Propaganda ruso-serbe kundër UÇK-së
Friday, 8 July, 2016
Kjo Dashuri!…
Sunday, 10 July, 2016

Një NATO e gatshme për një botë të paparashikueshme6 minuta lexim

Logo Warsaw_cmyk

Albulena Halili


 

Në një kohë kur kërcënimi po globalizohet është e domosdoshme që të globalizohet edhe gatishmëria e përgjigjes dhe mbrojtjes në raport me këto kërcënime. Andaj, nevoja për transformim të mënyrës së veprimit dhe përgjigjjes së NATO-s dhe përshtatja e saj me këtë mjedis është e domosdoshme, për të mos thënë lidhet me vetë aspektin ontologjik të aleancës.

 

Samiti i NATO-s që mbahet në Varshavë pritet të jetë samit me rëndësi të madhe historike në 25 vitet e fundit apo edhe që nga themelimi i kësaj organizate. Agjenda e takimit është një agjendë e ngjeshur dhe mjaft e ndërlikuar, duke filluar nga përshtatja ndaj sfidave të ndryshme të sigurisë në shekullin XXI deri te dilemat më komplekse të vendimmarrjes. Përveç se të ndërlikuara, këto sfida janë edhe të paprecedenta siç është edhe mjedisi i marrëdhënieve ndërkombëtare në të cilin jetojmë sot. Përkufizimi më i drejtë i këtij mjedisi, i cili na rrethon sot, është një botë e paparashikueshme që përballet me kërcënime që vijnë nga aktorë të kombinuar shtetërorë dhe joshtetërorë dhe një Rusie e cila, kohëve të fundit po karakterizohet me ambicie që e tejkalojnë fuqinë reale të saj.

Përshtatja ndaj sfidave të mjedisit të ri të sigurisë ndërkombëtare është shumë e vështirë, meqenëse çdo qëllim i ri apo modifikim strategjik duhet të ketë arsyetime të fuqishme dhe mbështetje morale nga anëtarët e saj, gjë e cila në shumë raste ka dështuar që të arrihet.

Në një kohë kur kërcënimi po globalizohet është e domosdoshme që të globalizohet edhe gatishmëria e përgjigjes dhe mbrojtjes në raport me këto kërcënime. Globalizimi i kërcënimeve e bëri NATO-n dhe SHBA-të në veçanti, të mendojnë për një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë. Por, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë në vitin 2014, është vërtetuar se Rusia nuk heq dorë nga doktrina e saj tradicionale, ajo e gjeopolitikës perpetuale dhe rikthimit te historia. Andaj me të drejtë thuhet se shtetet mund të krahasohen me natyrën njerëzore, siç thoshte teoricienti i realizmit klasik, Morgentau. Strategjia e politikëbërjes ruse është kryekëput realiste e mbështetur në teorinë e lojës së shumës zero në raport me Perëndimin dhe Dialogu Melian i Tukitidit mund të shërbejë si një vepër udhërrëfyese në këtë rast. Sfida më e madhe e këtij samiti lidhur me Rusinë është aftësia e Perëndimit për të pranuar realitetin e ekzistimin të dy botëkuptimeve të ndryshme apo mënyrave me të cilën të dy palët e perceptojnë të njëjtën botë, dhe se kjo s’ka ndërruar.

Para mbajtjes së Samitit, Rusia ka akuzuar se Aleanca Veri-Atlantike pëmes këtij samiti po provokon një garë armatimi. Madje Putin është shprehur se NATO kërkon të gjejë tek veprimet e Rusisë pretekst për të pohuar legjitimitetin dhe nevojën e ekzistencën së saj. Në vend të kësaj ai ka propozuar krijimin e “një arkitekture të re për siguri të barabartë dhe të pandashme që do të shtrihet nga Atlantiku deri në Paqësor”. Këto deklarata e mohojnë rendin ndërkombëtar ekzistues unipolar dhe dëshmojnë synimet e Rusisë për t’u bërë ndërtuese e një rendi të ri botëror sipas pikëpamjeve të saj, por në disproporcion me fuqinë e saj të vërtetë. Përderisa akoma nuk është farkëtuar një rend ndërkombëatar i pranuar përgjithësisht, me gjithë rritjen relative të saj, Rusia akoma mbetet vetëm një superfuqi potenciale, ndërkaq rendi ndërkombëtar një rend unipolar.

Sfida tjetër e aleancës ndodhet brenda vetes së saj. Brexit, apo dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ka ndikuar në masë të madhe në unitetin mes shteteve të Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar një rend evropian të mbështetur në politikën e vjetër të kontinentit “Raison d’état”. Paqëndrueshmëria politike e kësaj organizate supranacionale është një indikator i keq edhe për Aleancën e Traktatit Veri-Atlantik, e cila në vete ka të dy komponentët e vetë natyrës së organizatës: atë politik dhe atë ushtarak. Çdo nënvlerësim i njërit apo tjetrit, mund të çojë në dobësim të fuqisë së saj. Kjo sfidë ngjitet edhe më lart në listën e prioriteteve, kur kihet parasysh fakti se Lufta në Siri, implikimi rus në këtë krizë dhe luftimi i saj hibrid kanë shkaktuar valën më të madhe të refugjatëve në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kriza e refugjatëve ka vënë në dukje kufijtë e brishtë të Evropës dhe jokohezionin mes shteteve anëtare të cilët, kishin hequr dorë nga një pjesë e sovranitetit të shtetit të tyre në të mirë të mirëqenies e prosperitetit kontinental.

Krizat e fundit globale kanë bërë jetike nevojën që NATO të mbrohet në shumë fronte, si gjeografikisht ashtu edhe në llojllojshmërinë e veprimeve të saj. Në fillim ajo ka nevojë për krijimin e dy strategjive gjeografike: një strategji të Lindjes dhe një tjetër të Jugut. Përcaktimi i mënyrës së veprimit dhe përgjigjes duhet të përcaktohen nga veprimi dhe mënyra përmes së cilës ajo kërcënohet. Mënyra e deritanishme konvencionale e përgjigjes mund të jetë e zbatueshme vetëm në Lindje, ndaj do të ishte e pranueshme vetëm një rishikim i strategjisë së saj të Lindjes, pa pasur nevojë për krijim të një strategjie krejtësisht të re. Ndërkaq ajo mbetet e papërshtatshme për kërcënimet që vijnë nga Jugu i aleancës, meqenëse ato kanë tendencën e të qenit asimetrike. Andaj, nevoja për transformim të mënyrës së veprimit dhe përgjigjes së NATO-s dhe përshtatja e saj me këtë mjedis është e domosdoshme për të mos thënë lidhet me vetë aspektin ontologjik të aleancës.

Ky samit duhet të shërbejë si forum për të dëshmuar se NATO përkundër sfidave të saj të brendshme u qëndron  në mënyrë të padiskutueshme besnike parimeve mbi të cilat ajo është ndërtuar, solidaritetit mes anëtarëve të saj, kohezionit të brendshëm dhe sigurisë kolektive. Kështu ajo është e aftë t’ju përgjigjet me mënyrën dhe intensitetin e duhur sfidave bashkëkohore të shekullit 21, jo vetëm në hapësirën gjeografike të fushëveprimit të saj por edhe përtej. 

 

(Visited 5 times, 1 visits today)
Share This