Nurie Emrullai

 

Vallë është fat apo ndëshkim që njerëzimit i ranë në dorë tragjeditë e vjetra greke dhe prej asaj dite çdo fatkeqësi që i ndodh ka një emër për ta pagëzuar?! A janë këto tragjedi sozi e Kutisë së Pandorës? Ndonëse themi se njeriu e ka të lindur ndjenjën e hakmarrjes, a kemi menduar se si këto tragjedi kanë ndikuar në psikologjinë e gjithë zhvillimit njerëzor.

Tragjeditë greke e mësuan njeriun të presë për një “Deux ex machina”, e cila në fund do t’i rregullojë gjërat, por jo domosdo duke i ndërtuar ato, përkundrazi, shpesh edhe duke i shkatërruar. Kryesorja, një fillimi t’i jepet një fund. Në tragjeditë antike greke, “Deux ex machina” ka gjithnjë formën e Perëndive, të cilat kanë në dorë fatin dhe rregullimin e situatës, pavarësisht dënimit që lëshonte mbi botë.

Duke u rritur shpirtërisht nëpër letërsi, çdo vepër letrare që kam pasur fat ta lexoj, pavarësisht se çfarë teme trajton dhe çfarë lloji të letërsisë i përket, ndonjë ndodhi qoftë ajo kryesore apo dytësore, më kthen pas në tragjeditë e letërsisë antike greke, e duke kaluar vitet kuptoj se çdo gjë nuk kthehet në tragjeditë e lashta, por ka ngelur atje. Për botën duket si një mallkim a bekim që i ka të krijuara këto vepra. Nëse s’do të ekzistonin nuk di çfarë emrash do të kishi tragjeditë e përditshmërisë, çfarë emri do të kishin personazhet e tipizuara dhe, mbi të gjitha, nuk di në do të besonim e në do të prisnim për një “Deux ex machine”, e cila do ta rregullonte atë që njeriu, nga pamundësia për ta bërë, dorëzohet në fund.

Tragjedia zakonisht trajton temat e mëdha të ekzistencës së njeriut, si; dashurinë, humbjen, krenarinë, shpërdorimin e fuqisë dhe marrëdhëniet e thella midis njerëzve dhe perëndive.  Pse janë të rëndësishme edhe sot tragjeditë greke?

Sikurse dihet, sot drama nuk zë vendin e veçantë që kishte në antikitet. Ajo është “zëvendësuar” me një lloj tjetër arti, por gjithsesi me bërthamë të njëjta, ku:

1. Krimi përsërit krimin; vuajtja përsërit vuajtjen

2. Tragjedia përsërit veten vetëm në kapërcime kohe

Nga nevoja për të kuptuar vuajtjet, për të kuptuar se çfarë qëndron brenda njeriut, nevoja për të bërë të kuptojë tjetrin se çdo gabim paguhet – lindën tragjeditë, të cilat janë rrënjët e çdo tragjedie që u krijua në letërsinë e mëvonshme, duke u futur edhe te të gjitha llojet e arteve.

Tragjedia arrin kulminacionin e saj kur në të nuk vuan dhe nuk pëson fat tragjik vetëm personazhi kryesor, por të gjithë personazhet janë të detyruar të vuajnë dhe ta përjetojnë dhimbjen. Sapo përmendim fjalën tragjedi, nëpër mend na sillen autorët kryesorë të tragjedisë, si: Sofokliu, Euripidi dhe Eskili, bashkë me veprat e tyre: Antigona, Medea, Elektra, Prometheu i mbërthyer…

Duke udhëtuar në kohë vijmë në një tjetër autor tragjedie, i cili thellë-thellë I ka huazuar temat e antikitetit grek, por duke i trajtuar me mjeshtëri në versionin e vet, e ai është Shekspiri.

E po ta hedhim vështrimin në letërsinë shqiptare, është e qartë se drama nuk është pika jonë e fortë.

Ajo që mua më duket më e plota dhe më e bukura në të gjitha pikëpamjet estetike është tragjedia “Prometheu i mbërthyer” i Eskilit. Arsyeja pse unë anoj nga kjo vepër është pasi ky lloj drame vazhdon të shfaqet edhe sot në jetën tonë të  përditshme. Prometheun, përveç që autori e paraqet si një njeri të mençur,  i cili vendosi t’ua falë mençurinë edhe të tjerëve, duhet thënë se ai është një njeri i revoltuar, atëbotë kundër perëndive, e sot  kundër pushtetit. Zjarri është fuqia e mendjes për të vetëdijsuar njeriun se ai e ka në dorë forcën e vet për shkatërrim ose ngritje. Prometheu është personazhi tipik përsëritës, është paraardhësi i Krishtit, të cilin e bënë bir të zotit, të atij zoti që e dënoi Prometheun. Pra, skenat apo tragjeditë janë të ngjashme. Në to ndryshojnë vetëm emrat e personazheve.

Bashëlari e quan figurën e Prometheut “një poetikë të njerëzores”, duke shtuar se “gjithkush ka Prometheun e vet”. Për të Prometheu është “simbol i mosbindjes konstruktive” sipas formulës largpamëse: “Duhet të mos u bindemi baballarëve, në mënyrë që t’i bëjmë punët më mirë se ata”. Prometheu nuk iu bind Zeusit e kësodore bëri për njerëzit punë më të mira se ai. (Albert Kamy, Njeriu, Mendimtari, Artisti, Ardian Marashi, fq. 135).

Prometheu është figura me të cilën tragjedia na e bën të njohur vërtet sakrificën e njeriut, atë se çfarë mund të bëjë ai për llojin e vet ose për veten e tij. Nëse i krahasojmë me tragjedinë e Antigonës, apo të Medeas, jo për nga ngjashmëria, por për nga koha, vërejmë se ato tragjedi janë jo më pak të rëndësishme, por thjesht tema e tyre është më e lehtë për t’u nxënë, sepse ndodh brenda llojit të tyre. Te Prometheu kemi një luftë që zhvillohet midis mendjes dhe fuqisë, ku më në fund triumfon mendja. Mesazhi që lë vepra është shumë i fortë dhe shumë i gjallë, dukë i dhënë njeriut të besojë në veten e tij dhe në llojin e vet, si dhe duke e shtyrë që të jetë i lirë në mendimet e veta, pasi, sikurse thotë Kamyja, ne vetëm në mendje kemi lirinë.

Duke iu qasur kësaj bindjeje me Prometheun, Eskili ua dha njerëzve Purgatorin, në të cilin i pastroi ata dhe në fund ua fali Parajsën.