PanAlbanica ka zënë fill si një rrjet njerëzish, botëkuptimet e të cilëve nuk ravijëzohen nga kufijtë, çfarëdo qofshin ata. Thelbi i këtij rrjeti është të menduarit jashtë mureve të vendosura artificialisht në hapësirë dhe në kokat tona njëkohësisht. Andaj PanAlbanica është një agorë përsiatjesh e debatesh që do të përpiqet të japë një dorë në shembjen e këtyre mureve në botën e rrjetëzuar në të cilën jetojmë sot. Që nga 17 janar 2016, PanAlbanica ka agorën e saj ku shpërfaqen përtejkumtet, përsiatjet, analizat me tejqyrë, shëmbëllimet për mbrothësinë kombëtare pa kufij në kokat tona. Rrjeti PanAlbanica është jofitimprurës dhe mbështetet nga vetë anëtarët e saj, e që janë:

Albulenë Halili

Është doktorante për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Fusha e saj hulumtuese është e përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike. Ka magjistruar për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën "Sistemi i Versajës - një rend ndërkombëtar i paqëndrueshëm". Punon si udhëheqëse e Zyrës për kërkime shkencore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Lexo shkrimet e autorit

Blerina Demiri

Është studente e vitit të tretë në degën e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Gjatë kohës kur vijonte mësimet në Gjimnazin e Tetovës, ka qenë kryeredaktore e revistës “Gjimnazisti”. Ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e trajnimeve të shumta mbi komunikimin, artin e të folurit dhe politikën. I është bashkangjitur rrjetit PanAlbanica me të njëjtin pasion që ka për fjalën e shkruar shqipe. Në vitin 2016 ka qëndruar për një semestër në Institutin Katolik të Studimeve të Larta (Institut Catholique d'Etudes Superieures) në Francë, ndërkaq aktualisht vijon studimet për shkenca politike në Universitetin e Lubjanës, në kuadër të programit Erasmus+ për këmbim studentor.

Lexo shkrimet e autorit

Bujar Sinani

Aktualisht i punësuar në Universitetin e Evropës Juglindore si përgjegjës i Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Bujar Sinani ka punuar si ligjërues i gjuhës frënge që nga viti 2002 në UEJL, ndërsa po këtë detyrë e ka ushtruar edhe në Aleancën Franceze në Tetovë, ku sot mban postin e presidentit. Mban titullin Master nga Universiteti Paris Est-Creteil në Administrim publik dhe këmbime ndërkombëtare. Ka punuar si korrespodent sporti i gazetës “Flaka” dhe si gazetar sportiv në “Radio Tetova”. Është doktorant në Universitetin Nantes në Francë, ndërsa fusha e tij e hulumtimit është e përqendruar në paraqitjen dhe manifestimin e dhunës verbale në media.

Lexo shkrimet e autorit

Fatmir Arifi

Është doktorant në Universitetin e Tetovës. Ka kryer studimet universitare në Fakulteti Filozofik, dega e historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci me tezën e magjistraturës “Sfidat e rendit të ri botëror”. Është autor i shumë studimeve të botuara në revista shkencore vendore e ndërkombëtare. Po ashtu është autor i analizave të ndryshme gjeopolitike e të tjera në gazeta e revista shqiptare. Në PanAlbanica ka kontribuar kryesisht në rubrikën Me tejqyrë.

Lexo shkrimet e autorit

Kushtrim Bekteshi

Kushtrim Bekteshi ka realizuar dhjetëra shfaqje teatrore në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Turqi, si dhe dy filma të metrazhit të shkurtër dhe një film të metrazhit të gjatë. Ka kryer studimet për regji teatri dhe më pas edhe studimet e magjistraturës për skenar filmi dhe televizioni në Fakultetin e Artit Dramatik-Shkup. Shfaqjet e tij teatrore janë prezantuar në kuadër të disa festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shpërblyer me disa çmime për regjisor dhe për shfaqje më të mirë, ndër të cilat çmimi “Kult” për regjisor të vitit në Shqipëri (2010), për shfaqjen “Kush ka frikë nga Virginia Wolf”, e realizuar në Teatrin Kombëtar në Tiranë; çmimin për shfaqjen më të mirë të vitit në Kosovë (2015), për shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjve”, shfaqje e realizuar në Teatrin e Prizrenit. Është autor i dramës “Shpresë në ikje”. Momentalisht është docent në katedrën për regji teatri në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup.

Lexo shkrimet e autorit

Mensur Mamuti

Mensur Mamuti, redaktor përgjegjës i rubrikës Gjë(ra)egjëza në PanAlbanica është inxhinier i Shkencave Kompjuterike dhe punon në UEJL, në sektorin për Dizajn dhe Multimedia. Që nga 1994 është redaktor kryesor i kuizit të diturisë, "Ramazani". Autor dhe botues i Revistës enigmatike "Rebusi". Autor dhe udhëheqës i programeve "Rebus-Bleta" dhe "Enigma" në radio të ndryshme në Tetovë. Gjatë viti 2004 ka qenë autor dhe regjisor i programit televiziv "Mix Age" në TVM. Që nga viti 2016 është redaktor përgjegjës i rubrikës enigmatike "Koha e lirë" në gazetën "Koha" që botohet në Shkup. Është autor i revistës "100 fjalëkryqe për 100 vjetorin", në 100-vjetorin e Pavarësisë.

Lexo shkrimet e autorit

Shemsedin Ibrahimi

Pas përfundimit të Fakulteti të Gazetarisë në Tiranë, Shemsedin Ibrahimi profesionin e gazetarisë e ka ushtruar në disa media lokale dhe nacionale. Si korrespodent nga Tetova, ka punuar edhe në disa gazeta të njohura ditore, si “Koha Ditore”, “Lajm Maqedoni” dhe më pas edhe si korrespodent kryesor nga Tetova i Televizionit të Maqedonisë - programi në gjuhën shqipe. Aktualisht punon në Zyrën për marrëdhënie me publikun në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Shkrimet e tij të fundit në PanAlbanica kryesisht trajtojnë tema të aktualitetit politik në hapësirën shqiptare në Ballkan.

Lexo shkrimet e autorit

Vjollcë Berisha

Është pedagoge e letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës. Ka magjistruar në vitin 2010 për poezinë bashkëkohore, përkatësisht për poezinë e Ismail Kadaresë, me temë “Vëllimi “Shekulli im” i Ismail Kadaresë – gjeneza e frzmëzimit dhe modeli i ligjërimit”. Është doktorante në fushën e Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka botuar përmbledhjen poetike “Në xhep kam një botë”. Ka botuar artikuj e studime në revista shkencore e letrare. Jeton në Tetovë.

Lexo shkrimet e autorit

Xhemazije Rizvani

Është pedagoge e gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Tetovës dhe në Shkollën “Woodrow Wilson” në Tetovë. Aktualisht është në përfundim të tezës së magjistraturës me temë “Intertekstualiteti në poezinë bashkëkohore shqipe”. Shkruan poezi e tregime. Është autore e disa artikujve, eseve dhe studimeve të botuara nga fusha e letërsisë.

Lexo shkrimet e autorit

Të gjithë ju që konsideroni se ne po mendojmë kthjellët në këtë botë të turbullt, e që edhe ju mund të bëheni një vegëz më shumë e këtij rrjeti, na shkruani në panalbanica@gmail.com