PanAlbanica

 

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt këto ditë në Sofje, si duket do të mbahet mend për përhapjen e lajmit të arritjes së një marrëveshjeje parimore për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Por, në të vërtetë Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u shpreh se “një nga opsionet është një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Ne vazhdojmë me konsultimet në shtëpi, për të parë nëse institucionet … nëse zbatimi i kësaj lloj zgjidhjeje është praktikisht i mundshëm. Nëse kjo është e mundur, ndoshta do të kemi një zgjidhje”. Kryeministri i Greqisë, Aleksandër Cipras, pohoi se kanë gjetur shumë pika të përbashkëta, por jo se është arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me kontestin e emrit të Maqedonisë.

Në opinionin shqiptar dhe atë maqedonas në Maqedoni, deri më tani kanë qarkulluar shumë emra të mundshëm, si propozime të dala nga takimet mes ekipeve të negocimit të Maqedonisë dhe Greqisë. Burime të panjohura thonë se Republika e Maqedonisë së Ilindenit është kompromisi i arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë, që si duket është i pranueshëm për palën maqedonase pa dallim të ideologjisë politike. Megjithëse akoma i pakonfirmuar dhe me shumë gjasa që të jetë vetëm një spin, lidhur me këtë propozim, si edhe deri më tani nuk ka ende asnjë reagim nga pala shqiptare në Maqedoni, por as nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Të vetmit që kanë shprehur mendimin e tyre për propozimin e ri për emrin e Maqedonisë, janë bullgarët. Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë, ka deklaruar se ky propozim është i pranueshëm për Bullgarinë. Sipas saj, ky emër tregon se të dyja shtetet tona kanë një të kaluar të përbashkët. A do të jetë i pranueshëm për shqiptarët ky emër, mbetet të shihet në ditët në vijim.

Deri më tani, në spektrin politik shqiptar, vetëm nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, ka deklaruar në një emision televiziv maqedonas se “Ilindeni na bashkon”. Madje duke iu referuar Kryengritjes së Ilindenit, ajo ka thënë se “bëhet fjalë për një moment kur ne si popuj absolutisht kemi pasur një ideal dhe synim të përbashkët për më shumë dinjitet”. Megjithatë kjo deklaratë, duhet të merret me shumë rezervë, meqenëse akoma nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga partia që ajo përfaqëson.

Por çka në të vërtetë është Ilindeni dhe sa realisht i përfaqëson ai shqiptarët?

Ilindeni është një ditë e rëndësishme për maqedonasit meqenëse përmban komponentën nacionale maqedonase dhe atë fetare sllavo-ortodokse. Njëkohësisht mund të konsiderohet se Ilindeni është festa kryesore në shtetin monoetnik të Maqedonisë ku jetojnë më shumë 30% shqiptarë. Por cila është domethënia e kësaj feste?

Në vitin 1903, më 2 gusht është organizuar Kryengritja e Ilindenit, një kryengritje e organizuar nga Organizata Revolucionare Maqedonase (e njohur si paraardhëse e partisë së djathtë maqedonase OBRM-PDUKM ose në maqedonisht – VMRO-DPMNE-së) kundër Perandorisë Osmane. Kjo organizatë, qëllimet dhe përfaqësuesit e saj janë objekt kontesti dhe pretendimesh për përvetësim nga të dy popujt, maqedonas e bullgarë. Pas fitores së kësaj lufte, u krijua Republika e Krushevës, ku thuhet se në mënyrë të barabartë janë përfaqësuar maqedonasit, shqiptarët dhe vllehët. Pra kjo kryengritje përdoret për të dëshmuar se në Maqedoni solidarizimi dhe bashkëpunimi mes etnive ka ekzistuar gjithmonë. Por, kjo është festë edhe për të majtën maqedonase. Më 2 gusht 1944 në manastirin “Prohor Pçinski”, i cili sot ndodhet në Serbi, është mbajtur kuvendi i parë i KAÇKM-it (Kuvendi Antifashist Nacional për Çlirim të Maqedonisë) ku është vërtetuar Maqedonia si njësi federale e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi . Maqedonasit e quajnë Ilindeni i dytë. Ilindeni për maqedonasit është edhe festë fetare. Ilinden në shqip do të thotë dita e Ilisë. Shën Ilija (Sveti Ilija) sipas besimit sllavo-ortodoks është profet që lidhet me kultin e e rrufesë.

Në opinionin maqedonas, pavarësia e Maqedonisë nga Jugosllavia, akt i cili u bë me bojkotimin e referendumit nga ana shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, njihet si Ilindeni i tretë dhe kanë paralajmëruar se një zgjidhje e kontestit të emrit sipas propozimit të ri do të përfaqësonte Ilindenin e katërt për Maqedoninë.