Më poshtë janë katër libra për katër vite mandat. Një vit, një libër s’është pak, sepse politikani ka punë, ka krejt fatin e popullit në dorë, shumë probleme e pak kohë. Por kjo nuk e arsyeton, nuk e shpëton dot nga libri. Prandaj ajo shprehja e njohur amerikane për vajzat dhe librat mund të vlejë dhe për politikanët: në qoftë se lideri yt nuk lexon, mos e voto. Mos e voto se ai është i paditur. Dhe, i padituri është i rrezikshëm. Atë duhet ta keni frikë. Është një njeri që s’e  përmend as edhe një libër, as ka cituar një herë të vetme një thënie të bukur, të paktën. Po t’i kërkoni prej tij dhjetë librat që i ka lexuar, pritni mos të jenë lektyrat e shkollës fillore. Kërkoni një listë leximesh prej tyre. Kur t’i bëjnë publike listat do ta kemi më të lehtë, sepse është e thjeshtë: më trego ç’libra lexon, të të them se cili je!

Lista e librave më poshtë kanë edhe arsyet përse duhet t’i lexojnë politikanët.

  • Trilogjia “ Orestia” , Eskili

Çdo politikan duhet të jetë i drejtë. Kur themi i drejtë nuk e kemi fjalën për mirësinë. Hygoi thotë: “Lehtë të jesh i mirë, vështirë është të jesh i drejtë“. Fjala është për drejtësinë ligjore, së cilës i detyrohet çdo i besuar nga populli. Mos të largohemi nga Eskili, i cili ndryshe është quajtur Poeti i së drejtës . Trilogjia e tij ngjizet nga dhuna dhe hakmarrja e Agamemnonit dhe përfundon me paqe orestiane, falë Eumenideve që e bëjnë gjyqin duke vënë në peshoren e drejtësisë konfliktin. Tek Eumenidet, drejtësia vendoset gjithmonë në fund të konfliktit. Konflikti është ajo e ligë të cilën e drejta përpiqet të eliminojë. Me një fjalë konflikti mbetet problemi dhe drejtësia, zgjidhja e tij.

Sipas Eskilit krimi lind krimin. Drejtësia edhe në kohën politeiste nuk ka qenë diçka që varej nga hyjnitë, por ishte njerëzore. Ajo, kuptohet,  sjell paqen në mes njerëzve dhe  ç’është më e rëndësishmja sjell dhe paqe me veten.

Prandaj, politikanë, nuk ndihmojnë lutjet!

Për të qëndruar në pushtet më gjatë, ndihmon korrektësia (ose idiotët) . Lexoni, që ta mësoni drejtësinë! Ajo mund të vonojë, por gjithqysh një ditë vjen.

* Dikush do të pyesë sigurisht, pse jo Prometheun që është vepër monumentale e Eskilit?! Arsyeja është e thjeshtë, sepse një politikan kurrë nuk flijohet për popullin e tij. Prometheu do të bëjë që politikani të heqë dorë menjëherë nga leximi)

2. Libri i Dostojevskit “Krim dhe ndëshkim”

Politikani nuk duhet t’i kalojë kufijtë njerëzorë. Po t’i kalojë, do t’i bartë pasojat. Ky libër na ballafaqon me ndjenjën e pendesës dhe ringjalljes shpirtërore të Raskolnikovit për të cilën shkrimtari ishte frymëzuar nga një rilindje në lëkurë gjatë internimit të tij në Omsk të Siberisë . Libri paraqet etapat e ngjalljes së një shpirti të vdekur. Raskolnikovi duke vrarë plakën Aliona Ivanovën, vrau në të vërtetë veten e tij. Ai u detyrua që të shkëputet dhe të veçohet nga njerëzit. Vetë emri Raskolnikov vjen nga fjala ruse “raskol”, që do të thotë përçarje, ndarje më dysh, skizëm. Për heroin e Dostojevskit, përçarja ose ndarja më dysh e tij,  ishte e brendshme, ishte një lloj shkëputjeje e dëbimi, ishte një largim e tëhuajsim nga rrethi, miqtë, familjaret, gjë që është një nga dënimet më të ashpra që mund t’i përjetojë njeriu. “Ai që është ‘i rrahur’ në mendje e shpirt, do të jetë gjithnjë i fuqishëm”, thotë Dostoja për “politikanin tonë “. A ka shpresa për këso ringjalljeje? Rrugën për te fitorja “ata” e dinë, po këshilla e plakut thotë: “Rrugës shkurt mos i bjer!“ Sido që të vrasësh, nëse vret, ke vrarë veten, dhe çdo krim ka ndëshkim.

3. “Udhëtimet e Guliverit”, Johnatan Suift

Politikani duhet ta ketë përvojën e shumë vendeve e njerëzve. Në kohën kur u botua libri, e lexuan të gjithë nga më i madhi deri te më i vogli, nga kryeministri deri te shërbëtori. Duket si një libër për fëmijë, po ngjarjet shtrohen thuktë rreth moralit e politikës. Në udhëtimin për Liliput, Suifti thumbon oborrin dhe politikën e Anglisë. Flimnapi, ka rolin e kryeministrit. Blefusku, vendi nga ku Guliveri arratiset, është Franca. Lord Bolinbruku e shihte Evropën ashtu siç i shihte Guliveri Liliputët, si qenie të paskrupullta, komike, të paarsyeshme. Është libri më i dashur për fëmijë, i përfshirë si lektyrë shkollore, mirëpo në sfond është një kritikë e ashpër kundrejt një politike. Ky libër politikanin tonë do ta mësojë si integrohet njeriu në vende të panjohura, me njerëz të ndryshëm. Do ta bëjë atë të shikojë përtej hundës.

4. “Ferma e kafshëve ” nga Xhorxh Oruell

Politikani duhet ta gjejë veten në Fermën e Oruellit – “Ferma e Kafshëve” është alegoria më e famshme politike e shekullit të XX-të. Është një tregim për një grup kafshësh që revoltohen kundër padronit të tyre të keq. Ky është një personazh, tiraninë e te cilit e kishin zgjedhur vetë lloji i tyre. Kemi të bëjmë me një dramë të përsëritur në të gjitha skenat politike. “Nëse do ta njohësh mirë një njeri, jepi pushtet”. Tjetërsimi është i pashmangshëm. Njësoj si korruptimi. Dhe, kjo është arsyeja përse ata shumë shpejt zhyten në humnerën që e gërryejnë nën këmbë, derisa  e arrijnë majën e synuar të malit.

Në libër thuhet : “Të gjitha veprimet e Njeriut janë të këqija. Dhe, mbi të gjitha, asnjë kafshë nuk duhet të tiranizojë kafshë të tjera. Të dobët apo të fortë, të mençur apo të thjeshtë, ne të gjithë jemi vëllezër. Asnjë kafshë nuk duhet të vrasë kurrë një kafshë tjetër. Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”. Sidomos politikani ynë duhet ta analizojë mirë fjalinë e fundit, e cila sikur të jetë shkruar për shoqërinë, politikën dhe aktorët politikë aktualë ndër ne.

*Një sqarim i nevojshëm për shkrimin: Këta janë katër libra që duhet t’i lexojë secili, ndërsa detyrimisht secili që synon  të bëhet politikan. Ai që s’do të bëhet, le të lexojë „njeri“ në vend të fjalës „politikan“.

Xhemazije Rizvani

Është pedagoge e gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Tetovës dhe në Shkollën “Woodrow Wilson” në Tetovë. Aktualisht është në përfundim të tezës së magjistraturës me temë “Intertekstualiteti në poezinë bashkëkohore shqipe”. Shkruan poezi e tregime. Është autore e disa artikujve, eseve dhe studimeve të botuara nga fusha e letërsisë.