PanAlbanica

 

Që pas pavarësimit të Kosovës për vite me radhë, e sidomos në vitet e fundit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës kontrabandohen tekste e regjisorë të huaj të cilët prodhojnë shfaqje me prapavijë politike e që publikut shqiptar ua shërbejnë si produkte me vlera të larta artistike që thyejnë tabutë dhe promovojnë avangardën bashkëkohore teatrore.

Është e qartë se nën ambalazhin e bukur të këtyre shfaqjeve fshihet një përmbajtje e rrezikshme e një agjende që për qëllim ka degradimin e vlerave të luftës çlirimtare dhe devijimin e qëllimit të sakrificës kolektive të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 2008 pas premierës së “Tartufit” nga Molieri, nën regjinë e Rahim Burhan, ku shfaqja paraqiste elemente ku shoqëria shqiptare i ngjasonte asaj afgane dhe pakistaneze, fatmirësisht reagimet ishin të shumta dhe shfaqja hasi në rezistencën e duhur nga komuniteti artistik dhe sfera intelektuale, duke lënë një përshtypje se ‘incidente’ të tilla kulturore, të krijuara me ose pa qëllim, nuk do të gjenin shteg më kurrë në këtë teatër.

Mirëpo, ja që me kaq nuk paska qenë e thënë të mbarojë. Vitin e kaluar u dha premiera e shfaqjes “Bordel Ballkan” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e regjisorit hungarez nga Vojvodina e Serbisë, Andras Urban, e cila shfaqje qysh para premiere, e edhe pas premierës u shoqërua me reagime të shumta nga organizata OVL e UÇK-së dhe nga qytetarë të ndryshëm, por fatkeqësisht këtë radhë në masë të madhe intelektualët dhe komuniteti artistik vendosën të heshtin ose t’ia fusin gjumit dimëror, ani pse shfaqja në mënyrë indirekte implikonte strukturat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veprimtari kriminale duke krijuar edhe aludime të ngjashme me shpifjet e Dick Martyt e Carla Del Pontes. Si duket ky avaz i kontrabandimit të teksteve me tema të ngjashme nuk do të ketë të ndalur në planifikimin e repertorit vjetor të këtij institucioni kulturor, ku sipas të gjitha gjasave në të njëjtën frymë do të jetë edhe inskenimi i tekstit të Sabri Hamitit, që sipas informacioneve të publikuara në portalin “Kultplus” titullohet “Pasioni”. Për publikun janë të njohura dy drama të shkruara nga ky autor “Futa” dhe “Misioni”. Nuk dihet nëse pas “Misionit” ky shkrimtar ka shkruar një dramë tjetër me titullin “Pasioni”, por ajo që dihet është që kjo dramë do të vijë nën regjinë e regjisorit maqedonas Martin Koçovski, i cili për dy vite me radhë angazhohet si regjisor nga ana e udhëheqësisë së TKK-së dhe muzikë të Oliver Josifovskit.

A duhet shoqëria shqiptare të lejojë që në institucionet tona siç është Teatri Kombëtar i Kosovës, të përzgjidhen dhe të vihen në skenë tekste të cilat prekin thellë në plagët ende të pashëruara të Kosovës, duke sulmuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi vlerat e luftës dhe idealin kombëtar për liri dhe pavarësi?

Më poshtë po sjellim opinionin e njërit nga regjisorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, Kushtrim Bekteshi në lidhje me këtë fenomen që po ndodh në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Me sa di unë, asnjë regjisor, qoftë edhe i kalibrit të jashtëzakonshëm në përmasa kombëtare e ndërkombëtare (e në rastin konkret as që bëhet fjalë për regjisor të përmasave të këtilla), nuk ka pasur ekskluzivitetin që dy vite radhazi të fitojë projekt në skenën e madhe të një Teatri Kombëtar (në këtë rast Teatrin Kombëtar të Kosovës). Në raste të veçanta, nëse kjo ka ndodhur ose po ndodh tani, është dashur që ai regjisor t’i ketë sjellë atij teatri një revolucion estetik teatror dhe promovim të vlerave artistike të atij institucioni në nivele prestigjioze ndërkombëtare, që do të ishte më pastaj një motiv dhe arsyetim për t’ia dhënë ekskluzivitetin e angazhimit tjetër menjëherë në vitin e ardhshëm kalendarik (gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur). Çështja tjetër që është edhe më shumë shqetësuese ka të bëjë me përzgjedhjen e teksteve (si për ironi teksteve nga autorë shqiptarë) që ekskluzivisht trajtojnë tematikat e luftës për liri dhe hapin dilema për vlerat e luftës çlirimtare dhe sakrificës së një gjenerate të tërë për ideale kombëtare.

“Koncepti i shfaqjes “Pasioni” është të pyeturit e vetes lidhur me kuptimin e luftës dhe sakrificat që bëhen për qëllime e ideale më të mëdha. Shfaqja vë në pikëpyetje se sa ia vlen të bëhen sakrifica të tillë.” – pjesë nga shkrimi i publikuar në portalin “Kultplus”.

Kjo është më shqetësuese se gjithçka tjetër. Të tjerat pastaj vetëm ia vënë kapakun. Sigurisht dikush do të përpiqet që kësaj qasjeje ndaj këtij fenomeni t’i vesh trajta të paqena duke i dhënë kahe tjetër kësaj problematike: se ka të bëjë me zërat e mosangazhimit të  regjisorëve joshqiptarë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, se kërkohet që ky teatër të jetë hermetik dhe i izoluar nga çdo prurje nga jashtë, e kështu me radhë (siç dinë të flasin në debate të këtilla ata që zakonisht e kanë mizën nën kapuç). Por, kjo s’ka të bëjë fare me këtë gjë. Unë aspak nuk jam kundër angazhimit të regjisorëve joshqiptarë në një institucion kulturor kombëtar, përkundrazi jam shumë pro angazhimit të regjisorëve të huaj kur ata sjellin një metodë të veçantë pune  në procesin e krijimit të një shfaqjeje dhe promovojnë një estetikë të re teatrore që i bën mirë avancimit dhe koloritit artistik të një institucioni teatror.  Por nuk jam dhe nuk do jem asnjëherë dakord me angazhimin e regjisorëve të huaj që nuk i kalojnë përmasat e nivelit mesatar në krijimtarinë e tyre, ndërkaq edhe më shumë jam kundër angazhimit të regjisorëve të huaj të cilët përzgjidhen për të trajtuar ekskluzivisht tema që hapin dilema për vlerat e etabluara të një kombi tjetër, në këtë rast vlerat e luftës për liri dhe sakrificën kolektive për ideale kombëtare të një shoqërie e cila ende jeton me traumat nga okupimi dhe gjenocidi i ushtruar mbi të.

Teatri i tillë humb qëllimin fisnik, sepse nuk ka për synim kryesor krijimin e një vepre artistike, por ka për synim artikulimin e një ideologjie të caktuar duke keqpërdorur teatrin. Çdo shfaqje që për qëllim në vete ka ideologjinë politike apo fetare, nuk përfaqëson vlerë artistike teatrore, as nuk mund të quhet shfaqje teatrore, por emërtohet me një emër tjetër: PAMFLET POLITIK APO IDEOLOGJIK. Teatri Kombëtar i Kosovës më së paku ka nevojë për aventura të tilla dhe eksperimentime të tilla ku si produkt final prodhohen pamflete politike e ideologjike.”

Edhe anëtarët të tjerë të Rrjetit PanAlbanica kanë shprehur pakënaqësitë e tyre përmes rrjeteve sociale. Po i sjellim në vazhdim:

 

Shemsedin Ibrahimi

Krijimi i një modeli të tolerancës, ku shqiptarët në Ballkan janë ata që më së shumti lëshojnë pe dhe bëhen pjesë e skemave të politikave më të mëdha, si duket po përhapet dhe thellohet gjithkund në hapësirën etnike shqiptare. Filloi me muzikën, po vazhdon me teatrin, kurse për politikën as që bëhet fjalë, sepse ajo që moti është përfshirë dhe është pjesë e këtyre skemave të rrezikshme dhe të dëmshme për ne jo vetëm si individ, por edhe si shqiptarë në tërësi. Shqiptarët në Kosovë dhe me gjerë nuk mendoj se pajtohen me këto angazhime politike, aq më tepër kur autorët janë sllav, duke e ditur të kaluarën dhe armiqësitë mes popujve që publikisht nuk thuhen, por ato ekzistojnë me shekuj. Kultura shqiptare është pjesa më sublime dhe më “intime” e jona e cila duhet mbrojtur dhe zhvilluar e jo ta kosmopolitizojmë dhe ta shndërrojmë në diçka të huaj dhe të papërdorshme. Ka shumë regjisorë të mirë shqiptarë, ka shumë talent dhe rini shqiptare, e cila për shkak se në vendlindje nuk mund të gjejnë përkrahje për tu dëshmuar detyrohet të largohet dhe të shpërthej jashtë vendit, ku frytet dhe famën e tyre përveç individualisht ta gëzojnë edhe shtetet, ku ata kanë gjetur përkrahjen.

 

Dritëro Ymeri

Sikur mos të mjaftonte viti i kaluar ku një herë u tundën themelet e Teatrit Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “Eshtrat vijnë vonë” me regji të Martin Koçovskit dhe tekst të Teki Dervishit, që ne të kuptojmë se këtu po zihet diçka që nuk i takon ndërgjegjes së çdo shqiptari të ditur të lejojë që t’i përdhoset shtylla e kulturës, mënyra e jetesës, teatri, sot po na përsëritet e njëjta situatë. Teatri përsëri po e shpërblen “punën e mrekullueshme” të regjisorit Koçovski duke vënë në skenë shfaqjen “Pasioni” (sic!) të Sabri Hamitit. Këtu ka dy gjëra: o gjella ka qenë e shijshme, o neve na janë tharë trutë nga era e asaj gjelle që është përgatitur në kuzhinat sllave. Lind dilema: Vallë na kanë gënjyer këta “shkrimtarë” me shkrimet e tyre në kohë furtunash, me rrahje gjoksi se ata po mbajnë frontin e lirisë ose vërtetë hamë gjellë sllave që na shijon?

Dikur S.H. shkruante: “Kosovë epikë, Kosovë lirikë edhe pas amshimit malli pikë-pikë”. Vallë në ç’kuptim e ka pasur mallin autori? Prandaj në vend që të merremi me kuazikauza për zhvendosje vëmendjeje, le të merremi njëherë e përgjithmonë me thelbin, në rastin në fjalë, instalimin e elementeve sllave në atë që na dhemb më shumë, në kulturën tonë, në trashëgiminë tonë. Prandaj të hapim sytë dhe të shikojmë përtej smogut në “ajër të pastër”, pa çka që ky i fundit ka filluar të depërtoje vetëm aty ku ka interes. Po të ishte ashtu si mendojmë ne, se nuk na duhen regjisorë sllavë për shfaqjet tona, nuk do te reagonte aspak as aparati informativ i shtetit të origjinës së regjisorit, madje me mburrje do të shkruanin: “Nashiot Martin Koçovski bleskashe na Nacionalniot Teatar na Kosovo.” (Martin Koçovski ynë shkëlqeu në Teatrin Kombëtar të Kosovës). Këta e dinin shumë mirë se ku kanë prekur, prandaj edhe kritika e “ashpër” që i dhanë në festivalin e teatrove në Strumicë, se gjoja shfaqja “Eshtrat vijnë vonë” jep mesazhin e “Golema Albanija” (Shqipëria e Madhe) të lë përshtypjen se këta e kanë përgatitur gjellën e famshme dhe vazhdojnë te na e shërbejnë .

 

Xhemazije Rizvani

Është e çuditshme sesi gjithandej po përpiqet të krijohet shqiptari i ri , i modernizuar. Në rrugë, në kafe, në shkollë, në teatër , në universitet, në televizion. Shqiptari i ri është paqësor, nuk e do luftën më shumë së robërinë . Shqiptari i ri do gjithkujt t’i pëlqejë, vuan gjithë natën pse armiku nuk e do. Sepse armiku gjithmonë ka diçka më të mençur se ai, që ia përdor ndërgjegjen si ndërresa foshnjash. Nuk më habit kjo që po ndodhë në Teatrin “Kombëtar” të Kosovës (s’di më a ta quajmë kombëtar apo anti-kombëtar). Këta shqiptarët e rinj shpesh i gjen ndër artistë, sepse janë “pa komplekse” të shkretët dhe mësimin numër një nga “profesorët” e tyre e kanë – s’duhet të keni ind. Ata në vend që të reflektojnë, të sulmojnë kur e thua të vërtetën, se ndryshe gënjeshtra kurrë askujt nuk i dhemb. Në Teatrin e Kosovës ka kohë që luhen shfaqje që vënë në diskutim luftën e Kosovës, që fyejnë luftëtarët, madje dhe të rënët,  idealet, që sajojnë teori për keqpërdorimin e luftës, për biznes dhe këtë e lejon ajo skenë, e lejojnë ata aktorë (bile ka disa që kur e luajnë ushtarin serb, përjetojnë katarzë), e lejon ai publik… Martin Koçovski, do të provokojë për herë të dytë diçka që para tij e kanë bërë shqiptarët, prandaj s’është më fenomen. Gjithçka është e mundur në Kosovën tonë të lirë (të cilën e shesim për pak para).

 

Albulena Halili

Fantazmat e së kaluarës nuk kanë dhënë shpirt dhe po rikthehen trajtash të ndryshme. Mua nuk më habit interesi i regjisorit maqedonas a serb a çfarëdo qoftë ai, se e kam të qartë si kristali këtë strategji – që të arrijnë tek shqiptarët që i njohin, përmes shqiptarëve që nuk i njohin. As nuk më habit që ky regjisori gjen ngjashmëri, mes pjesëve të tij dhe veprës së këtij plagjiatori, i cili të gjitha veprat i ka kopjuar nga veprat e botuara nga Nolit në Beograd. Mua më dhemb heshtja e atyre që dinë e s’bëzajnë. Më habit se si lejuam që gjithë ai gjak të rrjedhë vetëm për të ndërprerë për ca kohë rrugën prej te Jugosllavia në Jugosllavi. Kjo nuk është çështje vetëm teatri, kjo na përket të gjithëve. Shkalla e fajit është në raport të ndërsjellë me vetëdijen e njeriut për gjendjen e tij dhe botën përreth. Ne bëjmë jetë emergjente, ndaj në mungesë të përgjigjes nga institucionet kompetente, çdo zë dhe veprim yni duhet të bëhet kambanë zgjimi. Dhe jo vetëm për këtë çështje. Krejt në fund, ja ku po vërtetohet se arti është krijuar, njashtu si shkenca për t’u shërbyer kauzave, kombeve, interesit kombëtar dhe assesi e kundërta.