Kohë për mendjen e brezit tonë të ri
E Enjte, 14 Shtator, 2017
Kapitulli i çështjes shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund
E Enjte, 5 Tetor, 2017

Përpara se të votosh më 15 tetor7 minuta lexim

PanAlbanica


 

Zgjedhjet vendore 2017

 

Pas zgjedhjeve parlamentare të 2016, votuesit shqiptarë në Maqedoni ndodhen edhe përpara një momentumi tjetër mjaft vendimtar. Faktori politik shqiptar është i përçarë edhe për sa i përket votave, pra në shumë subjekte politike, por edhe sa i përket ideve politike, duke mos përjashtuar këtu as ato lidhur me interesin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

Nga ana tjetër, kriza e politikës së jashtme të këtij shteti, keq-orientimi strategjik i saj bashkuar me problemet e brendshme, si: kriza politike brenda dhe ndëretnike kanë sjellë një zinxhir problemesh si rritja e papunësisë, mungesa e investimeve të huaja dhe kriza ekonomike, që e kanë bërë të vështirë jetën normale të qytetarëve, e veçanërisht atyre shqiptarë.

Të ndodhur përpara këtyre sfidave, subjektet politike shqiptare në Maqedoni duhet të tregojnë pjekurinë e duhur që kërkohet në këto moment vendimtare të historisë sonë.

Në interes të shqiptarëve dhe në interes të çështjes sonë kombëtare, ato duhet të bëhen bashkë në komunat ku rrezikohet kandidati shqiptar. Gjatë fushatës parazgjedhore, partitë politike shqiptare duhet të përdorin retorikë përbashkuese, duke vendosur theksin në gjërat që na bashkojnë dhe jo tek ato që na ndajnë.

Përpjekja e LSDM-së dhe çdo partie tjetër maqedonase për të përvetësuar votuesit shqiptarë, duhet konsideruar nga partite shqiptare si rrezik tejet i madh i cili duhet shmangur me çdo kusht.

Në platformat e tyre zgjedhore, të gjitha subjektet politike shqiptare, duhet ta aktualizojnë çështjen e bashkimit territorial të komunave, gjë e cila lejohet me Ligjin aktual për ndarje territoriale.

Dhe në fund por jo më pak e rëndësishmja: të japin premtime të realizueshme, me qëllim inkurajimin dhe kthimin e besimit të shqiptarëve te faktori politik shqiptar.

Përdorimi i taktikës së ikjes nga përgjegjësitë dhe investimi në kandidatë të dyshimtë shqiptarë, që aktualisht po e zbaton LSDM-ja, si duket do të bëjë që votuesit shqiptarë të dinë të bëjnë dallimin dhe mos e djegin votën e tyre duke votuar shqiptarët që po garojnë me vulën e LSDM-së.

Përtej premtimeve boshe në Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni se ato do të jenë unike në qoftë se cenohet interesi shqiptar, përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2017-tës, dëshmojnë krejtësisht të kundërtën e deklaratave të tyre në fillim të këtij viti.

Kandidaturat që kemi parë deri tani janë shëmbëlltyrë e mendësisë së vjetër dhe pjekurisë së varfër politike. Janë pamje e trishtë e të ardhmes sonë që na pret po qe se nuk ndërgjegjësohemi e rebelohemi për gjendjen tonë. Në kandidaturat e paralajmëruara deri tani, të cilat nuk janë akoma zyrtare, fshihen figura të recikluara tash e njëzet e gjashtë vjet, ndoshta edhe më tepër.

Është koha e fundit që faktori politik shqiptar përfundimisht të konsolidohet, të analizojë gabimet dhe të përqendrohet në problemet konkrete të shqiptarëve të cilat dallojnë thelbësisht nga ato të qytetarëve me të cilët jetojmë pa vullnetin tonë nën të njëjtin jurisdiksion.

Përmes konsolidimit dhe përbashkimit të faktorit politik shqiptar duhet të arrihet dekurajimi i individëve të cilët në emër të përkatësisë etnike, për interesa personale i manipulojnë votuesit hallexhinj shqiptar, duke u inkuadruar në partitë maqedonase kinse të reformuara e gjithëpërfshirëse.

Hutia e votuesit shqiptar është shkaktuar në radhë të parë nga përçarja e votës shqiptare në shumë subjekte politike, në kohën kur më shumë se kurrë na duhet qëndrim dhe veprim unik, si dhe vjen si pasojë e veprimit dhe ndërhyrjes së faktorëve të ndryshëm që po operojnë në Maqedoni një kohë të gjatë.

Andaj orientimi i drejtë i votuesve shqiptarë duhet bërë përmes propozimit dhe realizimit të projekteve konkrete në dobi të shqiptarëve duke filluar me politikat arsimore, ekonomike e kështu me radhë.

Momenti politik në këto zgjedhje është vendimtar për të çuar përpara procesin e konsolidimit funksional ndofta edhe territorial të komunave, duke i bërë llogaritë për përfitimet që sjell ky proces. Politikanët vendorë shqiptarë me punën, vendosmërinë dhe profesionalizmin e tyre, duhet të dëshmojnë se këto të mira dinë dhe munden t’i kthejnë në të mira për të gjithë qytetarët, por në radhë të parë në dobi të shqiptarëve, të cilët ende mbeten të privuar nga qasja në fondet e qeverisjes vendore, e të mos flasim për fondet në buxhetin qendror. Veprimi politik i partive shqiptare në nivel lokal, duhet të përqendrohet në nxjerrjen në pah të potencialit më të mirë, më profesional dhe të dallueshëm të kandidatëve për kryetarë komunash me të vetmin qëllim – të dëshmojnë përkushtimin, guximin, dijen dhe ndjenjën e rikthimit të faktorizimit të shqiptarëve në komunat e tyre. Kjo pastaj do të shtrihej edhe në nivelin qendror, ku ashtu si në nivelin lokal po mbretëron një përçarje e tejskajshme dhe shumë e dëmshme për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Ajo që është tepër thelbësore është përqendrimi i kandidatëve shqiptarë në projekte konkrete, të realizueshme dhe në dobi të shqiptarëve. Servilizmi dhe nihilizmi, që po tregojnë politikanët shqiptarë në Maqedoni dhe si rrjedhojë edhe kandidatët për kryetarë komunash ndaj shqiptarëve, ka rezultuar me dështim dhe krijimin e përshtypjes tek ata se faktori politik shqiptar nuk ka as kapacitete intelektuale e as aftësi profesionale për përmirësimin e jetesës së tyre. Kjo krijon ndjenjën e inferioritetit kolektiv dhe si pasojë vjen deri te orientimi i votuesve shqiptarë drejt partive politike maqedonase. Këtë dukuri e kanë studiuar mirë partitë politike maqedonase, të cilat po përfitojnë dyfish:

Së pari, krijojnë idenë e paqenë të kohezionit të brendshëm të shtetit, duke përfshirë edhe shqiptarët në mesin e tyre, dhe

Së dyti, gllabërojnë vota të shumta shqiptare, që janë kryesore për realizimin e qëllimeve të tyre në marrjen e pushtetit, kësaj radhe atë vendor.

Fatkeqësisht asnjëra nga partitë politike shqiptare nuk bëri një katarsis të vërtetë të veprimit politik dhe as nuk nxori mësime nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ku vota shqiptare ishte vendimtare në ndërrimin e pushteteve në Maqedoni.

Kur flitet për zgjedhje të nivelit vendor, shqiptarët duan kandidatë nga mesi i tyre meqenëse kanë pritje se ata munden më lehtë t’i zgjidhin problemet konkrete. Kjo bindje, ndoshta do të ndihmojë që votat të mos shkojnë në drejtim të gabuar dhe të mos përdoren për qëllimet djallëzore të partive maqedonase. Nga ana tjetër, kjo mënyrë e mendimit duhet të përforcohet edhe me veprimin konkret të kandidatëve shqiptarë, të cilët duhet të dëshmojnë se punojnë për të gjithë qytetarët, por se llogari të posaçme mbajnë për shqiptarët dhe për mirëqenien e tyre.

Tendenca për të dëshmuar lojalitet të panevojshëm ndaj partnerëve politikë maqedonas dëmton rëndë çështjen shqiptare dhe jo vetëm, kurse shqiptarët në Maqedoni i vendos në pozitë pa rrugëdalje. Lojaliteti i vetëm që duhet të dëshmojnë partitë politike shqiptare në Maqedoni, duhet të mbetet interesi kombëtar, ruajtja e pozitës së faktorit kyç dhe stabilizues të shqiptarëve në këtë vend si hallka kryesore e çështjes ende të pazgjidhur shqiptare në Ballkan.

(Visited 294 times, 1 visits today)
Share This