Shkruajnë:

Bardhyl Mahmuti

Ramadan Avdiu

 

Është bërë e zakonshme që në përvjetorin e ngjarjeve të vitit 1981 të riaktualizohen disa çështje për atë periudhë, çështje që mund të ngërthehen në atë se a ishin protestat e asaj kohe revoltë spontane e një popullsie të shtypur apo kemi të bëjmë me manifestime të organizuara; a ishte mobilizimi për republikë i «parakohshëm» apo «shprehje e pjekurisë politike»?

Në rastin e parë, kur pohimet rreth kësaj çështjeje, qoftë në mënyrë eksplicite qoftë në mënyrë implicite, synojnë të vënë në pah karakterin e organizuar të tyre, problemi shtrohet në një pistë që synon “zbulimin” e organizatorëve. Ndërsa sa i përket dilemës së dytë, mendojmë se shtjellimi i problematikës, duke u përqendruar në raportin real të forcave, do të evitojë kualifikimet me ngarkesë ideologjike që synon t’i paraqesë, qoftë si të «parakohshme», qoftë si “pjekuri politike”.

Tipologjia e lartpërmendur (revoltë spontane/ demonstrata të organizuara) është bërë mbizotëruese në ligjëratat që mbahen rreth ngjarjeve të vitit 1981 sa që e bërën të panevojshëm citimin e ndonjë autori për të dëshmuar prezencën e saj. Duke e shtruar problemin në këtë mënyrë, me apo pa vetëdije, përcaktojmë përgjigjet e mundshme dhe mënyra e tillë e procedimit paraqet një kurth për hulumtuesin. Si e tillë, në vend që të ndihmojë, ajo bëhet pengesë për ndriçimin e atyre ngjarjeve. Paraqet një kurth në atë masë sa që prapa aspektit “teknik” të manifestimit lihet në harresë pikërisht ajo që është thelbësore për çdo mobilizim: kërkesa rreth së cilës mobilizohen masat e gjera.

Pra, që të tejkalohet kjo pengesë, fillimisht duhet të përqendrohet vëmendja në atë se çka u kërkua më 1981. “Elaborimi i një kërkese”, siç thotë shkencëtari i njohur frëng Christian de Montlibert, “në asnjë rast nuk mund të jetë spontane. Përkundrazi, është rezultat i një pune paraprake, është rezultat i një procesi relativisht të gjatë, logjikën e të cilit duhet ta zbulojë shkencëtari. Me një fjalë, këndvështrimi i hulumtuesit duhet të përqendrohet në sqarimin e atij procesi historik, gjatë të cilit u formulua kërkesa politike “Kosova Republikë”, në atë punë paraprake që përgatiti revoltën e popullit shqiptar nën Jugosllavi.
Sipas po të njëjtit autor konstruktimi shoqëror i një kërkese politike kapërcen nëpër katër faza, ngushtësisht të lidhura njëra me tjetrën. Fazën e parë e karakterizon elaborimi i aspiratave dhe idealeve, që përmes një pune të larmishme do të transformojnë karakteristikat e një situate të caktuar në pakënaqësi.

Në këtë rast hapet shtegu i hulumtimit drejt punëve të larmishme, përmes së cilave mosrealizimin praktik të një aspirate shekullore, të shtruar në kërkesat politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të përsëritur në Rezolutën e Bujanit, do ta transformojë në pakënaqësi.
Përkundër rëndësisë së madhe, që do të kishte shtrirja e procesit historik që nga elaborimi i aspiratave për formimin e shtetit kombëtar shqiptar, në të cilin do të përfshiheshin viset e banuara me shumicë shqiptare, prezantimin tonë do ta kufizojmë në periudhën e para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1981.

Sipas mendimit tonë këtë periudhë dyzetvjeçare mund ta ndajmë në katër faza me disa karakteristika mbizotëruese:
– 1945-1963, faza e diktaturës së proletariatit;

– 1963- 1966 lufta në kreun partiak të LKJ-së për të institucionalizuar vetëqeverisjen;

– 1966-1974 krijimi i formacioneve të ndryshme për t’i dhënë formë pakënaqësisë si dhe elaborimi i një “kërkese të mundshme”;

– 1974-1981 aktivitet i madh për t’i dhënë formë kolektive pakënaqësisë dhe kapërcimi në një kërkesë reale.

Pas shpartallimit të forcave nazifashiste dhe çlirimit të tërësisë territoriale, populli shqiptar me plotë të drejtë shpresonte se u erdhi fundi vuajtjeve shekullore nën pushtime të ndryshme. Pikërisht në kohën kur aradhat partizane shqiptare ndiqnin okupatorët në thellësi të territoreve jugosllave, pushtetarët e rinjkomunistë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, sollën dy divizione të ushtrisë jugosllave dhe vendosën administrimin ushtarak në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare.
Ky akt, paraqiste elementin e parë konkret për dyshimin që ekzistonte se Partia Komuniste Jugosllave nuk do të përmbushte premtimet aq shpesh të përsëritura gjatë luftës për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Me një fjalë, mosrespektimi i vullnetit të shprehur në Rezolutën e Bujanit u bë evident. Krahas kësaj, dhuna e ushtruar gjatë administrimit ushtarak si dhe rindarja e territoreve tona nga tri banovinat e regjimit të krajlit, në tri republikat e regjimit të Titos, do të jenë indikatorë të mjaftueshëm për të hequr paralelen rreth situatës identike që përjetonin shqiptarët në këto dy sisteme formalisht të kundërta. Këtë imazh do ta forcojë edhe më tepër përtrirja e Marrëveshjes me Turqinë në 1953, për shpërnguljen e shqiptarëve, të filluar në 1938 nga regjimi i mëparshëm.

Gjatë kësaj periudhe karakteristikë dominante e qëndresës së shqiptarëve ishte mbijetesa si kolektivitet në këtë hapësirë.
Përkundër qëndrimeve partiake se periudha e diktaturës së proletariatit përfundoi me 1949, si rezultat i raportit të forcave brendapërbrenda LKJ-së do të duhet edhe mjaft kohë për të institucionalizuar “vetëqeverisjen, si formë më e lartë e demokracisë”. Është Kushtetuta e vitit 1963 ajo që institucionalizoi raportin e ri të forcave në favor të decentralizimit të të gjitha segmenteve të jetës në Jugosllavi.

Nëse nga ky decentralizim përfituan më së shumti Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, një gjë e tillë nuk ndodhi për shqiptarët. Statusi politik i tyre mbeti i njëjtë si në Kushtetutën e vitit 1946: Kosova – “obllast” i Serbisë, ndërsa territoret tjera nën Mal të Zi dhe Maqedoni pa kurrfarë atributi të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Në këtë kohë, duke parë se shqiptarët e integruar në strukturat politike të Jugosllavisë nuk shërbenin për gjë tjetër pos për të përçuar dhe zbatuar deri në fund qëndrimet antishqiptare të tri republikave jugosllave, organizimi i një rezistence të mirëfilltë paraqitet si domosdoshmëri. Si rezultat i punës së palodhshme dhe sfidimit të të gjitha rreziqeve që bartnin me vete, forcat liridashëse të popullit shqiptar formuan Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.
Konstituimi i formacioneve të ndryshme shoqërore për t’i dhënë pakënaqësisë karakterin e përgjithshëm, sipas Monlibert-it , përbën fazën e dytë të konstruktimit të një kërkese politike.

Duke pasur parasysh rrethanat e atëhershme mund të afirmohet pa asnjë ngurrim, se shtrirja organizative e LRBSH-së kishte arritur rezultate të mëdha. Ndërsa sa i përket kërkesave politike, kjo Lëvizje shtron si domosdoshmëri realizimin e aspiratës shqiptare për të jetuar në një shtet kombëtar. Përkundër arrestimit të pjesës dërrmuese të anëtarëve të LRBSH-së, statuti i saj do të shërbejë si bazë orientuese për të gjitha organizatat e fshehta të mëvonshme.

Lufta në kreun partiak dhe shtetëror do të vazhdojë edhe pas ndryshimeve kushtetutare. Duke parë rrezikun që i kanosej Titos nga forcat centraliste, në fshehtësinë më të madhe përgatiti Plenumin IV të mbajtur në Brioni më 1966. Në këtë Plenum situata politike dhe shoqërore shqiptare do të merret si pretekst për të larguar nga skena politike klikën e Rankoviqit. Dënimi, që i bëri ky Plenum politikës së ndjekur nga Jugosllavia Socialiste, do të jetë edhe një argument në duart e patriotëve për të stigmatizuar të gjithë ata që i thurnin himne vëllazërim-bashkimit. Nga ana tjetër, të gjitha mas-mediat e krijuara më parë për të legjitimiuar pushtetin jugosllav, u lanë një vend të konsiderueshëm kritikave për politikën e ndjekur gjatë periudhës 1945-1966. Derisa njëra anë synonte që përmes kritikave të dëshmonte orientimin e ri të partisë, për një pjesë të intelektualëve ky do të jetë një sinjal për të shtruar mundësinë e daljes nga tutela e Serbisë. Të trimëruar nga kjo frymë e re do të ndodhë ajo që për pak njerëz ishte e besueshme: në Kuvendin e Kosovës shtrohet debati për ndryshimin e statusit politik të Kosovës – barazimin me republikat tjera të federatës jugosllave. Kundërshtimi kategorik i deputetëve serbë për Republikën e Kosovës alarmoi kreun partiak dhe shtetëror, të cilët në kërkesën e shqiptarëve, panë rrezikun e shpërthimit të revoltave të mundshme në Serbi. Me këtë arsyetim, imponuan ndërprerjen e debateve publike rreth pavarësimit të Kosovës nga Serbia.

Mbajtja e Kosovës nën tutelë të Serbisë ishte bërë e padurueshme. Tërheqja e delegatëve të Kuvendit nga kërkesa për republikë dhe censura e imponuar në shtypin shqiptar rreth kësaj çështjeje irrituan masat e gjera popullore. Si e vetmja formë e mbajtjes në aktualitet të kërkesës për pavarësinë nga Serbia mbetej manifestimi nëpër rrugë. Bërthama të mbetura, pa u arrestuar të LRBSH-së, organizuan demonstratat në nëntor dhe dhjetor të vitit 1968 në disa qytete shqiptare.
Kërkesa për Republikë, nga njëra anë, ishte indikator se shqiptarët kishin integruar një pjesë të ideologjisë dominante jugosllave që konsistonte në mbjelljen e mendimit se çdo “ndryshim i kufijve ishte i pamundshëm”, dhe nga ana tjetër rezultat i raportit real të forcave: nuk mund të ndryshoheshin kufijtë pa kthyer raportin e forcave në favor të shqiptarëve. Shkalla e organizimit nuk ishte në nivelin e duhur, formacionet e ndryshme kulturore sapo ishin liruan pjesërisht nga tutela e partisë, shkolla shqipe ishte hapur edhe për mësimin e një pjese të së vërtetës shqiptare e kështu me radhë.
Në këtë situatë Republika e Kosovës, pra ndryshimi i statusit politik të shqiptarëve në Jugosllavi, do të mobilizonte më shumë forca dhe realizimi i një kërkese të tillë do të krijonte një fushëveprim më të madh për të realizuar aspiratën për bashkim kombëtar.

Ngjarjet në Kosovë paraqesin vetëm një segment të luftës në mes krahut hegjemonist dhe atij decentralist që zhvillohej në nivelin e hapësirës jugosllave.
Manifestimet e shqiptarëve do të japin rezultatin e vet në përshpejtimin e dinamikës së rrjedhave të mëtejshme të kësaj lufte. Hapja e shkollave shqipe në të gjitha nivelet, përdorimi i lirë i flamurit, fillimi i përdorimit të gjuhës shqipe në administratë janë rezultat i qëndresës sonë dhe dëshmi i raportit të favorshëm të forcave për vazhdimin e decentralizimit të jetës në Jugosllavi.

Në vazhdën e kësaj lufte në nivelin jugosllav do të lëshohen amendamentet për ndryshimet kushtetutare të cilat me aprovimin e tyre do të shënojnë një hap më të madh drejt decentralizimit.
Në këtë periudhë kemi shtimin e veprimtarisë në shumë segmente: ngritja e marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në nivel ambasadash (5 shkurt 1971); themelohet Universiteti i Prishtinës (1971), si qendër e ngritjes intelektuale për gjithë shqiptarët nën Jugosllavi; unifikohet gjuha shqipe (1972), si kusht paraprak për homogjenizimin kombëtar; depërtimi i literaturës nga Shqipëria; krijohen shoqëri të reja Kulturo-Artistike me një repertor pikash që ngjallin patriotizmin; Ardhja e kuadrove nga Shqipëria; prania e grupeve artistike e teatrale të Shqipërisë; Bashkëpunimi i Universitetit të Prishtinës me atë të Tiranës; Vizitat e ndërsjella të grupeve studentore, kulturore e artistike; Formimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës: të gjitha këto janë faktorë që ndikuan në ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi.

Kushtetuta e vitit 1974 do ta avancojë statusin politik të Kosovës në disa segmente: arsim, kulturë, shëndetësi, marrëdhënie me botën e jashtme. Mirëpo ambiguiteti i statusit politik të Kosovës (element konstituiv i federatës dhe në përbërje të Serbisë) do të jetë objekt lufte në mes të shqiptarëve dhe serbëve nga njëra anë, dhe në mes shqiptarëve nga ana tjetër.
Kushtetutën e vitit 1974 serbët do ta interpretojnë si akt të paramenduar për dobësimin e tyre. Për një qëndrim të tillë më së miri dëshmojnë diskutimet në Kuvendin e Serbisë me rastin e ndryshimeve kushtetutare.

Nga ana tjetër, për një pjesë të shqiptarëve, sidomos ata që ishin të integruar në strukturat e partisë dhe të pushtetit, kjo kushtetutë paraqet zgjidhjen përfundimtare të Çështjes shqiptare në Jugosllavi. Mirëpo, forcat që nuk pranonin të kufizoheshin në aspiratat e popullit do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre, herë në formë të hapur e herë në formë të fshehur.
Këtu hapen pista të shumta dhe objekte të ndryshme të hulumtimit shkencor që do të ndihmonin shumë në qartësimin e asaj që solli Pranverën ’81. Cilat janë punët, bie fjala, të institucioneve të ndryshme shkencore, katedrave të ndryshme të dy universiteteve shqiptare, shoqatave të shkrimtarëve, organizatave të fshehta, shoqërive kulturo-artistike dhe formacioneve të ndryshme shoqërore që i dhanë formë realitetit (in-formuan) dhe si rezultat i saj në një moment të caktuar, nga një masë e madhe perceptohet si realitet i rëndë, realitet i hidhur dhe i padurueshëm.

Ajo që karakterizon periudhën 1977-1980, në krahasim me periudhat e mëparshme, ka të bëjë me krijimin e vlerave të shumta artistike dhe shkencore, sidomos për ndriçimin e fakteve se si mbetën territoret shqiptare të copëtuara. Gjithë kjo punë e larmishme do të kontribuojë në masë të madhe që të përgatitet një mobilizim i masave të gjëra për realizimin e aspiratave shekullore dhe dhënies fund të vështirësive (ekonomike dhe politike), me të cilat ballafaqohej. Vetëm duke sqaruar këtë punë, duke nxjerrë në pah dinamikën e brendshme që karakterizonte hapësirën politike shqiptare, mund të kuptohet kalimi nga shprehja e pakënaqësisë së përbashkët në elaborimin e një kërkese të mundshme, që përbën fazën e tretë të konstruktimit të një kërkese politike.

Një nga specifikat e hapësirës politike të shqiptarëve nën Jugosllavi ishte krijimi i një numri të madh grupesh (numerikisht të vogla) dhe të disa organizatave me shtrirje pak më të gjëra. Por, lidhja në mes tyre nuk ekzistonte në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Gati të gjitha grupet dhe organizatat kishin shtruar si kërkesë politike bashkimin e territoreve me Shqipërinë. Ky element, në periudhën e pas demonstratave, do të shfrytëzohet më shumë për të mjegulluar gjërat se sa për t’i sqaruar. Do të përsëriten gjithnjë e më shpesh pyetjet se kush i organizoi këto demonstrata dhe kush e elaboroi kërkesën për republikë.
Përqendrimi i vëmendjes në dinamikën shoqërore nga 11 marsi, kur shpërtheu pakënaqësia e parë, e deri më 26 mars kur doli kërkesa për republikë si kërkesë, fillimisht dominante, për t’u bërë më vonë kërkesë e vetme, është vendimtare për të sqaruar dilemat e lartpërmendura.

Manifestimi i pakënaqësisë më 11 mars ishte forma e parë e protestës publike pas demonstratave të vitit 1968. Mobilizimi në “Qendrën e studentëve” është domethënës nga vetë fakti se në këtë kategori shoqërore punët e lartpërmendura kishin pasur efektin më të shpejtë dhe më të madh. Shprehja e pakënaqësisë në formë publike, duke u konfrontuar me pushtetmbajtësit, shënon hapjen e debateve të shumta nga oda, si institucion, e deri te banesat e studentëve (duke përfshi edhe konviktet). Me një fjalë u hoq “frika e shprehjes së mendimeve në prezencë të ndonjë personi që nuk e njihnim mirë”, vigjilencë e imponuar nga arrestimet e shumta paraprake.

Kjo krijoi një klimë të favorshme dhe një besim reciprok që dëshmohet nga krijimet e grupeve të shumta ad hoc.
Orët e para të mobilizimit të 26 marsit janë dëshmi më e mirë e gjendjes organizative të asaj kohe: mungesa e një organizate të vetme apo dominante që do të bartte “mbi supe” rrjedhimin e ngjarjeve. Elementi i dytë që mund të nxirret nga kjo ka të bëjë me brohoritjen e kërkesave të ndryshme, spektri i të cilave shkonte nga kërkesa për bashkim me Shqipërinë e deri te Republika e Kosovës me viset e saj.

Si rezultat i raportit të forcave në atë periudhë, si rezultat i shkallës së organizimit dhe në përputhje me mjetet që dispononim për t’i vënë në lëvizje për realizimin e bashkimit kombëtar, kemi kalimin nga kërkesa e mundshme në kërkesën reale, që përbën fazën e katërt të konstruktimit shoqëror të një kërkese politike.
Duke filluar nga orët e pasdites së 26 marsit e në të gjitha manifestimet e mëvonshme, kërkesa për republikë do të jetë e vetmja kërkesë publike e shqiptarëve nën Jugosllavi.