Xhemazije Rizvani

Mbresë udhëtimi

Të shkosh patjetër! Për të parë se si një qytet të rrëmben dhe do atje shtëpi të kesh. Fillon dhe ëndërron në qytetin që vetë është një ëndërr, një mbetëreshë që dremit në sup të një mali.

“O Korçë e dashur , për ty këndoj unë serenatë…”, përherë e kemi kënduar edhe përpara se ta shohim, ia e kemi ndjerë në vargje magjinë, në poezi të poetit kur thotë: “nëse kitara s’ka lindur në Korçë, atëherë Korça nga kitara është.“ Korça e abetares së parë, e shkollës së parë, e serenatave, e romancave. Vetëm në Korçë ballkonet kanë kuptim, janë dëshmitare të shumë dashurive poshtë së cilave janë kënduar gjithë ato serenata dhe janë dridhur aq shumë zemra natën vonë. Korça e festivaleve, e karnevaleve, e gëzimit, haresë, kërnackave, birrës së vendit dhe rakisë së pjekur. Korça e Naum Veqilharxhit, Thimi Mitkos, e Çajupit, e Asdrenit… Korça e himnit kombëtar. Korça e Hafëz Aliut, Qiriazëve, e gjithë atyre këngëve që i ka bërë të mbajnë cilësorin e një vendi. Çfarëdo që të thuash për Korçën të duket pak. E kanë quajtur Paris të vogël, i kanë thurrur gjithë ato lavde e vjersha, e kanë lartësuar për besën dhe mikpritjen. Njeriu fisnik i këtyre anëve thotë se më së shumti në siklet është ndier, kur s’e ka pritur mikun siç ka dashur, por siç ka mundur. Nëse trupi shqiptar do të kishte një zemër, pa dyshim ajo Korça do të ishte. Korça të bën të ndihesh si në shtëpi. Sapo futesh në të gjen njerëz të ngrohtë, me shije të kultivuar që e kanë ruajtur po atë fisnikëri. Edhe kur flasin, korçarët këndojnë.

Në Korçë të shkosh patjetër, por të shkosh në kohën kur mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “KoKo Fest” i lexon ata njerëz me entuziazëm. Ndiqe vitin tjetër këtë festival dhe ke për të parë etjen e njerëzve për kulturë. Në një teatër që është në rikonstruksion, që po të jesh nga fundi i sallës dhe përjashta bie shi të vështirësohet dëgjimi, po të jesh anësh merr të ftohtët dhe sëmuresh keq për sa kohë zgjat festivali. Jam e sigurt se në të gjitha qytetet tjera shqiptare në ato kushte jo vetëm që s’do të mbushej salla, por askush nuk do të rrezikonte të futej. Publiku korçar jo vetëm që e ndiqte përnatë këtë festival, po dhe futej gjysmë ore më herët për të siguruar një vend, sepse në kohën kur fillonte shfaqja, një pjesë e madhe ngelej në këmbë. Kurrë s’kisha parë dashuri të tillë për teatrin. Publik kritik që di kur qesh, e kur hesht, kujt i duartrokitet dhe kur duartrokitet. Publik i mençur që i respekton deri në fund artistët, u ngrihet në këmbë. KoKo Fest-i ishte nën udhëheqjen e drejtoreshës Zamira Kita, për të cilën gjithandej flitej për drejtimin e mirë të punëve në këtë institucion. Ndoshta pse është aktore edhe vetë dhe më mirë se ajo nuk e di ç’i duhet një teatri për të qenë teatër. I pranishëm në sallë ishte dhe zëvendëskryeministri Niko Pelleshi, ish-kryebashkiaku i Korçës të cilin drejtoresha e Teatrit të Shkodrës Rita Gjeka, e vuri para aktit të kryer ngaqë publikisht e denoncoi bisedën e mëhershme me të kur i kishte premtuar se do ta ndihmonin dhe Teatrin e Shkodrës për rikonstruksion. Ja, kështu bëhen këto punë. E para, zgjidhni një të profesionit për udhëheqje teatri dhe e dyta, le të jenë femra të zgjuara si Zamira dhe Rita që punojnë me përzemërsi pa nevojë përfitimesh materiale. Në natën e fundit të festivalit publiku dhe gjithë pjesëmarrësit e shfaqjeve garuese prisnin në ethe vendimin e jurisë, të përbërë nga emra të mëdhenj aktorësh si: Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Refet Abazi, Bujar Lako e Ema Andrea. Juria njëzëri vendosi që pothuajse të gjitha çmimet t’ia ndanin shfaqjes „Shërbetori i dy zotërinjve“ të Teatrit të Prizrenit, e cila u shpall edhe shfaqja më e mirë e festivalit. Po ashtu edhe regjisorit që e kishte vënë në skenë këtë vepër, Kushtrim Bekteshit nga Shkupi iu nda çmimi për regjinë më të mirë. Për aktorët e mrekullueshëm të kësaj shfaqjeje shkuan edhe katër çmime tjera, edhe atë për: Ernest Malazogun (aktori më i mirë në rolin kryesor), Xhejlane Tërbunjën (aktorja më e mirë në rolin kryesor), Muhamed Arifin (aktori më i mirë në rol dytësor) dhe Hajat Toçillën (artistja e re më e mirë). Dy çmime të tjera shkuan për aktorët Rita Gjeka (aktorja më e mirë në rol dytësor) dhe Nikolin Fërketa (për artistin e ri më të mirë), që të dy aktorë në shfaqjen “Danimarka – toka jonë” të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Juria ndau edhe një çmim special për Niki Petritin, për kompozimin e kolonës zanore në shfaqjen “Doktor Shuster” të teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, shfaqje kjo e përgatitur nga regjisori nga Qëndrim Rijani nga Kërçova. Pra, gjithsejt nëntë shfaqje ishin në zemër të trupit shqiptar.

Pasi përfundojnë emocionet e përzgjedhjes mes gjithë asaj dyndjeje, takon njërëz nga krejt qytetet shqiptare dhe më pas vjen festa me miq, me kitarë, diku afër bulevardit “Republika”. Një rrëqethje, një ndjesi e rrallë. Ky ishte bashkimi, ajo ëndrra e kahmotshme shqiptare që ndodhte brenda një ëndrre me emrin Korçë. Mikel Bica një këngëtar korçar me dy të tjerë na shtruan pak serenata „nga shtëpia“ si mikëpritës që dinë të jenë, dhe natyrisht asnjë korçar nuk të lë të largohesh pa e dashur atë qytet magjik ku përherë lë diçka prej vetes, diçka të rëndësishme që do të të bëjë të kthehesh e ta kërkosh.

Kapaku i mbrëmjes ishte kur filluan këngët për Prishtinën që pak i njihnin andej, dhe ca këngë që ata i këndonin dhe që ne të këtej kufijve pak i njihnim. Zëri na shkonte për mrekulli bashkë, por çka të këndonim kur pak ishim dëgjuar, fare pak ishim njohur e shumë e kishim dashur bashkimin pa bërë gjë për të. Ajo tavolinë fliste shumë, një komedi e zezë po luhej jashtë garës së madhe të skenës. Por, sakaq, kitara i nxori ca tinguj qe paralajmëronin atë këngën që u këndua njëzëri “Dua më shumë Shqipërinë…”. Oh perëndi! Nuk e imagjinoni dot! Zërat vinin prej gjithandej, nga shkallët si në teatrot antikë, nga e majta – e djathta, lart- poshtë, një zë hyjnor shquhej në tymin e duhanit që ngjante me retë ballkanike, ishte zëri i Kelit. Ndryshe kishim dashururar gjithçka, ne vinim nga qytete pa serenata, po kur përmendet Shqipëria bëhemi një zë, një gojë, e duam siç dashurohet nga malli, siç nuk e kanë dashur ata që përherë e kanë pasur, që kurrë nuk iu ka munguar. Tashmë fjalët mjegullojnë në retë ballkanike, nuk mundem asgjë, s’mundem ta trupëzoj atë ndjesi të atyre netëve korçare. Vetëm u përpoqa më kot. Asaj mbrëmjeje isha lodhur duke pirë, dehja filloi që në momentin e krekosjes në kalimin kufitar Qafëthanë ku përherë tregoj vetëm kartën e identitetit dhe pëshpëris “Në djall kufijtë!”. Atje shemben ata. Shkoni në Korçë më mirë! Shkoni në shtator kur mbahet Koko Fest-i dhe keni për të parë për çfarë po ju flas.