Pjesa e dytë

Teza për vendosjen e të folmes së Elbasanit në bazë të gjuhës së shkruar shqipe nuk është pranuar pa kundërshtime nga Komisia Letrare e Shkodrës. Një diskutim i veçantë u përftua për tekstet e përkthimeve të Kristoforidhit. Vetë Gjergj Pekmezi ishte i vetëdijshëm, se gjuha e përdorur nga Kristoforidhi nuk ishte thjesht trajta e shkruar e të folmes së Elbasanit, ndërsa Sotir Peci shtonte, se ishte një gegërishte e përzier. Rrjedhimisht, para se të vinte Nahtigali, puna e KLSH dhe debatet kishin ecur përpara dhe kryesorja ishte, se drejtshkrimi u lidh me çështjen e gjuhës së përbashkët që më 21 nëntor 1916; në fund të janarit 1917 ishin përgatitur Parimet e rregullat e drejtshkrimit; në shkurt u përcaktuan parimet për terminologjinë. Por ndihej qartë se nevojitej një njohje më e mirë në terren dhe më 3 mars u vendos që të dërgohej me grupin edhe Ndre Mjeda. Pas kthimit nga Elbasani Nahtigali dorëzoi raportin gjermanisht dhe u largua pa marrë pjesë më tej në mbledhjet e Komisisë, sepse Promemoria e tij ishte ende gjermanisht. Komanda austriake i dërgoi një letër Komisisë, të cilën ajo e diskutoi dhe pranoi më 27 qershor, që raporti të botohej, por nuk më del të jetë shtypur gjë. Kjo renditje kronologjike është me rëndësi, se jep mundësinë për ta argumentuar përfundimin, që Nahtigali nuk ishte thirrur për të marrë pjesë në punimet e KLSH, por për të bërë një ekspeditë dhe pastaj për të hartuar atë, që ne e quajmë sot oponencë kundrejt përfundimeve të arritura prej saj.

Promemorien e përktheu shqip Ndre Mjeda dhe u lexua më 3 korrik. Ashtu siç e do rregulli, pas një jave nisi diskutimi i saj. Luigj Gurakuqi paraqiti vërejtjet e veta, ndërsa Maksimilian Lamberci që më 4 korrik kishte shtjelluar se si ishte tërhequr për vete nga këmbëngulja për të vënë në bazë të folmen e Shkodrës dhe kishte pranuar të folmen e Elbasanit: “si themel për gjuhën e përbashkme, ase për gjuhën e shkrimit, d.m.th. si gjuhë zyrtare e ndërmjetshme, e cila do të përdoret paskëtaj si ndër dhanjet zyrtare, ashtu edhe ndepër shkollat shqipe.” Një javë më pas, duke vijuar kundërshtimet ndaj Promemories së Nahtigalit, ai hodhi poshtë edhe disa zgjidhje të dhëna në gramatikën e Sami Frashërit. Ecuria historike ka dëshmuar, se zgjidhjet e Lambercit nuk gjetën vend në drejtshkrimin e shqipes.

Gjermanisht Promemoria është botuar më 17 gusht 1917 me titullin Die Frage einer einheitlichen albanischen Sprache dhe brenda ka një Parathënie, ndërsa para titullit tashti është shtuar PROMEMORIA. Vetë autori e ka quajtur një raport specialisti, një ekspertizë siç i thonë sot, ose një recension teknik, që do t’i shërbente punës së mëtejshme të Komisisë. Dhe me të vërtetë, kur u vendos rishtypja e Rregullave të drejtshkrimit më 24 shtator 1917, u vu në dukje se ishin bërë disa përmirësime, duke u mbështetur edhe në kërkimet e ekspeditës në Elbasan, e sidomos për zgjidhjen e rasteve me dysorë, por pa sjellë ndonjë ndryshim themelor. Thelbi i gjithë trajtesës së Nahtigalit është argumentimi për të zgjedhur gjuhën e Shqipërisë së mesme për një varg arsyesh, duke përfshirë edhe anën gjeografike, si dhe nga mishërimi i lëvruar i saj në tekste prej Konstandin Kristoforidhit dhe prej autorësh të tjerë. Natyrën e një oponence këtij materiali ia japin edhe shpjegimet plotësuese në një Shtojcë, e cila zë më shumë se një të tretën e tij.

Punime të tjera lidhur me shqipen të Rajko Nahtigalit janë vetëm tre: Artikulli i shkurtër që u përmend i 28 prillit 1917 për pronorët e shqipes; punimi “Mbi alfabetin e Elbasanit dhe literaturën e shkruar me të” botuar më 1923; Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spiridon Celio (Çelo) nga Gjirokastra”, botuar më 1925. Titulli i punimit të dytë është me një përkthim të papranueshëm në botimin e Prishtinës më 2015, sepse nuk ka në gjuhën shqipe ndonjë fjalë “letërshkrim” për literaturën. Për shkrimin e fundit e kam shqyrtuar hollësisht rastin e vëllezërve Çelo, të J. Kopitarit dhe D. Obradoviqit në librin Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827, botuar më 2012. Përfundimi im ka qenë, se dorëshkrimi i vëllezërve Çelo u përket viteve 1827-1828.

Gazeta “Posta e Shqypnies” më 3 tetor 1917 ka botuar një njoftim, se pranë universitetit të Gracit ishte krijuar një Institut Ballkanologjik dhe nën drejtimin e R. Nahtigalit do të jepej mësim gjuha shqipe. E hetova këtë pikë në Grac dhe nuk gjeta asnjë gjurmë të një instituti të tillë, as dhe të dhënies së shqipes nga ana e Nahtigalit.

Ndihmesa e Nahtigalit është quajtur e dobishme si në vitin e vizitës në Shqipëri, edhe më pas. Gazeta “Posta e Shqypnies” më 31 tetor e ka njoftuar daljen e broshurës së Nahtigalit dhe ka dhënë një përmbledhje të shkurtër shqip. Pasi e quan një autor të zellshëm, shton se e ka shtjelluar me mjeshtëri të madhe trajtesën e vet “si mund të pritej prej mendjet t’kthjellt t’nji Nachtigalit. Tue botue i famshmi dietaar ket vepër, i ka ba letratyrës shqype e kombit shqyptar nje sherbim t’madh.” Kongresi Arsimor i Lushnjes më 1920 përsëriti pothuaj të njëjtën kërkesë si katër vjet më parë nga Shkodra: “të thërrasi sa ma shpejt prof. R. Nahtigalin për të punuem bashkë me Komisinë Letrare mbi themelimin e nji gjuhe të përbashkme”. Ndoshta këtë herë nisma ka dalë nga A. Xhuvani, i cili ishte edhe kryetar, por tashmë gjuhëtari slloven ishte në Lubljanë, ku ishin jo të pakta ndërlikimet pas shkëputjes prej Austro-Hungarisë dhe nuk erdhi më në Shqipëri. Ftesa është njoftuar po me ato fjalë te “Kumtari arsimuer” në prill 1921.

Meqë kërkesa është përsëritur edhe më vonë nga A. Xhuvani, ka reaguar Karl Gurakuqi (më 1928): “Ç’bani dr. Nachtigalli, që qe thirrë prej Komisis Letrare të Shkodrës? Vajti në Polis të Elbasanit për me pam a ishte gjuha e Kristoforidhit ende gjallë në popull, e kurgja tjetër.” Siç shihet, ka pasur edhe ndonjë kundërshtim ndaj vlerës së ndihmesës të Nahtigalit. Kur thotë se Nahtigali vajti në Polis, K. Gurakuqi gabon, së pari për arsyen se ai ndenji në Elbasan dhe nuk ishte e nevojshme të shkohej në Polis për të parë ai ishte gjallë gjuha e shkruar e Kristoforidhit. Së dyti, dijetari slloven kishte ardhur për një qëllim më të përgjithshëm, për të bërë oponencën e punimeve të Komisisë Letrare. Këtë herë në debat u përfshinë edhe autorë të tjerë, prandaj A. Xhuvani u përgjigj në janar 1929, duke mos u druajtur ta shprehte, që disa dijetarë të huaj ishin me përgatitje më të lartë dhe pikërisht ky kishte qenë argumentimi edhe më 1917. Ai shkruante: “Më vjen liksht të trajtonj, kur shpërçmohet puna e njëj të huaji të diçmë, si të Nachtigallit, bie fjala: unë kam punue me Nachtigallin për disa ditë dhe e tregonj pa u poshtëruar, se kam fituar mjaft nga ay.”

Pasi ishte vënë në zbatim kërkesa për të ndjekur shqipen e mesme në punët shtetërore, L. Naraçi ka kërkuar më 1938 që të ribotoheshin Vendimet e Komisisë Letrare dhe “Promemoria” e Nahtigalit dhe e kolegëve të tij, madje e ka përsëritur kërkesën edhe në gusht te po ajo gazetë.

Idriz Ajeti i ka bërë nderimin e duhur pikërisht në vitin e vdekjes më 1958.

Albanologia A. V. Desnickaja (1968) ka gabuar datën, duke e quajtur se Nahtigali erdhi në Shqipëri më 1916, ndërsa si të vetmin argumentim të tij në të mirë të së folmes elbasanase sjell faktin, se ai u mbështet në të dhënat e prefekturës për rolin e tregut, ku vinin njerëz nga shumë krahina dhe tregtarët elbasanas luanin rolin e “përkthyesve”, meqë të folurit e tyre kuptohej prej të gjithëve. E quan dëshminë e Nahtigalit më të saktë sesa të Pekmezit lidhur me ruajtjen e togjeve ‘mb’, ‘nd’, ndërsa i sheh si fragmentare e të paqarta dallimet e përmendura ndërmjet folësve myslimanë dhe ortodoksë të qytetit.

Disa herë është shkruar, se Nahtigali ka marrë pjesë në Komisinë Letrare. Kështu është shprehur Fadil Raka (1997): “Në punën e Komisisë Letrare morën pjesë edhe dy albanologë të huaj: R. Nahtigal e M. Lamberc, i pari nga Graci i Austrisë e i dyti nga Vjena”. (f. 179) Këtë të dhënë e ka marrë nga J. Kastrati (Për historinë e ortografisë shqipe, “Përparimi”, 1971, nr 7, 607). Të njëjtën gjë e ka përsëritur fjalë për fjalë më 2010 (f. 147). Po këshu Sh. Krasniqi (2004) thotë: “Në mbledhjet e mëvonshme morën pjesë edhe të ftuar të tjerë… prof. Rajko Nahtigal (albanolog).” Për më tepër, ai e ka titulluar një ndarje të Kapitullit VII: “Kontributi i Rajko Nahtigalit në Komisinë Letrare”, ndërsa synimi kryesor i këtij shkrimi nga ana ime, është që të vërtetohet se kjo nuk qëndron, aq më pak që të barazohet me pjesëmarrjen e mirëfilltë si anëtar të M. Lambercit. Nga ky këndvështrim nuk do të ishte e drejtë, që të pohohej edhe se: “Në lidhje me njësimin e gjuhës letrare të shqipes, Nahtigali, sikurse edhe anëtarët e tjerë të Komisisë Letrare… u pajtua me mendimin e përgjithshëm.” Të njëjtin qëndrim në kundërshtim me realitetin historik ka shprehur edhe R. Ismajli (2005), duke shkruar se “mori pjesë në Komisinë Letrare”.

I vetmi shkrim shqip pak a shumë i gjerë për gjuhëtarin slloven është ai i vitit 1977 prej Franc Jakopinit (1921-2002), gjuhëtar slloven, akademik, specialist për gjuhët sllave lindore, autor i shkrimeve edhe për Kopitarin, Miklosiçin etj. Aty jepen të përmbledhura qëndrimet kryesore të Nahtigalit për shqipen e shkruar dhe drejtshkrimin e saj, si dhe përmbajtja përgjithësisht e katër punimeve të tij kushtuar problematikës shqipe. Artikulli përfundon me këtë vlerësim: “Nuk ka kurrfarë dyshimi se Nahtigali ishte fytyrë interesante jo vetëm në rrethin e filologëve sllavë; përvojën e tij të gjatë dhe hetimin e rrahjen e shumë çështjeve ndër gjuhë sllave diti ta transponojë në mënyrë subtile edhe në studimet e veta albanologjike.” (Citimi është sipas botimit më 1977, sepse në ribotimin më 2015 është bërë një redaktim arbitrar, ndërsa do të duhej një përkthim i ri, ashtu si edhe për disa materiale të tjera që janë me dobësi të ndjeshme).

Brenda kornizës partiake të ateizmit, Androkli Kostallari më 1985 e quante thellësisht të gabuar programin e R. Nahtigalit për krijimin e gjuhës letrare shqipe mbi bazën e Biblës, të një gramatike, një fjalori dhe teksteve folklorike. Në këtë vijë e quante se edhe përkthimet e K. Kristoforidhit nuk mund ta luanin atë rol, që luajti p.sh. përkthimi i Biblës nga Martin Luteri për gjermanët. Ky arsyetim në vështrimin e parë qëndron, sepse  në Shqipëri kishte një gjendje fetare krejt të ndryshme nga Gjermania ose Serbia e V. Karaxhiqit. E megjithatë ai arsyetim është i padrejtë historikisht. Është e vërtetë, që shumica e popullsisë shqiptare ishte e islamizuar, por siç e kam dokumentuar plotësisht, përkthimet e Kristoforidhit lexoheshin me dëshirë edhe nga myslimanët, sepse ishin shqip, në një kohë kur shqipja ndalohej dhe mallkohej. Nahtigali ka theksuar, se “Ungjilli i tij është libri më i përhapur në Shqipëri.” Do të shtoja, se as sot nuk botohen e përhapen libra me një tirazh aq të madh sa përkthimet e Kristoforidhit. Nga ana tjetër, proza shqipe në kuptimin e mirëfilltë në atë kohë nuk ekzistonte si pjesë e formacionit letrar shqip dhe përfaqësohej vetëm nga literatura fetare. Por kryesorja është se tema e përkthimeve të Kristoforidhit luajti rol vendimtar për orientimin e KLSH drejt të folmes së mesme aspak për arsye se ishin përkthime fetare, por sepse ato përfaqësonin një mishërim gjuhësor tashmë të pranuar me nivel të lartë, aq sa edhe Gj. Fishta i quajti si një argument të pakundërshtueshëm, kurse Nahtigali e ka vlerësuar si më të madhin mjeshtër të gjuhës shqipe dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm të bashkimit mendor të mbarë popullit. Natyrisht, është e kuptueshme dëshira e pazbatueshme e Nahtigalit për ta nxjerrë në krye Biblën, por më duket se edhe ai vetë e ndiente këtë pamundësi, prandaj e ka mbyllur “Promemorien” e tij me këtë thirrje: “Bëni para së gjithash gramatikën sipas Kristoforidhit dhe dialektit të Elbasanit! Të tjerat vijnë më pas.”

Është një hamendësim krejt në erë pohimi i P. Duka-Gjinit më 1992, se nisma për të ngritur KLSH paska qenë “nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjenerali Trollman dhe i ndikuem nga dr. Nachtigall, studiues ky i gjuhës sonë.” Siç e përmenda më lart, vetë Nahtigali është shprehur se ishte habitur kur e mori vesh ftesën që të shkonte në Shkodër.

Natyrisht, vend të veçantë do të zinte puna e R. Nahtigalit në të dy monografitë e vitit 2004 për Komisinë Letrare. Në të parën T. Osmani ka dhënë edhe një jetëshkrim të shkurtër të tij. Nuk është e saktë, se shkollën e mesme e bëri në Novo Mesto; e kreu në Lubljanë. Gjithashtu doktoraturën e ka marrë në Vjenë, nën udhëheqjen e Jagiqit, jo në Moskë. Me vlerë të veçantë është në këtë vëllim botimi i Procesverbaleve dhe ribotimi “Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër”, Nr. 2, që ishte i panjohur edhe për gjuhëtarët. Aty përfshihen diskutimet rreth Promemories së Nahtigalit dhe në mënyrë të hollësishme kundërshtimet e M. Lambercit.

Monografia e dytë është botuar po atë vit nga Sheremet Krasniqi, që e përmenda pak më sipër. Ai ka grumbulluar aty një material të gjerë nga shtypi i kohës, duke ndjekur edhe jehonën e vendimeve të Komisisë deri te vlerësimi i KLSH në Kongresin e Drejtshkrimit më 1971. Përfundimi i tij për Nahtigalin është: “… dha një kontribut të çmueshëm në punën e Komisisë Letrare dhe shumë nga tezat që i kishte fiksuar atëherë si optimale, sot kanë zënë vend në gjuhën letrare shqipe”.

Autoriteti i Nahtigalit ka shërbyer si referim jo vetëm gjatë punimeve të KLSH, por edhe për përdorimin e një varianti të shkruar të shqipes në gjuhën zyrtare dhe shkollore gjatë periudhës së Pavarësisë. Ndihmesat e R. Nahtigalit i përkasin historisë së shqipes së shkruar, ndërsa me ngulitjen e shqipes standarde atyre nuk u referohen më në studimet për strukturën e saj.

 

Fund