„Rini, thueja kangës ma të bukur që di„

 

E rinia di vetëm këngën e trishtimit, të melankolisë, të dorëzimit. Rini plakë që mendimet i ka si puçrrat e këqija të pubertetit. Nëse doni ta ndryshoni botën, thonë që së pari duhet ta frymëzoni rininë. Frymëzimi i tyre jemi ne, që në vend të kritikave, duhet të japim modele.

Të rinjtë nuk e duan jetën. Vuajnë nga sindroma e depresionit kronik. I thoni një të riu t’ju listojë ca arsye përse duhet dashur jeta dhe do ta shihni se s’kanë asnjë. Pyesni përse akoma janë gjallë, përse akoma nuk e kanë vrarë veten? Ballafaqojini me jetën, me të vërtetën. Ndihmojini të jenë në sot dhe në tash. Nxirrni nga „parajsat artificiale“ ku janë katandisur  si strucë egoistë, pa kurrnjë arsye.

Frymëzojeni rininë!

U thoni se jeta s’ka për të ndryshuar, janë ata që do të ndryshojnë . S’ka për t’u bërë kurrë e lehtë,  por janë ata që do te bëhen më të fortë.  Ata mund t’ia dalin, përderisa i mbijetojnë çdo ditë tetëorëshit shkollor . U thoni se vuajtja i bën burra, i bën njerëz. U thoni ta përdorin fjalën e saktë, për ndjenjën e saktë. Le të përdorin fjalën  „nuk dua„ në vend të fjalës  „nuk mundem„, „nuk jam përpjekur sa duhet„ në vend të fjalës „nuk di„. Trandeni shpirtin dhe mendjen e tij. Alkooli dhe droga nuk u japin fund problemeve. As koha i ndryshon gjërat, në qoftë se ata nuk vënë gisht mbi to.

Ndizni motorët!

Rini, zgjidh ku do të mbërrish dhe nisu!  Është ora jote!

Rruga do të jetë e vështirë, prandaj duhet ta bësh pikërisht ti. Po të ishte e lehtë, të gjithë do ta kishin bërë.

Dashurohu me veten sot dhe ndërgjegjësohu!

O brezi i demokracisë, i patatinave dhe i Facebook-ut, plotësoni mangësitë që keni, njihi vlerat kombëtare që përditë po të vihen në diskutim nga tendenciozët keqbërës që jua kanë shuar ndërgjegjen. Më thoni  cili komb në botën moderne i ka kthyer shpinën historisë?! Është më shumë se e tmerrshme t’i shtrosh një pyetje historie a gjeografie për Atdheun, një të riu. Ata shëtisin botën, por nuk njohin Atdheun e tyre. Nuk e duan Atdheun e tyre. E si mund te duan diçka që nuk njohin?!

O brez i humbur thellë në ekranet e telefonave, kompjuterëve, i –pad-eve , mjaft imituat atë që ju pëlqeni dhe ju bën perëndimor. Krijoni diçka tuajën për ta imituar të tjerët. Gjithë jetën do të mbeteni  kopjues të shkollës dhe të huajës. Çka do të ngelet prej jush në këtë botë, përveç shumimit të vetvetes, që mund të jetë një dëm  global?!

O ti i ri, që kujton se i di të gjitha, që më shumë shërbehesh me Google-n se librin. Je një brumë pa tharm, që do “diplomën”, por jo dijen.

Është koha t’i ndizni motorët!

Ju duhen tri lloje antidepresantësh, urgjentisht:

libra historie, libra letërsie dhe  krejt të tjerët.

* Në fund të rrugës ka për t’ju pritur një Malarme,  që do t’ju thotë diçka për jetën  dhe librat, por ju mos ia vini veshin.

Thueja kanges rini … !

Xhemazije Rizvani

Është pedagoge e gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Tetovës dhe në Shkollën “Woodrow Wilson” në Tetovë. Aktualisht është në përfundim të tezës së magjistraturës me temë “Intertekstualiteti në poezinë bashkëkohore shqipe”. Shkruan poezi e tregime. Është autore e disa artikujve, eseve dhe studimeve të botuara nga fusha e letërsisë.