Gurakuç Kuçi

 

Shoqëritë jokohezive pësojnë kolaps ashtu siç pësoi Jugosllavia.

Më 25 janar ishte ditëlindja e largpamësit Arbën Xhaferi. Njeriut pikëpamjet e të cilit, teksa lexoja tek intervistat e bëra me Rudina Xhungën, e cila i ka mbledhur në një libër, nuk mund të mos i rilexoja deri sa nuk i kuptova dhe i mësova përmendësh.

Në njërën nga intervistat e tij,  Xhaferi kishte thënë kështu:“Ne nuk ndikuam që të shpërbëhet Jugosllavia, as Austro-Hungaria, as Perandoria Osmane. Këto shtete u shpërbënë për shkak të tendencës historike që i dromcon këto shtete heterogjene pasi ato nuk janë ekonomikisht funksionale dhe nga aspekti shoqëror janë jokohezive. Shoqëritë jokohezive pësojnë kolaps ashtu siç pësoi Jugosllavia. Shoqëritë multietnike mund të funksionojnë nëse krijohet shteti multietnik, pra krijohen mekanizma që kontrollojnë mënyrën sesi funksionon diversiteti brenda atij shteti.”

Evropa në përgjithësi, por edhe Ballkani në veçanti, asnjëherë nuk kanë pasur një kohezion shoqëror, politik apo kulturor e madje as bashkëpunues, andaj edhe pikërisht në kontinentin e Evropës sot gjejmë lindjen e nacionalizmit dhe lindjen e balancës së fuqisë.

Mirëpo, nacionalizmi dhe balanca e fuqisë nuk ishin gjëra edhe gjithaq të këqija, pasi ato krijuan unitetin, afruan popujt, secili popull krijoi identitetin, ekzistencën dhe mbijetesën e vet. Madje Xhaferi për nacionalizmin fliste me nota gjithmonë pozitive duke e quajtur atë “diga që lëviz popujt, që i çon ata përpara”.

Ndërkaq, balanca e fuqisë arriti të krijojë një rend, të cilin duhej ta respektojë secili  sepse kishte dinjitetin e mbijetesës dhe vetëmbrojtjes me aleatët e vet.Nëse kërcënohej aleanca apo rendi sigurisht që pasonte lufta. Kërcënimi i këtij rendi e sidomos i rendeve jokohezive, tregoi që aleancat joparimore nuk mbijetojnë, andaj pasuan luftërat e njëpasnjëshme.

Edhe perandoritë, të cilat duke u fryrë dhe duke mos pasur kohezion shoqëror, përveç që viheshin në pah shumë kërkesa, ato e  prishnin edhe centralizimin e shtetit, pasi krijonin aq shumë shpërndarje të pushtetit saqë secili bëhej shtet brenda shtetit, e kështu paaftësia e kontrollimit të tyre, prishte kohezionin shoqëror dhe frynte perandoritë nga dekonspirimi i pushtetit deri në shpërbërje e luftëra të reja.

Jugosllavia, poashtu u shpërbë për shkak të interesave të mëdha dhe diversitetit të papajtueshëm mes vendeve dhe popujve, e kjo papajtueshmëri e arriti kulmin kur Serbia  kërkoi që të prishë një jokohezion për të krijuar një jokohezion tjetër me forcë.

Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë gjetur veten në këto zgjidhje të problemeve për e mbrojtjen e interesave të tyre njëtrajtshëm dhe si pasojë çdo herë kanë qenë viktimë e projekteve të të tjerëve. Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur një projekt madje as për të mbrojtur aspiratat e tyre, dhe  doktrinë që do na bënte aleat me Perëndimin në bazë të parimeve të përbashkëta.

Si pasojë e mungesës së kësaj doktrine, sot shqiptarët po detyrohen të jetojnë dhe pranojnë projekte të multietnicitetit, projekte këto që janë treguar joefektive edhe në perandoritë e shtetet më diktatoriale.

Të njëjtat projekte në demokracitë e zhvilluara dhe moderne shfaqen nën petkun e multikulturalizmit, por së fundmi po duket qartë dështimi për jetësimin e tyre. Edhe vetë kancelarja Merkel rishtas pati deklaruar se multikulturalizmi ka vdekur.

Krijimi i mekanizmave për funksionimin e multietnicitetit duhet të ketë disa baza.

Funksionimi i një shteti multietnik mund të jetësohet  vetëm në vendet, të cilat kanë një traditë shtet-ndërtimi dhe mbi të gjitha nuk kanë një të kaluar të përgjakshme, e cila i bën armiq mes veti.

Shteti multietnik mund të funksionojë vetëm në vendet me stabilitet politik dhe kohezion shoqëror dhe jo në Ballkan, pasi shtetet multietnike në Ballkan janë të ndërtuara mbi shumë padrejtësi historike dhe si të tilla i bënë jofunksionale dhe jo unike pasi çdo herë theksohen  padrejtësitë.

Shteti multietnik nuk mund të funksionojë në Ballkan përderisa armiqësitë në mes popujve janë gjithmonë në kërkim të diçkaje që i bën ngadhënjyes dhe etnikë, duke i larguar nga multietniciteti.

Nuk mund të funksionojë një shtet multietnik kur vetë etnitë e atij shteti nuk kanë një kohezion të brendshëm.

Paqja ka arritur kulmin e vetë vetëm kur secili komb ka arritur qëllimin e vet kombëtar brenda kufijve të tij dhe është larguar nga synimet ekspansioniste përtej kufijve kombëtarë apo etnikë.

Shtetet multietnike në Ballkan do të jenë madje edhe për një kohë jofunksionale, pasi janë të ndërtuara mbi baza të forcës, mos-konsensusit mes popujve dhe nëpërmjet pazareve politike që i ka mbajtur jashtë interesat e popujve pa përjashtim.

Duke mos funksionuar politikisht, sigurisht që vendet e tilla nuk mund të funksionojnë as ekonomikisht, pasi politika dhe institucionalizimi politik i qëndrueshëm, liberal-demokratik, ashtu siç pohojnë Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin e tyre “Përse kombet dështojnë”,  i lë popujt e Ballkanit në varfëri si pasojë edhe të politikave të imponuara nga jashtë, të cilat janë jofunksionale dhe i lënë këto vende të pazhvilluara ekonomikisht.

Pra, duke mos qenë të pjekur politikisht dhe institucionalisht, duhet së pari që të ndiqet rruga e stabilitetit të vendeve perëndimore, pra, kalimi nga uniteti etnik dhe stabiliteti etnik, pastaj institucionalizimi etnik e deri tek bashkëpunimi fqinjësor.

Vetëm arritja e një paqeje konsensuale dhe  drejtësia e mirë-drejtuar nga Perëndimi në bashkëpunim të thellë dhe të hollë me elitën politike të Ballkanit dhe pa imponime mund ta stabilizoj këtë rajon. Përndryshe me imponime të projekteve të tyre që nuk i shkojnë aspak për shtati Ballkanit nuk mund të arrihet askund, pasi duke vazhduar kështu asnjëherë nuk do të shuhen etjet e shteteve fqinje për t’i realizuar projektet e tyre për tokat shqiptare e sidomos projektet e Serbisë.

Por, pranimi i gabimit dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt krijimit dhe realizimit të interesave me negociata të drejta dhe jo të imponuara me restrikcione nga bashkësia ndërkombëtare do të ishin opsionet  fitimtare.

Bashkësisë ndërkombëtare, nëse do t’i interesoj  vetëm paqja dhe jo drejtësia ashtu siç pohonte dikur edhe vetë Lordi Grey, nuk do të arrihet që asnjëherë të krijohet paqja, dhe si i tillë Ballkani  gjithmonë do të mbetet një vatër e krizave.

Mjetet multietnike për funksionimin e shteteve etnike,  do të vazhdojnë të mungojnë dhe ato po vazhdojnë t’i bëjnë vendet e Ballkanit jofunksionale, përderisa kërkohet që brenda shteteve multietnike të krijohen instrumente politike etnike.

Sot, në kohën kur qytetaria po ngrihet dhe po bën pjesë në vendimmarrje çdo herë e më shumë dhe në të njëjtën kohë bashkësia ndërkombëtare tenton që projektet e veta t’i imponojë pa pëlqimin e popullit, ato do të vazhdojnë të zgjojnë zemërimin e publikut dhe kundërshtimin e tyre, meqenëse duke mos qenë pjesëmarrës në informacionet e drejtpërdrejta ata kanë të drejtë të dyshojnë në projektet e të tjerëve për ta.

Veprime të tilla nuk është e thënë që të mos mund të fillojnë edhe nga vetë vendet e Ballkanit në përgjithësi apo shqiptarët e sidomos klasa akademike dhe intelektuale shqiptare në veçanti.