Futbolli është një lojë, e cila na preokupon gjatë tërë kohës. Nuk duhen bërë analiza të thella për të arritur tek përfundimi se ky sport na ka bërë për vete dhe kjo lojë sa na dëshpëron, aq edhe na ngazëllen dhe na lumturon.

Po, ku e ka zanafillën e vet futbolli? Cili është vendi ku kanë filluar të luajnë për herë të parë? Ku janë tetovarët në këtë mes? Kur dhe kush kanë qenë të parët, të cilët e kanë gjuajtur topin e futbollit në Tetovë?

Fillimisht supozohej se ishte Anglia vendi ku ka lindur futbolli. Megjithatë, hulumtimet e mëvonshme zbuluan fakte, të cilat hodhën dyshim mbi idenë se kanë qenë anglezët ata të cilët e kanë shpikur të parët futbollin. Sipas një versioni francez, fillet e futbollit e afrojnë këtë lojë me ragbin, fillet e të cilit janë gjetur në Francë. Ata të cilët u munduan t’i gjejnë gjurmët e futbollit, të cilat çonin prapa në shekullin e mesëm, vërtetuan se futbolli ka qenë një lojë me të cilën janë marrë edhe grekët e vjetër, edhe romakët e vjetër… madje edhe kinezët qysh para erës së re.

Pa marrë parasysh se disa provinca franceze janë munduar të dëshmojnë se futbolli së pari ka filluar të luhet tek ta, kjo e drejtë i takon Normandisë. Në fakt, loja të cilën e kanë luajtur normanët ka qenë shumë e ashpër. Nëpër fshatra, ata e kanë gjuajtur topin dhe kanë luajtur aq ashpër, saqë nuk kanë pasur kujdes për pasojat, të cilat shpeshherë kanë qenë dhëmbë, brinjë apo edhe gjymtyrë të thyera. Kjo, ka qenë arsyeja për të cilën është shpallur e ndaluar.

Megjithatë, janë anglezët ata të cilët I kanë shënimet dhe të dhënat më të vjetra për futbollin. Ai është bërë aq popullor, saqë është praktikuar rregullisht nëpër  festa dhe organizime të ndryshme lokale. Me kalimin e kohës, futbolli është bërë më pak agresiv. Anglezët kanë qenë të parët, të cilët e kanë organizuar futbollin modern, ashtu siç e njohim ne  sot.

Shoqata e parë futbollistike është formuar në Angli në vitin 1855. Ky ka qenë ekipi futbollistik “Sheffield”. Viteve në vijim, klube apo ekipe futbolli janë formuar edhe në shtete të tjera të Evropës. Njëzet vjet pas Anglisë, klube futbolli janë formuar në Holandë, pastaj në Danimarkë, në vitin 1822 në Zvicër, ndërsa tri vite më vonë në Gjermani, ndërsa në vitin 1890 në Çekosllovaki. Ekipi i parë futbollostik në Austri është formuar në vitin 1894. Duke e ndjekur këtë ritëm, futbolli arrin edhe në vendet e Ballkanit.

Të dhënat flasin se topi i parë në Tetovë është sjellë diku në vitin 1916. Që atëherë të rinjtë kanë filluar ta gjuajnë topin dhe viteve në vijim janë formuar edhe klube futbollistike, ndërsa si klub i parë i futbollit përmendet Luboteni, i cili e ka marrë emrin nga maja e Malit Sharr. Më vonë  janë formuar edhe klube të tjera në nivel rajonal dhe lokal.

Asokohe, shqiptarët kanë pasur qasje të kufizuar në klubet ekzistuese, të cilët janë themeluar nga ana e maqedonasve. Fakti se kanë qenë të diskriminuar dhe se është dashur të përmbushin disa nevoja elementare jetësore, përpara se të merren me sport, nuk ua ka shuar dëshirën për të luajtur dhe për t’u ballafaquar në fushën e “blertë”.  Për t’u përfaqësuar në mënyrë më të denjë dhe më masivisht, është dashur të presin deri në vitin 1941, përkatësisht sezonin 1941/42 kur është themeluar klubi futbollistik shqiptar “Skënderbeu”.

Ky klub futbollistik, i cili ishte emëruar sipas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioiti Skënderbeu, kishte grumbulluar rreth vetes shumë të rinj futbolldashës, të cilët kishin pritur me vite për këtë moment. Megjithatë, si shumë iniciativa të asaj kohe, të cilat kishin pasur për qëllim zhvillimin e frymës sportive te shqiptarët, janë shuar si rezultat i represionit komunist të ushtruar asokohe. Si rrjedhojë, klubi futbollistik “Skënderbeu” i  Tetovës, funksionoi vetëm tre vjet. Lojtarët e “Skënderbeut”, si: Fadil Fauzi Latifi, Sejfulla Sejfullai, Ali Sulejmani, Muarem Jusufi, Alil Baxho e shumë të tjerë duhej ta ndërprisnin aktivitetin e tyre ose të inkuadroheshin nëpër klubet ekzistuese joshqiptare.

Edhepse numri  i futbollistëve dhe entuziastëve shqiptarë ka qenë i vogël, ndërsa numri i klubeve i kufizuar apo i papërfillshëm, lojtarët si: Qani Pagria, Nijazi Fanda, Birush Qypi, Xhelal Mahmudi-Zoti, Reshat Tajqexhiu, Xhemal Kazazi, Mustafa Gulak, Abdulla Adilçe, Fadil Latifi, Sejfulla Sejfullai, Ali Sulejmani, Alil Baxho, Nizamedin Jumniu, Hadi Kazazi, Ilmi Ballanca, Fadil Arsllani, Sheref Arsllani, Sulejman Ejupi-Takara, Jusuf Ejupi-Takara, Xhelal Qypi, Muarem Nafiaga-Kasapi, Halil Kartali, Sheref Roshi, Ibraim Shukriu-Javri, Husein- Zebec, Byran Gjakovica, Osman Tairi,  Rezak Ibraimi, Ekrem Neziri, Fuat Murtezani, Mesut Sharko, Shaban Ramiz- Gugo, Idriz Idrizi, Imer Ibraimi dhe Harun Jakupi, të cilët kanë luajtur jo vetëm për  klubin futbollistik “Skënderbeu”, por edhe për klubet tjera në Tetovë në vitet para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore, nuk duhet harruar sepse ata kanë qenë nismëtarët e lojës së futbollit, dhe të njëjtët duhet kujtuar me pietet sepse kanë dhënë një kontribut të veçantë për fillimet e kësaj loje magjike, e cila viteve dhe dekadave në vijim do të pushtojë zemrat e shumë e shumë gjeneratave adhuruesish.

Bujar Sinani

Aktualisht i punësuar në Universitetin e Evropës Juglindore si përgjegjës i Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Bujar Sinani ka punuar si ligjërues i gjuhës frënge që nga viti 2002 në UEJL, ndërsa po këtë detyrë e ka ushtruar edhe në Aleancën Franceze në Tetovë, ku sot mban postin e presidentit. Mban titullin Master nga Universiteti Paris Est-Creteil në Administrim publik dhe këmbime ndërkombëtare. Ka punuar si korrespodent sporti i gazetës “Flaka” dhe si gazetar sportiv në “Radio Tetova”. Është doktorant në Universitetin Nantes në Francë, ndërsa fusha e tij e hulumtimit është e përqendruar në paraqitjen dhe manifestimin e dhunës verbale në media.