tani e kupton ai se nëpër zemrat tona është rrënjosur më thellë dashuria për interesin tonë vetjak, sesa ajo e interesit të Tij. Tani e kuptoi ai se, posa që na ciket interesi ynë vetjak, humbet ndër ne çdo sentiment atdhetarizmi dhe zëmë godasim, shajmë, shpifim, rrëmijmë varret e patriotëve të tjerë, duke shpresuar se me varimin e me çnderimin e tyre do të rilindet triumfi i egoizmës dhe i interesit tonë vetjak dhe pa u menduar se ç’nderimi dhe shojtja e tyre ekuivalon me shojtjen dhe çnderimin pjesor të Shqipërisë.

U mësuam si Qeveri të punojmë kundër opizicies: si opozicie tymos kemi tjetër qëllim veçse rrëzimin e Qeverisë dhe hipjen në kryen e Shtetit: si prefektër, të punojmë me hatër dhe, si adversarë të prefektëve, të sosim tërë energjinë tonë kundër atyre. U mësuam të punojmë në emrin e atdhetarizmit, kundër Atdheut, pa asnjë turp.

Se interesi i Shqipërisë sot është të jemi që të gjithë të bashkuar nën një qëllim: Përparimi i Shtetit tonë.

Dhe, kur të arrijë në radhën e shteteve të tjera të qytetëruara dhe të përparuara, atëherë le të pyesim dhe Egon tonë dhe le të ndahemi në partira, po jo në çeta pa asnjë program.

Jemi aq të paktë dhe aq të dobët në mësim, sa vetëm të bashkuar që të gjithë do të mundim t’i sjellim dobi Atdheut, i cili sot më tepër se kurdoherë ka nevojë për bashkimin tonë.

Për emrin e Zotit!

Pushoni grindjet, inatet, shpifjet në mes tuaj dhe afrojuni t’i japim me zemër të kthjellët dorën njëri-tjetrit, për shpëtimin e Shqipërisë. Afrojuni të bashkohemi dhe të punojmë të gjithë tok si një rreth i çelniktë, me një qëllim të përbashkët.

Le të bashkohemi dhe le të mbytim secilido egoizmën e vetes së tij. Kjo është m’e madhja theori që na kërkon Atdheu tonë. Le të harrojmë dhe le të shuajmë ambicionet dhe inatet tona vetjake. Vetëm kështu do të mundim t’i shërbejmë me dobi Atdheut.

Ata që janë jashtë Qeverisë, le t’u japin tërë konkursin e tyre të sinqertë qeveritarëve. Në vend të shajnë dhe të shpifin, në vend t’i madhësojnë veprat e liga dhe t’i vogëlsojnë veprat mira të qeveritarëve, në vend të kritikojnë me hatër, do të bëjnë më mirë t’u tregojnë udhën e mirë, t’i këshillojnë vëllazërisht dhe ngadonjëherë dhe të ndjejnë lajthimet e tyre. Dhe vetëm atëherë kur prova të gjalla na thonë se një prej tyre punon kundër idealit ose kundër interesit të përgjithshëm, atëherë le t’i biem kokës, atëherë le ta shfarosim.

Ata që mbajnë fuqinë në dorë, le të kuptojnë se vetëm duke pasur konkursin e shumicës do të mundin të punojnë. Dhe për t’u dhënë konkursin dhe besimin, shumica u kërkon të zhvishen prej rrobës së egoizmit dhe të ambicies, u kërkon të lënë mënjanë aksiomën e famshme “ashtu dua unë” dhe të dëgjojnë herë-herë zërin e opinionit publik. Deputetët tanë le të pushojnë së ëndërruari ministre dhe madhërira dhe, në vend që ta vrasin mendjen e tyre për intriga me qëllime vetjake, le të mendohen më mirë se në tërë këto kohë asgjë s’na treguan dhe asnjë përmirësim s’vepruan. Ata që s’janë të zotërit për tjetër gjë, veçse për intriga, le të japin dorëheqjen. Është shërbimi m’i madh që i mundin t’i sjellin Atdheut.

Për emrin e Zotit!

Pushoni një herë! Sprasuni prej udhës që keni marrë dhe e cila po na shpie në katastrofë. Bashkohuni, se “Fuqia në bashkim” gjendet.

 

1921

(Visited 39 times, 1 visits today)
Share This