Qasja e pjesshme dhe reagimi vetëm kur ka denoncime sikur e mjegullon qëllimin e sinqertë dhe e vesh me petkun e propagandës dhe në këtë rast antishqiptare.

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov e ka urdhëruar drejtorin e Spitalit të Specializuar për Gjinekologji dhe Akusheri “Nënë Tereza” në Çair, Bashkim Ismailin, që në afat prej 30 ditësh të bëjë ndërrimin  e sistemit të ngrohjes, për shkak se ngrohja me mazut e ndot mjedisin jetësor. Nëse nuk zbatohet ky urdhër, atëherë spitali, do të mbyllet. Deri te kjo urdhëresë erdhi pas denoncimeve, që disa organizata joqeveritare të mjedisit jetësor i bënë kohëve të fundit lidhur me ndotësit kryesorë të mjedisit, ku spitali i Çairit ishte cak më vete.

Drejtori i Spitalit të Çairit, Bashkim Ismaili, thotë se Kërkesë për ndryshimin e sistemit të ngrohjes, deri te ministria e shëndetësisë ka bërë që para tre viteve dhe se asnjë institucion shtetëror nuk ka reaguar. Sipas tij, zhurma e fundit nga mediumet maqedonase bëhet me qëllim dëmtimin e imazhit të spitalit, i cili aktualisht nga shqiptarët e Maqedonisë, por jo vetëm, konsiderohet si maja e profesionalizmit mjekësor në gjinekologji dhe akusheri.

Mjafton të hapet ueb faqja e furnizimeve publike dhe të konstatojmë se edhe shumë institucione të tjera shtetërore ngrohen me mazut dhe janë ndotës të mjedisit jetësor, por pse Gjinekologjia e Çairit merret si shembull dhe se pse ajo urdhërohet të mbyllet, nuk mund të shpjegohet ndryshe, por vetëm si pjesë e propagandës për të dëmtuar një institucion udhëhiqet nga shqiptarët dhe është i suksesshëm.

Në sistemin e furnizimeve publike mund të shihet se vitin e fundit edhe Spitali klinik i Manastirit ka porositur mazut për ngrohje, po ashtu edhe spitali i Kumanovës, Prilepit, Gjevgjelisë, Strumicës, por edhe shumë institucione të tjera shtetërore.

Nuk ka zgjidhje të pjesshme të problemit me ndotjen e ajrit dhe masat kundër ndotësve duhet të merren pa amnistuar askënd sepse bëhet fjalë për shëndetin tonë dhe gjeneratave që vijnë. Qasja e pjesshme dhe reagimi vetëm kur ka denoncime sikur e mjegullon qëllimin e sinqertë dhe e vesh me petkun e propagandës dhe në këtë rast antishqiptare.

Në Spitalin e Çairit, vetëm gjatë vitit 2018, janë realizuar 15.872 intervenime gjinekologjike dhe kanë lindur 4 132 foshnja.