Përpara se të votosh më 15 tetor
Wednesday, 4 October, 2017
Prania e papranishme e Lasgush Poradecit
Tuesday, 14 November, 2017

Kapitulli i çështjes shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund12 minuta lexim

Anton Pançev

Obshtestvo


 

Intervistë me Albulena Halili-n para zgjedhjeve vendore në Maqedoni 2017 *

 

Obshtestvo: Si e vlerësoni projektin për gjuhën shqipe, i cili u depozitua në Kuvendin e Maqedonisë? A u konvenon shqiptarëve apo nuk e zgjidh problemin me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe?

Albulena Halili: Që në krye të herës bëhet fjalë për një mashtrim të radhës. Projekti i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë në gusht të këtij viti nuk është projekt për gjuhën shqipe por emërtimi i tij zyrtar është propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve. Pra, sërish sikur edhe në amendamentet kushtetuese që dolën nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, edhe në këtë propozim ligj gjuha shqipe nuk përmendet shprehimisht, por asaj i referohet me “gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve”.

E dyta, ky ligj është përfshirë qëllimshëm në programin nacional për miratim të së drejtës së UE-së 2017-2019 ku parashihen masat e planifikuara për realizim gjatë dy viteve të ardhshme, duke e konsideruar atë si pjesë të procesit të Euro-integrimit. Për të satën herë, në emër të proceseve euro-atlantike, ndaj të cilave shqiptarët kurrë nuk kanë pasur ndonjë hezitim, por përkundrazi kanë qenë përshpejtues të tyre, bëhen zotime të rreme për një çështje mjaft të rëndësishme siç është statusi i gjuhës shqipe në Maqedoni.

E treta, ky propozim nuk bëhet për një ligj të ri. Siç edhe thuhet në dokumentin zyrtar, “qëllimi i miratimit të ligjit është shndërrimi konsekuent i amendamenteve kushtetuese në tekste ligjore në raport me përdorimin dhe zbatimin e gjuhës që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimit të saj”. Sipas këtij qëllimi, me të drejtë mund të konstatojmë dështimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit gjashtëmbëdhjetë vjet nga nënshkrimi i saj, mospërmbushjen e detyrimeve nga ana e institucioneve përgjegjëse për shndërrimin në ligje të amendamenteve kushtetuese të miratuara në vitin 2001, gjë e cila nuk amniston asnjë subjekt politik i cili ka qenë në qeverisje këto gjashtëmbëdhjetë vite. Ky propozim ligj është vetëm një plan veprimi për përmbushje të obligimeve të cilat është dashur të përmbushen deri në vitin 2004. Mu për këtë arsye kryeministri Zaev në deklaratat e tij të fundit ka deklaruar se me këtë ligj ne po e mbyllim Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Ironia e fundit e po të njëjtës qeveri është se këtë muaj ka miratuar njëmbëdhjetë propozim-masa për avancimin e gjuhës maqedonase, në mesin e të cilave edhe afirmimi i gjuhës maqedonase në universitetet botërore, hapja e Qendrës maqedonistike “Makedonikum”, krijimi i fondit për shkrimin dhe botimin e veprave që i dedikohen gjuhës maqedonase e ngjashëm.

Gjuha maqedonase de facto dhe de jure është gjuha zyrtare e këtij shteti. Gjuha shqipe mbetet edhe më tej gjuhë e nënrenditur, ndërkaq përdorimi i saj – i nënkuptuar.

 

Obshtestvo: Qeveria e Zaevit është në pushtet pak më shumë se 100 ditë. Si mendoni, a plotësohen kërkesat e shqiptarëve nga Platforma shqiptare?

Albulena Halili: Që nga krijimi i qeverisë së re fatkeqësisht askush nuk e ka përmendur më Deklaratën e Përbashkët të Partive Politike Shqiptare në Maqedoni. Kjo për shkakun se ishin vetë nënshkruesit e saj ata të cilët e braktisën të parët. Shqiptarët u pajtuan të bëhen pjesë e qeverisë, pa kushte, gjegjësisht me kushtet e vëna nga LSDM-ja. Në maj të këtij viti, në emër të shumicës parlamentare, pra edhe në emër të shqiptarëve, kreu i kësaj partie, Zaev, përmes një deklarate me katër pika, zotohej se asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim nuk mund të jenë kushte apo bazë për formimin dhe funksionimin e Qeverisë së Maqedonisë.

Lidhur me këtë dështim ekzistojnë dy faktorë:

Së pari, mungesa e vullnetit të subjekteve politike shqiptare që të përmbushin zotimet e bëra në këtë deklaratë të firmosur nga vetë ata. Subjektet politike shqiptare lëngojnë nga papjekuria e theksuar politike që i pamundëson të bëjnë dallimin mes interesit partiak dhe interesit kombëtar, apo politikës ditore dhe strategjisë së përbashkët kombëtare. Kjo papjekuri, e kombinuar me influencat e jashtme destruktive në rajon, sjell pasoja të pariparueshme dhe afatgjata për procesin politik shqiptar në këtë hapësirë.

Së dyti, shqiptarët kanë dhënë kontributin e radhës për stabilitetin e rajonit. Ata edhe njëherë kanë dëshmuar se janë partnerë të Perëndimit në procesin e rreshtimit të drejtë të Maqedonisë, pas krizës së madhe të orientimit gjeostrategjik, nëpër të cilën ajo kaloi vitet e shkuara.

Me një fjalë, shqiptarët kanë pezulluar kërkesat e tyre të parapara në Deklaratë për një qëllim më parësor e që është anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se kapitulli i çështjes shqiptare në Maqedoni ka marrë fund. Barazia e plotë kushtetuese mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe zbatimi i parimeve jo vetëm të shoqërisë por të shtetit multi-etnik janë parakushtet themelore për ekzistencën e Maqedonisë.

 

Obshtestvo: Më 15 tetor në Maqedoni do të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe partitë shqiptare hyjnë të ndara në to. A ka gjasa t’i humbin postet e kryebashkiakëve në Strugë dhe në Kërçovë?

Albulena Halili: Përpara se të flas për zgjedhjet vendore të tetorit, do të doja të qartësoj ca fakte mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë me listën zgjedhore, e që subjektet politike po as edhe mediat shqiptare nuk i diskutuan fare. Sipas statistikave të përafërta për numrin e popullsisë së Maqedonisë në vitin 2016, meqenëse numri i saktë mungon sepse Maqedonia nuk ka kryer regjistrimin e popullsisë që nga viti 2002, numri i popullsisë është 2 072 490, ndërkaq numri i votuesve në listën zgjedhore është 1 814 644. Për çdo njeri me logjikë të shëndoshë është e panatyrshme që 87.5% e popullsisë të kenë të drejtë vote.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare që u mbajtën në dhjetor të 2016-tës, vetëm nëntë muaj më parë, lista zgjedhore numëronte 1 784 416 votues. Pra, më shumë se 30 000 votues të cilët u fshinë nga lista zgjedhore vitin e kaluar, u rikthyen sërish në listën zgjedhore për zgjedhjet vendore, në mënyrë të pashpjegueshme.

Sa u përket komunave të Strugës e Kërçovës do të veçoja dy manipulime:

Njëri ka të bëjë me ligjin kundërthënës mbi ndarjen territoriale të komunave në Maqedoni, me të cilin artificialisht është rritur numri i votuesve maqedonas duke krijuar komuna rurale shqiptare dhe komuna urbane me shumicë maqedonase.

Ndërkaq tjetri bëhet me kategorinë në listën e votuesve me punë apo qëndrim të përkohshëm jashtë vendit. Dallimi mes dy listave zgjedhore sa i përket kësaj kategorie është 153 051 votues më pak për këto zgjedhje.

Zhvillimet e fundit na krijojnë përshtypjen se Kërçova e Struga nuk do të rrezikohen as këtë herë, por pas mbarimit të zgjedhjeve, subjektet politike shqiptare duhet të ulen dhe të shtrojnë për diskutim problemet e sipërpërmendura.

 

Obshtestvo: BDI dhe LSDM faktikisht e kanë krijuar një koalicion parazgjedhor. A do të kenë sukses nga përkrahja e ndërsjellë?

Albulena Halili: Mendoj se nuk ekziston ndonjë koalicion zyrtar parazgjedhor mes këtyre dy partive dhe se mediat padrejtësisht po krijojnë një opinion të tillë. Natyrisht se nuk mund të flas bindshëm për marrëveshjet e tyre të brendshme. Megjithatë ata janë partnerë të së njëjtës qeveri dhe sigurisht që mund të kenë interesa dhe pazare të përbashkëta. Deri këtu gjithçka është normale.

Ajo që mund të keqkuptohet apo edhe të ketë ndikim çorientues, sidomos te shqiptarët, është krijimi i bindjes se është krejtësisht e natyrshme, madje inkurajohet të votohet për një kandidat maqedonas, në rrethana kur e kundërta nuk ndodh apo ndodh fare rrallë. Pra, kemi të bëjmë me një raport që nuk është i ndërsjellë.

Dukuria tjetër është përfshirja e kandidatëve shqiptarë në listat e LSDM-së. Kjo shkakton huti te votuesi shqiptar për shkak edhe të përçarjes së votës shqiptare në shumë subjekte politike, në kohën kur më shumë se kurrë na duhet qëndrim dhe veprim unik. Përmes konsolidimit dhe përbashkimit të faktorit politik shqiptar duhet të arrihet dekurajimi i individëve të cilët në emër të përkatësisë etnike, për interesa personale i manipulojnë votuesit hallexhinj shqiptar, duke u inkuadruar në partitë maqedonase kinse të reformuara.

Që nga koha e protestave për rrëzimin e qeverisë së kaluar, LSDM propagandonte se ishte krijuar një koalicion gjithëpopullor dhe mbietnik kundër pushtetit. Natyrisht që ky fenomen ka më shumë nuanca të efektit psikologjik se sa real dhe prodhon energji eskatike momentale. Zhizhek, filozof bashkëkohor do të thoshte se e vërteta gjendet te qytetari i rëndomtë në kohën kur gjithçka ka marrë fund dhe kur kjo energji ka mbaruar. A e ndjen qytetari i rëndomtë diferencën? Unë do të pyesja a e ndjen qytetari shqiptar diferencën?

  

Obshtestvo: Në rast se partitë e koalicionit qeveritar nuk do të fitojnë më shumë vota sesa partitë opozitare, a mund të presim zgjedhje të reja parlamentare?

Albulena Halili: Ky koalicion qeveritar ndoshta është koalicioni më i brishtë qeveritar në historinë e këtij shteti. Në këto zgjedhje janë krijuar precedentë që do të kenë ndikim afatgjatë në krijimin e të gjitha qeverive të ardhshme. Për herë të parë mandatar për krijimin e qeverisë nga blloku maqedonas është LSDM, e cila nuk kishte marrë shumicën e votave maqedonase, por po ashtu për herë të parë kishte marrë një numër të konsiderueshëm të votave shqiptare dhe të tjerëve. Ndërkaq në bllokun shqiptar ndodhet BDI, e cila është në pushtet pandërprerë pothuajse dhjetë vjet dhe një Aleancë shqiptare e përçarë, e cila para ndërrimit të pushtetit ka qenë një kundërshtare e pakompromis e partisë shqiptare me të cilën është partnere koalicioni.

Këtu dua ta theksoj bindjen time se votat shqiptare për LSDM-në kanë qenë vota të përkohshme por edhe mjaft realiste. Ato i kanë shërbyer vetëm qëllimit të rrëzimit të regjimit të Gruevskit. Andaj jam skeptike se LSDM edhe përkundër përpjekjeve për t’u shfaqur si një parti e reformuar e mbietnike, do të mundë të marrë votat e shqiptarëve si në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Padyshim mendoj se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por këtë nuk do ta lidhja aq shumë me rezultatin zgjedhor, sa me brishtësinë e koalicionit dhe përkushtimin, sidomos të palës maqedonase në pushtet për të garantuar barazinë e shqiptarëve në të gjitha sferat dhe gatishmërinë e njëmendët për të pranuar shqiptarët si popull shtet-formues i barabartë me popullin maqedonas.

 

Obshtestvo: Bullgaria dhe Maqedonia nënshkruan marrëveshje për fqinjësi të mirë. Si vlerësohet nga politikanët dhe ekspertët shqiptarë kjo marrëveshje?

Albulena Halili: Maqedonia u krijua si shtet nën tutelën e Jugosllavisë dhe meqenëse nuk u shqua ndonjëherë brenda federatës, pas pavarësimit, ajo trashëgoi po atë pasiguri dhe paaftësi për të krijuar politikën e saj të jashtme të pavarur nga vazhdimësia e politikës së jashtme jugosllave.

Mëdyshjet identitare dhe përpjekjet utopike për krijimin e një kombi të ri politik u ndeshën me çështjen shqiptare brenda saj dhe me politikat e jashtme të qarta dhe të konsoliduara të fqinjëve përreth. Kontesti me Greqinë për emrin, me Serbinë për kishën dhe Bullgarinë për identitetin dhe prejardhjen e vetë e të gjuhës, e shndërruan Maqedoninë në gjenerator krizash bilaterale në qendër të Ballkanit. Këto rrethana së bashku me ngecjen e Maqedonisë në demokratizimin e tërësishëm të vendit, bënë që ajo të mbetet larg integrimit në strukturën euro-atlantike.

Sot, kur flitet për integrimin e Maqedonisë në NATO, më shkon ndër mend thënia e njohur e Makiavelit “Qëllimi arsyeton mjetet.” Maqedonisë i duhet integrimi në NATO për dy arsye: për profilizim të orientimit strategjik dhe për stabilizim të brendshëm. Kësisoj vlerësohet edhe marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, pra si një vullnet i fqinjëve për kompromise për çështje jetike për ta, në të mirë të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, kultivimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe ruajtjes së vlerave perëndimore.

Subjektet politike shqiptare në Deklaratën e përbashkët, në pikën 6 – Marrëdhënie të mira me fqinjët, kanë paraparë “Përfshirje të shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë”, por deri tani nuk është bërë publik asnjë qëndrim lidhur me përfshirjen e tyre gjatë lidhjes së kësaj marrëveshje.

 

* Intervista është dhënë ekskluzivisht për portalin bullgar obshtestvo.net.

 

(Visited 3 times, 1 visits today)
Share This