Shqiptarët dhe rivaliteti politik maqedonas
Wednesday, 23 March, 2016
Pangrami shqip
Friday, 25 March, 2016

Këngë arbëreshe2 minuta lexim

Vorea Ujko

(1918-1989)


 

KËNGË ARBËRESHE

I

Ti vjen nga deti i kaltër

e sell në sy

qiej të largët.

Ti vjen nga toka

ku fjalët janë të lashta

posi zakonet e valleve

bujare si gjaku yt

t’ëmbla si mallëngjimi

të ngurta si puna jote.

Ti jeton dhe ecën

Dhe nuk çuditesh

Se të lindin në gojë

Si lule ë mëngjes.

Ti nuk thua fjalë.

 

III

Ti vjen nga toka

që askush s zotëroi.

Ti je si gur lumi

ku shket stuhia,

i rrahur si deti

i tronditur si toka.

unë i njoh stinët e tua:

një stinë e shkëlqyer

lufta e gjatë

kur e vetme dhelkë –

shpata jote në dorë.

një stinë e gjatë

errësira dhe heshtja.

Ti je mal e lodër lufte.

 

VI

U nise menatet

me këndimin e gjelit

e u ktheve mbrëmanet

me vajtimin e kukuvajkës.

E gjithmonë shijet e tokës

e ti i buzëqeshur shortës.

 

VII

Fryma jote dhe gjaku

kanë shijen e tokës

fryma jote e gjaku

kanë shijn e lisave

fryma jote dhe gjaku

kanë shijen e maleve

kanë shijen e luftës.

Ti lirove tokën

vetëm për të luftuar

ne gjithmonë luftuam

pse kemi lerë për luftën

dhe luftën e kemi në gjak.

 

X

Një agim i madh të pret

e do të gjesh fjalët

që tash nuk i thua.

Do të jesh një agim i kthjellët

e gjithçka do të këndojë në diell.

Vreshta, lumi, shtëpia

zemra jote e fryjtur

do të këndojë në diell.

Ti je rrënjë e fortë

e ushtria jote s’ka ushtarë

pse janë të gjithë kapidanë

Tungjatjeta, more vëlla.

 

ARBËRESHI NË ULQIN

Dëgjoj muzikën e natës

kur suvala ra

çdo ngjyrë u shua

e hëna u përul

mbrapa lisave.

Këtu unë s’kam shtëpi

dhe nuk ndihem i huaj.

Në ballë do ta puthja

vashën që troket në derë

dhe pyet në gjuhën time

nëse dëshiroj kafe.

Ndoshta ajo mendon

se gjuhën e kam nxënë

për udhëtim nëpër botë

dhe nuk e di fshetësinë

që çelet nga gjaku.

 

Vorea Ujko (pseudonimi i Domenico Bellizz-it) është padyshim poeti më i shquar arbëresh i ditëve tona. Emri i tij nuk është i panjohur as për lexuesit këndej Adriatikut, sepse, pas botimit të një varg vjershash, fillimisht në shtypin dhe periodikun shqip të Prishtinës, ndërsa më vonë edhe në atë të Tiranës, në vitin 1979, doli nga shtypi përmbledhja e poezive të tij të zgjedhura me titull Ankth (botim i “Rilindjes”).

(Visited 9 times, 1 visits today)
Share This