Hyrja e Kosovës në dialog i cili à priori dhe formalisht nuk është i barabartë e bën të pamundur një dialog normal e në bazë të rregullave dhe parimeve të dialogut të pranuara botërisht.

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet shikuar në dy këndvështrime të cilat njëkohësisht mund të trajtohen edhe si faza të dialogut, ku vetëm përmbushja e fazës së parë mund të hapë rrugën e mëtejshme për te e dyta: formal e përmbajtësor.

Sipas këndvështrimit formal, një dialog si rregull fillon nga pika zero që nënkupton parimin e barazisë së palëve. Në këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Së pari, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me Serbinë, pa e marrë mbi vete Serbia fajin kolektiv dhe pa kërkuar falje për gjenocidin dhe spastrimin etnik të kryer në Kosovë. Së dyti, Kosova ka pranuar të hyjë në dialog me një entitet e cila palën e dialogut, në këtë rast Kosovën, nuk e njeh si shtet, subjekt të marrëdhënieve të së drejtës ndërkombëtare, madje ç’është më e keqja e konsideron atë si krahinë të saj jugore, të sanksionuar me aktin më të lartë normative të një shteti-kushtetutën. Për t’u mos mjaftuar me kaq, ajo pengon në të gjitha mënyrat dhe me çdo kusht funksionimin normal të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran , dhunon sovranitetin e saj në vazhdimësi dhe së bashku me aleatet e veta, pengon njohjen e saj ndërkombëtare.

Hyrja e Kosovës në dialog i cili à priori dhe formalisht nuk është i barabartë e bën të pamundur një dialog normal e në bazë të rregullave dhe parimeve të dialogut të pranuara botërisht. Njëkohësisht, kjo shpërfaq papjekurinë politike dhe mungesën e mendësisë shtet-ndërtuese të autoriteteve udhëheqëse të Republikës së Kosovës. Pozita formale e pabarabartë për të mos thënë inferiore, është parakusht që nuk nënvlerësohet dot gjatë parashikimit të rezultatit final të bisedimeve.

Gjërat për të cilat diskutohet në dialog, pra aspekti përmbajtësor i dialogut është një non sens i llojit të vet dhe një precedent mjaft i dëmshëm, madje madje i rrezikshëm për rajonin e më gjerë. Vetë përmbajtja e dialogut vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës, duke ia cenuar asaj komponentin bazë të shtetësisë, e që është sovraniteti dhe pavarësia.

Mes tjerash, propozimi i dalë nga ky dialog siç është krijimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive është në kundërshtim të plotë me parimet e të drejtës ndërkombëtare siç janë parimi i sovranitetit, i pavarësisë dhe parimin themelor kushtetues, atij të unitetit të pushtetit shtetëror.

Me një fjalë, dialogu, realisht është një emërtim pa vend i imponimit të kushteve të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për çështje të rregullimit shtetëror të saj të brendshëm.

Fatmir Arifi

Është doktorant në Universitetin e Tetovës. Ka kryer studimet universitare në Fakulteti Filozofik, dega e historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci me tezën e magjistraturës “Sfidat e rendit të ri botëror”. Është autor i shumë studimeve të botuara në revista shkencore vendore e ndërkombëtare. Po ashtu është autor i analizave të ndryshme gjeopolitike e të tjera në gazeta e revista shqiptare. Në PanAlbanica ka kontribuar kryesisht në rubrikën Me tejqyrë.