Epiri si Atdhe
Monday, 5 February, 2018

Ju më njihni2 minuta lexim

Izmi Zeka


 

JU MË NJIHNI

 

Agim Ramadanit

 

Ju më njihni

Besoj

Pranë lisave istikam u bëra

Ku lulet sot çelin

Besoj se më njihni

Isha në Llap, Karadak, Dukagjin

Kalova brigjeve, maleve

Dhe gjithkund shkrova tri shkronja

 

Besoj se më njihni

 

Jam një jetë me Azemin, Isën, Hasanin

Ju më njihni në vallen e nisur

Përtej brigjeve të lumit Shkumbin

 

E sot

erdha me plagë në shtat

T’ju them

Prej varreve keni porosi

Dardaninë mos e leni në gjak e lot

Plisi, lisi, fisi, Ademi, Jusufi, Kadriu

Rexhepi, Nuhiu

Bëjnë roje

Ju më njihni

Dikur thura balada, poezi

Këngë me sharkinë time

E tytën kuq e bëra

Vetëm për një emër

Prandaj ju më njihni

Mund të më gjeni kudo

Në malet e Zhegocit

Në Qyqavicë

te familja e Jasharajve

Kudo

 

Besoj se më lehtë e keni

Të më njihni

Merrni e shikoni

Flamurin kuq e zi

Dhe mund të dini

Se nga erdha

Shikoni të çarat e tokës

Kullën e shpuar me vite

Atëherë mund të dini

Se nga erdha

Nëse doni të dini

Përse vdekja e mundi vdekjen

Pyeteni Kosovën

Ajo më mban në gji

Tash besoj se më njihni

Theva kufij

Që mure ishin bërë

Dhe i thashë lamtumirë territ

Shihemi në dritë

Dhe u nisa për në Karadak

 

Prandaj më njihni

Artin luftë e bëra

E poezinë breshëri plumbash

Mbi korbat e zinj

Sigurisht më njihni

Jam Kosharja

Jam aty den baba den

Ku poezia mbeti për t’u vazhduar

Se këngën ende s’e kisha përfunduar

 

Andaj më njihni

Do të vij

Do të vij…

Një ditë

në dasmën e madhe

 

 

***

 

 

EU BAC, MË ERDHE

 

Eu Bac, dridhi mustaqet

Nga Kaçaniku deri në Vlorë

As edhe krismat s’po gjejnë rrugën

Pa ty bac

s’ka vend liria

 

Eu Bac

hijërëndë

Në tokën arbërore

Ku koburja zhurmën,

Zhurmën krismë e ka

 

Eu Bac

po gjatë të prita

Bashkë me Isën në Kaçanik

E sot ti erdhe

Bac

Pa e thënë as edhe një fjalë

 

Eu Bac

gjerdani mirë po të rrika

Buza gaz përtej Drinit

Sot Shqipëri andej e këndej

Bac

me ty e nisëm

E zemra mal është bërë

 

Eu Bac

nuk erdhe si dikur

Me shallvare thanë u bë Shqipëri

E mustaqet

dredhë dredhë

Luftën e pate e ndërrove histori

 

Eu Bac

hijerëndë

Erdhe kur dy botëra u bënë bashkë

Bac

po kam urti

Për ty

për mua

Për nënën Shqipëri

 

Eu Bac

nuk të harruam

Lapsi shkrumb u bë

E violina copë-copë

Sall për shqiptari

 

(Visited 65 times, 1 visits today)
Share This