Bota ndryshe e Pjetër Bogdanit
Monday, 23 May, 2016
Shqipëria, kjo «mace e zezë» për francezët
Wednesday, 15 June, 2016

Lindur femër…6 minuta lexim

Blerina Demiri

Autor


Fakti që femra bën thirrje për barazi gjinore nuk përkrah seksizmin, aq më pak synon të fshijë nga piktura e botës figurën e mashkullit, ekzistenca e të cilit është e domosdoshme, thjesht kërkon respektimin e ndërsjellë të së drejtës esenciale për të jetuar dhe vepruar.

 

Ardhur në jetë nga dashuria, e dashurinë s’e njohu kurrë, shkelur e nënshtruar nga mungesa e vetëdijes, nga pamundësia e të qenit burrë, sepse lindi femër.

Dyshimi mbi ekzistencën e saj lindi bashkë me të, e bota u kthye përmbys si shenjë revolte. Askush nuk gëzoi, askush nuk uroi, në zi e gjithë familja, në zi e gjithë shoqëria… nuk ishte djalë.

Sidoqoftë erdhi në jetë, për të vërtetuar se femra lind dhe do të lindë aq sa bota të ndjejë shijen e njerëzimit.

E pavetëdijshme për fatin e saj, zbaton çdo ditë urdhërat dhe detyrimet që burrat e shtëpisë japin pa lëvizur qepallat e rënda, ulur në kolltuqe si “agallarë”. E shkreta, akoma e re për të kuptuar se femra së pari është njeri dhe gjinia nuk ia mohon të drejtën e të qenit e lirë.

E detyruar të lajë, të pastrojë, të gatuajë si parakusht për të rritur nderin e familjes kur të shkelë në “derë të huaj”. Roli i saj si femër është të përgatitet për të qenë një grua e devotshme, pra të qenit femër është thjesht proces tranzicioni i frustruar dhe ndikuar nga ligjet e traditës që përjashtojnë çdo mundësi për të jetuar si e tillë, si femër.

E mohuar nga çdo gjë, e mohuar nga shkollimi, shoqëria e dashuria, sepse e tillë është vetë qenia e saj, e mohuar. E izoluar në një shtëpi, e cila nuk paraqet asgjë më shumë se një kornizë robërie brenda së cilës asaj i takon vetëm heshtja dhe bindja ndaj të tjerëve. E fjala? Ajo është për burrat.

Për ata “burra” që nuk u bënë burra kurrë, që nuk arritën në asnjë moment të kuptojnë se femra është thelbi i ekzistencës së tyre dhe jo makineri prodhimi, se femra është burim i pashtershëm i dashurisë, jo objekt dhunimi, se femra është vetë forca që ata burracakë ushtrojnë mbi të.

E si mund ta kuptojë esencën e të qenit femër ai që vetëm si mashkull e njohu veten, ai i cili dëshirën e femrës për t’u shkolluar e koncepton si një iluzion, realizimi i të cilit nuk është në përputhje me parimet e fanatizmit.

“S’ka ç’të duhet shkolla ty, nuk të kemi rritur të bëhesh “kurvë“, fundja burrit nuk i duhesh si intelektuale, por si grua”- përgjigjet patriarku i shtëpisë sa herë që ajo femër kërkon të hedhë dritë mbi mendjet e errësuara.

E në fakt ajo është e vetmja dritë në kopshtin e mendjeve të shuara.

Të gjitha këto janë pjellë e imagjinatës patriarkale të një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, e cila vazhdon të jetë e izoluar dhe e mbërthyer nën kthetrat e kanunit. E ç’të duhet kanuni kur nuk di ta lexosh, ç’të duhet mendja kur nuk di racionalisht të mendosh, ç’të duhet jeta kur nuk mund ta jetosh?

Sepse fundja jeta nuk mbahet vetëm nga fryma, përderisa atë e merr edhe kafsha, përderia injoranca vazhdon në paturpësi të dhunojë lirinë e femrës. Të kërcënojë dukshëm qenien e saj individuale e cila jeton për të dhuruar, punon për të jetuar dhe në fund, thjesht mbetet e gjykuar. E gjykuar për pamjen e saj, për veprimet që bën, e gjykuar për ndjenajt e saj personale, e gjykuar për gjithçka madje edhe për ekzistencën e saj. E skalitur nën ëndrra rinore, e udhëhequr nga dëshira vajzërore, nxit brenda vetes intelektin i cili lufton për tu shpërfaqur, për ti bërë ballë botës mashkullore,asaj bote që ka humbur arsyen dhe në pavetëdije rrotullohet rreth femrës si një proces jetësor i egër në pamje e primitiv në dukje.

E dhunuar e përdhunuar për të kënaqur egot e atyre që rriten me ndjenja kafshërore dhe në fund bota drejton gishtin duke e fajësuar për ‘kopilin” që nxjerr në jetë! E lëkundur gjithë jetën mbi identitet të dyzuar, si vajza e dikujt e gruaja e një tjetri, ose pronë e secilit. E si mund njeriu të jetë pronë, aq më shumë objekt (seksual)? Kjo ndodh atëherë kur femra konsiderohet vetëm si konstrukt trupor, mendja, dëshirat dhe ndjenjat janë detaje meshkujsh. I quaj meshkuj, sepse duhen vite për t’u bërë burra, duhet kohë për ta bindur veten se të drejtat e grave janë të drejtat e njerëzve dhe të drejtat e njerëzve janë të drejtat e grave, sot e përgjithmonë.

Meshkuj, e ju o burra, jam femër, por jam dhe njeri dhe fakti që po sillem si e tillë nuk do të thotë se imitoj mashkullin, thjesht tentoj të jem vetvetja, tentoj të jem e lirë. Mjaft e pamë botën bardhë e zi, le ta ngjyrosim gradualisht përditshmërinë tonë, duke synuar barazinë gjinore. Mjaft na udhëhoqën paragjykimet dhe stereotipet që lënë mbrapa gruan, le të ndërtojmë bashkërisht një realitet të ri, i cili hap dyert e emancipimit, nëpërmjet shkollimit të femrës.

Sado që dëshira për të ndërtuar të ardhmen, mbështetur në traditë, mjegullon çdo shenjë emancipimi, forca e femrës duhet të rrezatojë. Fundja femra nuk lufton për forcë, sepse e tillë është krijuar, ajo thjesht tenton të ndryshojë perceptimin e botës mbi të. Tenton në të njëjtën kohë t’i bëjë ballë diskriminimit që familja si institucioni i parë patriarkal e zbaton, duke mbrojtur me çdo kusht rolin e saj si individ.

Fakti që femra bën thirrje për barazi gjinore nuk përkrah seksizmin, aq më pak synon të fshijë nga piktura e botës figurën e mashkullit, ekzistenca e të cilit është e domosdoshme, thjesht kërkon respektimin e ndërsjellë të së drejtës esenciale për të jetuar dhe vepruar.

Duhet kuptuar një herë e përgjithmonë se femra dhe mashkulli janë sinonim i njëri-tjetrit, me gjini të kundërta, të cilët domosdoshmërisht të bashkëpunojnë për të mbijetuar.

Përderisa ndërvarësia gjinore është nevojë natyrore, të drejtat dhe barazia janë bindje njerëzore.

Jam femër, je mashkull.

Jam njeri, je njeri.

Vetëm kjo ka rëndësi.

(Visited 11 times, 1 visits today)
Share This