Një periudhë e re historike u hap me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918), me të cilën nis kodifikimi në shkallë kombëtare i shqipes standarde dhe tashmë mund të flitet për gjuhën shqipe si gjuha e një shteti-komb.

 

Rajko Nahtigali u lind më 14 prill 1877 në Novo Mesto (Rudolfsvert), sot në jug-lindje të Sllovenisë, afër kufirit me Kroacinë, por atëherë nën Austro-Hungarinë, prandaj mbiemri i tij del edhe “Nachtigall”. Sipas “Leksikonit biografik slloven” (1935), gjimnazin e kreu në vitet 1889-1895 në Lubjanë dhe hyri në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës, ku ndër të tjerët pati pedagogë Vatrosllav Jagiqin (1838-1923) profesor serb, i cili më 1875 themeloi revistën “Archiv für slavische Philologie”, në të cilën Nahtigali do të botonte shkrimet e para, si edhe K. Jireçekun të njohur shumë mirë te ne për shkak të botimit të përbashkët me J. Thalloczy-n të Acta et diplomata res Albaniae. Ky i fundit botoi më 1916 “Studimet ilire-shqiptare” dhe i mbahej mendimit, se shqipja ishte një gjuhë ilire-trake dhe me të afrohej mesapishtja. Nuk ka dyshim, se prej dijetarësh të tillë Nahtigali është ndikuar për qëndrimet e veta dashamirëse ndaj shqipes dhe popullit shqiptar. Në vitin e parafundit (1898) botoi shkrimin e tij të parë në “Archiv für slavische Philologie”. V. Jagiqi ka qenë udhëheqës për tezën e doktoraturës, e cila gjithashtu u botua në “Archiv für slavische Philologie”.

Pas diplomimit, Universiteti e dërgoi Rajkon për një stazh studimor në Moskë më 1900-1902. Atje u njoh me gjuhëtarë me emër të kohës, si Fortunatovi, Korshi etj. Do shënuar, se mori pjesë në Komisionin dialektologjik të Moskës, si rrjedhim, prej atëherë fitoi aftësitë për kërkime dialektore. U kthye në Vjenë në vjeshtë 1902 dhe u bë pedagog i rusishtes deri më 1913 në Shkollën e Lartë për gjuhët sllave, si edhe në disa institucione të tjera. Mori titullin e profesorit në shtator 1913 dhe kështu iu hap vendi në Universitetin e Gracit për filologjinë sllave. Në Arkivin e Universitetit të Gracit kam gjetur në pranverën e sivjetme një biografi të shkurtër të Nahtigalit në trajtën e mirëfilltë të një CV-je të sotme. Është hartuar në tetor të vitit 1913, kur ai u pranua në Grac dhe ka bibliografinë e botimeve të tij deri në atë vit.

Me mbarimin e Luftës I Botërore u vendos në Lubjanë, ku vijoi të jepte filologjinë sllave, kurse më 1927-1928 u emërua edhe rektor. Për meritat e tij ka qenë anëtar korrespondent i Akademisë Serbe në Beograd dhe i Akademisë së Zagrebit. Ka vijuar botimin e shkrimeve shkencore sidomos në fushën e filologjisë sllovene, të gjuhës sllave kishtare dhe të rusishtes. Vdiq në Lubljanë më 29 mars 1958.

Detyra e parë madhore e shqipes së shkruar ka qenë zgjedhja dhe përpunimi i një alfabeti të vetëm, të cilën e zgjidhi Kongresi i Manastirit. Një periudhë e re historike u hap me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918), me të cilën nis kodifikimi në shkallë kombëtare i shqipes standarde dhe tashmë mund të flitet për gjuhën shqipe si gjuha e një shteti-komb.

Sapo u mblodh Komisia (KLSH) njëqind vjet më parë, më 1 shtator 1916, me synimin për të zgjidhur detyrat e ndërlikuara gjuhësore për drejtshkrimin, dolën qartë dy çështje më të gjera: e para, anët e veçanta kërkonin jo vetëm parashtrimin e disa parimeve të përgjithshme, por edhe ngritjen e problematikës në rrafshin më të lartë, domethënë çdo gjë duhej shqyrtuar nga këndvështrimi, se cili do të ishte në tërësi varianti i shkruar jo i shqipes, por i gjuhës letrare shqipe të përbashkët. E dyta, si rrjedhojë e së parës, duheshin mbajtur parasysh edhe faktorët jashtëgjuhësorë, ndër të cilët më kryesorët shfaqeshin ata historikë, gjeografikë, shoqërorë dhe të traditës kulturore.

Vendimi i parë i saj ka qenë për zanoren “ë”, ndërsa një muaj më pas u diskutua, që drejtshkrimi të ishte sa më i përbashkët për të dy dialektet kryesore. Për pasojë, formulimi i parë ka qenë “orthografi e përbashkme”, ndërsa më 21 nëntor u kalua te mendimi “për me ba nji gjuhë letrare” dhe atëherë u theksua, se qëllimi parësor i Komisisë, sipas statutit të saj, do të ishte “lëvrimi i gjuhës e zhdrivillimi i leteratyrës”. Ndërkaq, interpretimi i kësaj nga Gjergj Fishta do të ishte për një “gjuhë administrative” dhe për këtë arsye duhej filluar me përcaktimin e drejtshkrimit. Si shkrimtar, ai ishte i ndjeshëm për fatet e gjuhës së letërsisë dhe intuitivisht ishte më afër domethënies së formulimit për atë, që ne sot e quajmë gjuhë standarde. Një muaj më vonë (11 dhjetor), Gjergj Pekmezi* flet për “gjuhën e përbashkme”, kurse Kryekomanda austriake, me nismën e së cilës ishte vënë në lëvizje kjo çështje për arsye të qarta shtetërore sipas përvojës historike të perandorisë së dyfishtë dhe me shpresën se ajo do të dilte fitimtare nga Lufta I Botërore, kërkonte sa më shpejt një “gjuhë shkrimi”. Ky ishte një term asnjanës, ndërsa M. Logoreci e interpretoi si “gjuhë administrate”.

Shkurt, Komisia e Shkodrës punoi mirëfilli si një komision letrar, domethënë jo thjesht gjuhësor dhe aq më pak ngushtësisht si thjesht drejtshkrimor, prandaj në punimet e saj u trajtuan si problematika e gjerë e gjuhës së përbashkët në marrëdhënie me dialektet, në veçanti për të vendosur rregullat kryesore të drejtshkrimit, ashtu edhe terminologjia juridike e gjuhësore, edhe përgatitja e librave shkollorë dhe redaktimi i botimeve, edhe përkthimet. Pjesëmarrësit, pavarësisht nga vlerat e tyre të padyshimta, ishin të vetëdijshëm për nivelin e përgatitjes së vet, domethënë ishin të vetëdijshëm se nuk mund ta përballonin punën me atë shkallë të lartë, që e kërkonte një qëllim i tillë me peshë të jashtëzakonshme për të ardhmen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Kjo është arsyeja, që u përvijua një propozim për të thirrur edhe studiues të huaj.

Që në njërën prej mbledhjeve të para (16 shtator 1916), u hodh ideja se: “zgjidhja e ndonji çashtjes me randësië mund t’i paraqitet ndonji dijetari t’huej, qi njifet si auktoritet n’filologji shqype.” Konkretisht, që të studioheshin format e elbasanishtes, me sa duket kërkesën e ka shqiptuar i pari Sotir Peci. Kryetari i KLSH, Pekmezi sërish më 11 dhjetor shfaqi mendimin, që të thirrej një albanolog dhe të dërgohej në Elbasan, duke e kufizuar detyrën që të merrej me fonetikën dhe morfologjinë. Përveç Pekmezit, i cili qysh në fillim të shekullit i kishte kushtuar vëmendje të folmes së Elbasanit, më 3 mars 1917 u vendos, që grupi për ekspeditën të përfshinte edhe Ndre Mjedën, por duke vlerësuar përkthimet e Konstandin Kristoforidhit si mbështetje për trajtën e shkruar.

Meqë vendi ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë, ishte e kuptueshme, se prej andej do të ftoheshin dijetarët e huaj. Këta kanë qenë Maksimilian Lamberci dhe Rajko Nahtigali. I pari mori pjesë në mbledhje të KLSH qysh më 4 qershor dhe u propozua që të bëhej anëtar i KLSH-së, ndërsa i dyti ka marrë pjesë vetëm në dy mbledhje dhe nuk ka qenë anëtar i saj, prandaj në këtë trajtesë do të ndalem te i dyti, për të treguar rolin e vërtetë të Nahtigalit lidhur me punën e KLSH.

Ndonëse puna në krye nisi me drejtshkrimin, në mes të nëntorit u përftua objektivisht mendimi, që të shqyrtohej çështja e një gjuhe letrare dhe jo thjesht afrimi i drejtshkrimeve të dy dialekteve. Për pasojë, më 11 dhjetor Pekmezi theksoi: “Nuk mund të jetë sot për sot qëllimi ynë i parë orthografia, po pa dyshim nji gjuh’ e përbashkme.” Me mbështetjen edhe të Luigj Gurakuqit, të nesërmen ideja u konkretizua në tri drejtime: a) si pikënisje e gjuhës së shkruar të merreshin përkthimet e Konstandin Kristoforidhit; b) të thirrej Aleksandër Xhuvani si elbasanas dhe c) “do të kërkohet edhe nji albanolog i huaj për studimet e përmirësimet ma të vona”. Siç shihet, që në krye të herës nuk thuhej se albanologu i huaj do të ishte anëtar i KLSH.

Nahtigali e ka quajtur të papritur ftesën në periudhën e Krishtlindjeve 1916 për të ardhur në Shqipëri. E kishte lajmëruar vetë Gjergj Pekmezi si kryetar i KLSH-së. Për ta kuptuar këtë, vlen të shënohet se Pekmezi ka studiuar në Universitetin e Vjenës më 1894-1898 dhe njëkohësisht Nahtigali ka ndjekur po aty të njëjtin Fakultet filozofik më 1895-1899; rrjedhimisht, që prej atëherë miqësia e tyre solli edhe bashkëpunimin deri në kohën e Komisisë Letrare.

Duke ndjekur rregullat e rrepta austriake, Nahtigali paraqiti lutje në zyrat e Universitetit të Gracit, që iu drejtuan Komandës ushtarake të Gracit, sepse nuk duhet harruar, që ishte kohë lufte. Komanda e njoftoi se ishte i dëshirueshëm udhëtimi sa më shpejt dhe, besoj, për këtë do të ketë pasur letërkëmbim me autoritetet e pushtimit në Shkodër, përndryshe nuk ka se si të kuptohet dëshira e shfaqur nga ushtarakët në Grac. Nga ana tjetër, atij i nevojitej edhe leja për t’u larguar nga puna e përditshme. Kam gjetur në Arkivin e Universitetit shkresën përkatëse, dërguar më 13 prill dekanatit të Fakultetit të Universitetit Mbretëror të Gracit:

“Mbi bazën e kërkesës së paraqitur, e quaj të rregullt që profesorit të filologjisë sllave për specialitetin e gjuhës dhe të letërsisë sllovene në Universitetin e Gracit, dr. Rajko Nachtigall, t’i jepet leja e kërkuar për muajin maj.
Ministri i Kulturës e i Arsimit”.

Vetë Nahtigali e ka formuluar me këtë mënyrë: “Ministria e Arsimit pati mirësinë të më akordonte një leje deri në fund të muajit maj.” Gazeta “Posta e Shqypnies” më 21 prill menjëherë njoftoi se do të vinte një mik i Shqipërisë në Shkodër dhe bashkë me Gj. Pekmezin e M. Lambercin do të kryenin një udhëtim në Elbasan. Në të vërtetë M. Lamberci nuk do të merrte pjesë në këtë ekspeditë, madje ai ka udhëtuar nga 15 marsi deri më 30 maj 1917 prej Alpeve deri në Berat dhe u kthye në Shkodër. Gjithsesi, botimi i njoftimit lidhet me faktin, që këtë gazetë e drejtonte Gjergj Fishta, kurse botohej shqip e gjermanisht. Me këtë shpjegohet përse një javë më pas në prill aty do të botohej gjermanisht artikulli i shkurtër i Nahtigalit “Formimi i përemrave pronorë në shqipen dhe koncepti i gabuar i derisotëm mbi ta”, si një përshëndetje për ardhjen e tij dhe ndoshta i kërkuar për këtë rast. Rrjedhimisht, ka qenë Fishta, një prej themeluesve të KLSH-së, ndër ata, që gjithashtu kishte shprehur mendimin për ta ftuar dijetarin slloven.

Gjergj Pekmezi kishte pasur ndihmesën e Nahtigalit për hartimin e Gramatikës së gjuhës shqipe, botuar më 1908, në të cilën shprehej në të mirë të mbështetjes te dialekti i mesëm për gjuhën e shkruar shqipe. Këtu e ka zanafillën edhe animi i Nahtigalit për të folmen e Elbasanit me këtë rol. Kongresi i Elbasanit më 1909 rekomandoi të folmen e Elbasanit, sepse është “dialekt që kuptohet në të gjitha anët e Shqipërisë dhe që sjell bashkim”. Ky ishte një vazhdim i Kongresit të Manastirit dhe historikisht lidhej me idenë se Elbasani do të bëhej kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë, ndërsa Manastiri do ta birrte rolin që kishte pasur. Njëkohësisht aty u hap Shkolla Normale, në të cilën drejtor ishte Luigj Gurakuqi, mbështetës i kësaj zgjidhjeje për gjuhën e shkruar; për më tepër, ai do të kryesonte Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit në Shkodër pas pushtimit austriak.

Dijetari slloven duket se ka mbërritur në Shqipëri pas 20 prillit, po të nisemi nga lajmi i gazetës më 21 prill. Por nuk ka ardhur më 26 prill, siç e shënon Tomor Osmani në librin për Komisinë Letrare më 2004, që është libri më i mirë deri më sot për këtë ngjarje historike, sepse në procesverbal është shënuar, që ai ishte i pranishëm në dy mbledhje: më 24 dhe 25 prill. Ardhjen e njoftonte edhe gazeta “Vëllazënija” më 4 maj, kurse sërish “Posta e Shqypnies” më 5 maj, pasi njofton, se tashmë ishte formuluar një vendim i KLSH-së, sipas të cilit gjuha letrare do të mbështetej në të folmen e Elbasanit, shënon se komisioni prej tre vetash do të studionte të folmen përkatëse. Natyrisht, Nahtigali është takuar me përfaqësuesit e KLSH-së, por kujdesi kryesor ka qenë përgatitja e ekspeditës në Elbasan, së bashku me Ndre Mjedën dhe Gjergj Pekmezin. Sipas fjalëve të tij:

“Hyri në kontakt me zotërinjtë e Komisisë Letrare të Shqipërisë dhe kreu punët përgatitore të detyrës për të cilën e kishin ftuar.” Po kështu merret vesh nga procesverbali, pavarësisht se ai është tejet i cunguar: “me të u bisedue gjan’ e gjatë mbi çeshtjen e ë-së e disa tjera çeshtje gjuhësije me randsi, edhe Ju treguen pikat ma të nevojshmet qi janë per t’u studiuem në Shqipni të mesme.”

U nisën më 30 prill, pas kthimit prej Vjene të Gj. Pekmezit. Me sa duket, Nahtigali ka qëndruar në qytetin e Elbasanit, ku pati mundësinë të dëgjonte edhe fshatarë nga rrethi, kurse Mjeda dhe Pekmezi shkuan në fshatrat deri në Devoll dhe te lumi i Holtës, ndërsa disa informantë nga krahina e Gramshit u porositën që të shkonin në Elbasan.

Ekspedita u kthye në Shkodër para mbylljes së majit, sepse Nahtigali e kishte të kufizuar lejen, po edhe Pekmezi shihet se tashmë ishte në krye të punës më 30 maj. Përkthimi i një paragrafi të parathënies së botuar shqip në një vëllim me punimet e tij (Prishtinë, 2015) është i pasaktë dhe duhej të ishte kështu: “Ecuria e udhëtimit studimor të përshkruar shkurt iu dorëzua përpara kthimit në atdhe autoriteteve të Shkodrës dhe e nënshkruar nga të dy pjesëmarrësit e tjerë të udhëtimit studimor, dr. Gj. Pekmezi dhe prifti Don A. Mjeda, me titullin ‘Raport mbi udhëtimin në Shqipërinë e Mesme me qëllimin studime gjuhësore’.” Pështjellimi i përkthimit për këtë pikë në librin e botuar në Prishtinë më 2015 ka ardhur për dy arsye: E para, nuk është kuptuar se Nahtigali me kolegët duhej t’u paraqisnin një raport autoriteteve austriake të pushtimit në Shkodër, sepse siç është tashmë e qartë, në kohë lufte gjithçka do të kalonte përmes tyre. Së dyti, në gjuhën shqipe pas një ekspedite jepet një raport dhe jo një “referat” apo “lajme”. Pjesa që vijon aty është përmbajtja e atij raporti për autoritetet zyrtare. Në fund Raporti ka datën: Elbasan, 19 maj 1917. Edhe këtu ka nevojë për një shpjegim. Ende duke qenë në Elbasan, anëtarët e ekspeditës kanë nisur hartimin e dokumenteve që duhej të paraqisnin. Në fund të së ashtuquajturës “Promemorie” është data: Elbasan – Shkodër, 17-26 maj 1917, domethënë duke ndenjur në Elbasan Nahtigali e ka nisur punën për oponencën ndaj vendimeve të Komisisë Letrare dhe e ka përfunduar më vonë në Shkodër, pak ditë përpara largimit nga Shkodra. Kurse dy ditë më pas, më 19 maj po në Elbasan ka nisur përgatitjen e Raportit për autoritetet ushtarake në emër të anëtarëve të ekspeditës. Në Shkodër i bie të jetë kthyer më 22 maj dhe në fund të afatit, domethënë në fund të majit, është kthyer në Austri.

 

* Gjergj Pekmezi ishte filozof dhe filolog shqiptar. Lindi në Tushemisht të Pogradecit. Ai qe kryetar i “Komisisë Letrare të Shkodrës”. Pjesën më të madhe të jetës veproi në Vjenë. Sot katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjergj Pekmezi”.

 

Vijon