Në Kosovë kjo temë bëhet edhe më e ndërlikuar për arsye të polarizimeve që janë shfaqur në shoqëri pas pavarësisë dhe që pa mëdyshje ndikojnë në opinionin publik lidhur me relacionin komb-shtet, gjë që pa pasur fare nevojë, por qëllimshëm është duke u imponuar si krizë e identitetit kombëtar.

 

Çdo mëngjes të secilës ditë pune, pesë minuta para fillimit të mësimit, nxënësit amerikanë ngihen në këmbë dhe të drejtuar nga flamuri me vija kuq e bardh e me yje në sipërfaqen e kaltër, bëjnë betimin e flamurit. Pastaj, me dorën e djathtë të vendosur mbi zemër, këndojnë me zë himnin kombëtar. Këtë gjë e bëjnë si yllkat, të cilat zor se i kuptojnë fjalët që i thonë, ashtu edhe fatosat, të cilët tanimë kanë filluar t’i shtjellojnë konceptet e para të mësimit të kësaj simbolike.

Kjo traditë mund të perceptohet si jo e zakonshme për kohën, e çuditshme, madje edhe e tepruar, por për amerikanët është gjëja më normale në botë. Një ritual i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit çdo ditë demonstrohet respekti për simbolet e historinë kombëtare, si dhe dashuria ndaj atdheut.

Nëpërmjet portretizimit të personaliteteve të shquara dhe përshkrimit të ngjarjeve që kanë përcaktuar rrjedhën e historisë së vendit, në mënyrë teorike dhe brenda aktiviteteve të tjera shkollore, nxënësve u mësohen shtyllat e atdhetarizmit.

Duke mbajtur të gjallë historinë e vendit, duke ua ngulitur në mendje se të drejtat e njeriut janë të drejta natyrale dhe jo të drejta që atyre ua jep qeveria, duke ua shpjeguar atyre detyrat që qytetarët kanë ndaj atdheut, duke i mësuar se si të jenë qytetarë të devotshëm dhe rëndësinë e trashëgimit të kësaj ideje (patriotizmit kushtetues), në sistemin amerikan të arsimit janë inkorporuar strategji përkatëse për t’u siguruar se fëmijët i kanë përvetësuar njohuritë mbi vlerat dhe virtytet që i karakterizojnë ata si qytetarë patriotë.

Mësimi mbi historinë e qytetërimit amerikan, por edhe simbolikën dhe kuptimin e saj, shtrihet edhe në lëndët e tjera, qoftë në lëndët hibride, ku përfshihen, për shembull, historia, gjeografia dhe edukata qytetare, por edhe në lëndën e artit figurativ, muzikës dhe aktiviteteve sportive. Vetëm sa për ta ilustruar: të alarmuar nga anketat, sipas të cilave, megjithatë, shumë amerikanë nuk e dinë tekstin e himnit kombëtar, Asociacioni Kombëtar Amerikan i Edukimit Muzikor para disa vitesh kishte rikthyer “Projektin e himnit kombëtar”, me qëllim që  të nxisë vetëdijen për nevojën e edukimit muzikor në shkolla dhe rolin e tij në të mësuarit e himnit kombëtar dhe të këngëve të tjera patriotike.

E gjithë kjo ndodh duke u nisur nga mendimi se fëmija nuk lind i shkëputur nga historia, por lind në histori. Se njeriu, ndonëse në momentin e lindjes nuk ka kujtime për të kaluarën e tij, gjendet midis një tregimi të filluar para se ai të vinte në jetë dhe para se të bëhej një nga personazhet e atij tregimi.

Me gjithë faktin se sistemi arsimor amerikan nuk është i centralizuar, se edhe vetë shtetet federale kanë autonomi arsimore, shumë shkolla kanë inkorporuar këto rituale të cilat është dëshmuar që janë frymëzuese për të qenë qytetarë të lirë dhe qytetarë atdhedashës. Ato janë përqafuar edhe më fort nga emigrantët me prejardhje nga vende ku janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme të drejtat dhe liritë e njeriut.

Duke ua mësuar fëmijëve historinë dhe sakrificat e mëdha që individët, apo grupet e individëve, kanë bërë për të fituar dhe mbrojtur lirinë e tyre, ngrihet vetëdija se vlerat dhe liritë që fëmijët i gëzojnë sot, nuk janë arritur rastësisht dhe pikërisht mësimi për domethënien e këtyre simboleve kontribon në kuptimin e idesë së të qenit i lirë. Në qoftë se fëmijët mësojnë ta duan dhe ta çmojnë atdheun e tyre nëpërmjet aktiviteteve për vetëdijësim, ata do të jenë më të prirë të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, qytetarë aktivë në bashkësinë e tyre, në shtetin e tyre dhe në botë. Për më tepër, mësimi i atdhedashurisë është çështje kolektive, sado jetik të jetë vetëdijesimi individual për të.

Bashkëshortja e zëvendëspresidentit amerikan Dick Cheney, Lynne V. Cheney, në një raport të publikuar gjatë kohës që kishte shërbyer si udhëheqëse e Fondacionit Kombëtar për Studime Humane, kishte paralajmëruar për pasojat e mosbartjes në shkolla të njohurive për të kaluarën, duke theksuar se: “Një sistem arsimor, i cili dështon në mëkimin e kujtesës për të kaluarën, u mohon nxënësve të tij gjëra thelbësore: kënaqësinë e një mendimi të pjekur, lidhjen me brengat e vazhdueshme, këndvështrimin mbi ekzistencën njerëzore.” Të qenit qytetar patriot sipas këtij botëkuptimi nuk e nënkupton në asnjë mënyrë lartësimin e vetes mbi të tjerët, siç keqkuptohet dhe keqinterpretohet kjo (jo rrallë qëllimshëm) sidomos në vendet ku kujtimi për luftën është akoma shumë i freskët.

Në hapësirën ballkanike, të banuar me kombe e popuj të ndryshëm, të cilat kanë një histori të mundimshme për shkak të luftërave të vazhdueshme midis tyre, është pothuajse e pamundur të tematizohet çështja e atdhedashurisë, pa u interpretuar me automatizëm dhe në mënyrë të gabueshme si nacionalizëm ekskluziv.

Në Kosovë kjo temë bëhet edhe më e ndërlikuar për arsye të polarizimeve që janë shfaqur në shoqëri pas pavarësisë dhe që pa mëdyshje ndikojnë në opinionin publik lidhur me relacionin komb-shtet, gjë që pa pasur fare nevojë, por qëllimshëm është duke u imponuar si krizë e identitetit kombëtar.

Shikuar përtej simbolikës, si u duhet mësuar, pra, fëmijëve historia dhe dashuria ndaj atdheut – për shembull në Kosovë – kur gjysma e fëmijëve të këtij vendi e ka përjetuar vetë luftën e popullit për të qenë i lirë? Thjesht duke ua treguar të vërtetën. Pa zbukurime. Pa zmadhime. Pa demonizime. Të vërtetën lakuriqe. Të vërtetën, mohimi i së cilës do të na ndiqte si mallkim! Në vazhdim vetëm disa ide:

Fëmijëve u duhet mësuar historia jo vetëm si lëndë mësimore me orientim nga kompetencat e arritura, por duke iu ofruar nxënësve hapësirë për të nxitur dhe formuar mendimin kritik. Duke marrë parasysh faktin se mësimi i historisë mundëson, ndër të tjera, edhe shqyrtimin e ambivalencave të vendimeve politike, efekti i të cilave në të ardhmen është vështirë i parashikueshëm, kjo del të jetë shumë e rëndësishme në kohëra krizash të mëdha politike.

Fëmijëve u duhet mësuar se historia nuk rishkruhet sipas nevojave politike të kohës dhe është detyrë e historianëve që të kujdesen që shënimet mbi të vërtetat e tanishme (historisë të së ardhmes) të mbahen mbi bazën e fakteve, në mënyrë që tregimet për të kaluarën të mos mbesin gojëdhëna, ose në rastin më të keq të shndërrohen në mite. Fundja ne mjaft jemi ankuar se historinë na e kanë shkruar të tjerët, apo se për zhvillime të caktuara në të kaluarën mungojnë të dhënat e shkruara.

Duhet mësuar fëmijët të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe të devotshëm, duke ua demonstruar me vepra dhe jo vetëm duke ua shpjeguar me fjalë se duhet treguar respekt dhe mirënjohje për njerëzit e shquar të shoqërisë, të cilët kanë kontribuar në lirinë dhe të drejtat që i gëzojmë ne sot.

Fëmijëve u duhet demonstruar me vepra se vota në një demokraci është e lirë dhe e drejtë legjitime që duhet shfrytëzuar, ashtu sikurse është legjitim kërkimi i llogarisë nga përfaqësuesit e zgjedhur, në mënyrë që të funksionojë demokracia dhe shteti i së drejtës.

Fëmijëve u duhet demonstruar me vepra që ligjet dhe rregullat e vendosura nga qytetarët që ne i kemi zgjedhur për të na udhëhequr duhen respektuar.

Fëmijët duhet mësuar se mund të mos pajtohen me qëndrimet apo veprimet e udhëheqësve të zgjedhur të institucioneve, por që institucioni duhet respektuar, sepse gjenerata të tëra para nesh ia kanë dedikuar gjithë veprimtarinë e tyre jetësore, madje edhe vetë jetën, ngritjes së atyre institucioneve.

Fëmijët duhet mësuar që në kuadër të një vizite në komunë, të mos kënaqen vetëm me faktin që e kanë parë zyrën e kryetarit, por edhe të kërkojnë përgjegjësi nga ai nëse rruga që ata përshkojnë për të shkuar në shkollë nuk ka shteg për këmbësorë dhe nuk ofron sigurinë e domosdoshme për fëmijë.

Duke u shkëputur nga mendimi individual dhe duke nxitur ndjenjën kolektive, fëmijëve u duhet demonstruar se të bëhesh qytetar i përgjegjshëm do të thotë që, së bashku me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, të kontribosh, për shembull, në ndërtimin e pullazit të një shkolle publike, pasi shkolla si godinë mund të jetë në pronësi ligjore të Komunës, por si institucion i shërben qytetarëve të saj.

Duhet t’i mësojmë fëmijët se trashëgiminë kulturore të një populli nuk e përbëjnë ekskluzivisht monumentet fetare; se traditat dhe zakonet popullore, edhe pse në kohëra të caktuara duken të dala mode, kanë një domethënie dhe duhen kultivuar, për arsye se janë dëshmi e zhvillimit tonë qytetar.

Atyre duhet t’u sqarohet hapur se pse Kosova, për shembull, ka një flamur shtetëror të ndryshëm me atë kombëtar. U duhet shpjeguar pse flamujt, pavarësisht të cilit komb janë, nuk shqyhen, nuk përdhosen.

Fëmijët duhet mësuar se gjithashtu atdhedashuri do të thotë që për detyrat, zgjidhja e të cilave i kapërcen mundësitë tona, duhet kërkuar mbështetje, pa u hamendur në mënyrë kryeneçe se u duhet vënë kapak vetëm sa për të qenë.

Kur të kemi kuptuar konceptin e kohës, do të jemi vetëdijesuar se e tashmja jonë është rezultat i bëmave tona në të kaluarën. Koha, popullit të Kosovës i ka përcaktuar fatin që përpjekjet shekullore për liri (tregim i filluar shumë më përpara) t’i kurorëzojë me shpalljen e pavarësisë dhe vënien e themeleve të shtetit. Të rinjtë shqiptarë e kanë këtë potencial dhe për këtë nuk duhet të ketë dyshime. Në vend të kësaj, me vigjilencë dhe me fuqi intelektuale, duke ndjekur politika kohezive, ata duhet udhëhequr dhe shoqëruar drejt arritjes së aspiratave shtetërore.

Përcaktimi i kahes politike është shumë më e lehtë, krahasuar me rrugën që dëshirojmë të ndjekim si shoqëri përparimtare. Nuk duhet lejuar që fëmijët të krijojnë përshtypjen e gabueshme se hapja ndaj botës, pjesëmarrja në ekonominë globale dhe integrimi në strukturat euro-atlantike nënkuptojnë shkrirjen e identitetit kombëtar a kulturor.

Përkundrazi, vlerat gjuhësore, kulturore dhe sociale për një shoqëri moderne janë të paktën njëjtë të rëndësishme sa vlerat e përgjithshme ekonomike, demokratike dhe ligjore, të cilat janë shtuar si detyra për t’i integruar në sistemin e vlerave të përgjithshme. Mirëpo, nuk duhet harruar se ato, sikurse edhe liria e arritur nëpërmjet sakrificave të mëdha, nuk janë të garantuara përjetësisht. Ato vlera duhet promovuar dhe përsosur në vazhdimësi, duhen ruajtur dhe duhen mbrojtur për të mos rënë në grackën e vetëmohimit dhe për mos lejuar që historia e dhimbshme të përsëritet.

Fëmijëve, në radhë të parë, u duhet mësuar respekti për veten dhe kultura për punë të vazhdueshme për Shtetin, duke e rikujtuar parimin që e ka vënë Herderi duke thënë me të drejtë: „Ta ndjekim rrugën tonë… Le të flasin njerëzit mirë apo keq për kombin tonë, për letërsinë tonë, për gjuhën tonë: ato janë tonat, janë vetja jonë, e kjo është e gjitha”.

Ramize Ferati

Pas studimeve në fushën e përkthimit dhe letërsisë gjermane në Institutin e Gjuhëve dhe Përkthimit në Munih dhe në Universitetin e Prishtinës, Ramize Ferati karrierën e saj e ka nisur në vitin 2002, si mësimdhënëse në Shërbimin Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) në Prishtinë. Në kuadër të angazhimit të saj shumëvjeçar si përkthese-interprete në organizata dhe institucione ndërkombëtare, nga viti 2007 është përqendruar në fushën e diplomacisë, politikës si dhe të drejtave të fëmijëve. Së fundmi ka qenë angazhuar si mësimdhënëse në Webster Public Schools në shtetin federal Massachusetts të SHBA-ve dhe i është përkushtuar pedagogjisë me theks të veçantë në rolin e arsimit në zhvillimin e shoqërisë. Ka përkthyer dhe shkruar një sërë artikujsh, studimesh e hulumtimesh nga fusha e diplomacisë dhe publicistikës.