Me mllef ju flas, me zjarr
Thursday, 20 October, 2016
Lufta për gjuhën e shtetit-komb
Friday, 11 November, 2016

Hallka e këputur e politikës shqiptare në Ballkan9 minuta lexim

PanAlbanica


 

Politika shqiptare në Maqedoni është hallka e këputur e çështjes shqiptare në Ballkan. Ajo duhet të orientohet nga pjesa tjetër e shqiptarëve në Tiranë dhe Prishtinë, për të qenë pjesë vitale e mozaikut të zgjidhjes së kësaj çështjeje.

 

Kur më 11-12 janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni votuan për autonomi politike dhe territoriale në këtë shtet, nuk e kanë menduar se pas 24 vitesh kjo ide dhe pozita e tyre do të mbeten në vendnumëro. Në ato ditë të ftohta, me shumë sakrificë, shqiptarët votuan për idenë e tyre, votuan për veten e tyre, por në asnjë mënyrë nuk e kanë menduar se do të ketë parti shqiptare që do të promovojnë bashkëjetesën si opsion të zgjidhjes së problemit të tyre. Ata nuk e kanë menduar se do të ketë opsione politike shqiptare që favorizojnë koalicione parazgjedhore apo flirtojnë me parti maqedonase dhe individë, të cilët me mburrje e thonë se janë anëtarë të SDSM-së apo VMRO-së. Në atë kohë do të quheshin tradhtarë ose (me terminologjinë e atëhershme) shqiptarë të ndershëm.

Kanë kaluar 24 vjet nga referendumi i shqiptarëve dhe 25 vjet nga shpallja e Maqedonisë shtet i pavarur, kurse gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në Maqedoni duket se ka mbetur në po atë gjendje që ka qenë, me pak ndryshime kozmetike, por pa ndryshime thelbësore. Janë krijuar shumë parti shqiptare (8 parti), të cilat në thelb e synojnë pushtetin, por asnjëra nuk ofron zgjidhje konkrete të çështjes shqiptare në Maqedoni, si pjesë integrale e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan.

Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, që janë shpallur të mbahen më 11 dhjetor, partitë maqedonase, si duket, janë konsoliduar, duke krijuar dy blloqe kryesore politike: SDSM-ja me disa parti të vogla dhe gjithmonë me nga një parti turke, rome e me raste edhe boshnjake dhe VMRO-DPMNE-ja me disa parti të tjera të vogla maqedonase dhe me nga një parti turke, serbe, rome dhe boshnjake. Blloku politik maqedonas duket se është konsoliduar edhe sa i përket programit parazgjedhor, që me pak ndryshime nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra lidhur me atë se si e shohin pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Maqedonasit kanë një alternativë se si e për kë duhet të votojnë.

Dy partitë e mëdha shqiptare BDI dhe PDSH e kanë shpalosur me shumë drojë programin e tyre se si e shohin zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Maqedonisë. Derisa PDSH-ja thotë se platforma e tyre mbetet marrëveshja historike midis shqiptarëve dhe maqedonasve për ta udhëhequr këtë shtet, BDI-ja mendon se duhet një marrëveshje e re me maqedonasit për t’i shpjerë përpara proceset e filluara.

Hutinë më të madhe ndaj votuesit shqiptar në Maqedoni e kanë krijuar partitë e sapokrijuara, të cilat deri më tani kanë ofruar disa opsione politike, por pa treguar se si do t’i realizonin këto opsione dhe a kanë kapacitet për ta realizuar këtë. Këto parti janë vetëquajtur opozitare pa e matur akoma forcën e tyre në zgjedhje.

Lëvizja “Besa”, që në themelimin e saj u trondit nga informacionet se ajo është dorë e zgjatur e politikës turke të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe se financohet po nga ai.

Ajo që shtron më shumë dilema para elektoratit shqiptar është Lëvizja për Reforma – PDSH e udhëhequr nga Zijadin Sela. Kjo parti del me deklarata të shumta se është për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni, por me veprimet e saj tregon se nuk do ose nuk ka kapacitet të realizojë asnjë agjendë e vetmeZijadin Sela, në një intervistë thotë se nëse partisë së tij do t’i jepej rasti për të hyrë qeveri, ajo nuk do ta bëjë këtë pa u bërë ndryshimet kushtetuese dhe pa u miratuar ligjet sipas platformës e programit të përbashkët të Aleancës për Shqiptarët (LR-PDSH, Uniteti dhe RDK) për të drejtat e plota të shqiptarëve. Kërkesat për ndryshime të kushtetutës kanë ekzistuar në vazhdimësi, por ato u bënë vetëm pas luftës së vitit 2001, në Marrëveshjen e Ohrit, shtyllat kryesore të së cilës nuk u realizuan kurrë. Anëtarë të kryesisë së kësaj partie rreshtohen, me apo pa dije, në një anë me përfaqësues të politikës së opozitës maqedonase kundër “të keqes së përbashkët VMRO-BDI”.

Njëjtë kanë vepruar dhe përfaqësues të Lëvizjes “Besa” në fillim të veprimit të saj si parti, kur anëtarë të kryesisë së saj u panë duke marrë pjesë në mitingjet e organizuara nga opozita maqedonase.

Asnjë nga partitë e “vjetra” shqiptare nuk kanë shprehur interes e as që janë deklaruar për koalicione parazgjedhore me partitë maqedonase. Kjo gjithmonë është parë si veprim i dëmshëm ndaj faktorit shqiptar dhe dëmtim i interesit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ishte kërkesë e shqiptarëve, por ishte rezultat i krizës politike të krijuar nga SDSM-ja për të ardhur në pushtet.

Krijimi i shumë partive shqiptare në Maqedoni dëmton rëndë faktorizimin e shqiptarëve dhe realizimin e agjendës kombëtare. Ndarja e votës shqiptare me partitë e vogla i defaktorizon shqiptarët politikisht, ndërkaq dëmi i krijuar nuk do të mund të riparohet deri në zgjedhjet e ardhshme. Analizat thonë se pas këtyre zgjedhjeve numri i deputetëve shqiptar në kuvend do të jetë më i ulët se ai në përbërjen paraprake. Politika zyrtare maqedonase, si duket, i ka marrë të gjitha masat që shqiptarët të gjunjëzohen në këto zgjedhje, duke kërkuar përkrahje masive nga votuesit maqedonas. Lideri i VMRO-së kërkon të ketë 63 deputetë për të mos pasur nevojë për partitë shqiptare. SDSM-ja kërkon votën e shqiptarëve për të rrëzuar këtë diktaturë, siç e cilësojnë ata, duke tentuar t’i sfidojë partitë politike shqiptare në terrenin e tyre. Sipas informacioneve, lideri i SDSM-së Zoran Zaev, i cili është kryetar i komunës së Strumicës, do të jetë bartës i listës në njësinë e 6-të zgjedhore, ku është përqendrimi më i madh i votuesve shqiptarë. Po kjo njësi qe më “problematikja” gjatë sfidës së pastrimit të listave zgjedhore. Në procesin e pastrimit të listave zgjedhore, janë fshirë mbi 30 mijë votues shqiptarë.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore gjithmonë zgjidhen nga 2-3 deputetë maqedonas, pa pasur nevojë për votën e shqiptarëve. Por, siç duket Zaevi dëshiron ta shndërrojë fitoren e tij në fitore me ndihmën e shqiptarëve, edhe pse, në fakt, në çfarëdo kombinimi të mundshëm, ai do të fitojë nga vota maqedonase. Të dyja partitë maqedonase kanë historitë e tyre të përpjekjeve të vazhdueshme për të nëpërkëmbur dhe zhbërë interesin e shqiptarëve në këtë shtet. Shumica e krerëve të SDSM-së janë pinjollë të politikave antishqiptare në ish-Jugosllavi dhe autorë të ngjarjeve të shumta kundër shqiptarëve (helmimet e nxënësve, aksioni kundër themelimit të Universitetit të Tetovës, ngjarjet e vitit 1997 kundër përdorimit të flamurit shqiptar etj.). Nga ana tjetër, krerët e VMRO-DPMNE-së janë ata që në vitet e tyre të studimeve, si pjesëtarë të Unionit të të Rinjve të kësaj partie kërkonin dhoma gazi për shqiptarët.

SDSM-ja si parti më e vjetër (pasardhëse e Partisë Komuniste të Maqedonisë) me politikat e veprimet e saj ka dëshmuar se është e interesuar thellësisht që shqiptarët në Maqedoni të shkrihen, të krijohen shqiptarë hibridë, të cilët dalëngadalë do të harrojnë gjuhën e më vonë edhe vetë identitetin. Këtë ajo e promovon përmes konceptit të kombit politik dhe deterritorializimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Orientimi i politikës së tyre për të adresuar çështje ekonomike, pa pastruar me të kaluarën ekonomike të shqiptarëve dhe pa e ndarë kulaçin ekonomik, dëshmon se ata po përgatisin mashtrimin e madh. Kjo i bën fajtorë kolektivë dhe ideatorë kryesorë të pozitës inferiore të shqiptarëve në Maqedoni, ku përveç të drejtave të tjera u mohohen edhe të drejtat ekonomike. Sipas tyre: “Shqiptarët janë të mirë vetëm kur mbushin buxhetin e shtetit, por ata nuk duhet të bëjnë ekonomi, sepse këtë e bëjnë maqedonasit, pra pronarët e shtetit”.

Kur është në pyetje interesi i shqiptarëve dhe rëndësia e tyre në këtë shtet, të gjitha partitë maqedonase janë në një mendje, duke pohuar se shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat dhe se duhet të jenë më lojalë dhe ta duan këtë shtet të maqedonasve, sepse ata nuk kanë ndonjë shtet të tyre rezervë.

Politika shqiptare në Maqedoni është hallka e këputur e çështjes shqiptare në Ballkan. Ajo duhet të orientohet nga pjesa tjetër e shqiptarëve në Tiranë dhe Prishtinë, për të qenë pjesë vitale e mozaikut të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Politika e shqiptarëve në Maqedoni duhet ta tregojë qartë synimin e saj dhe vullnetin e shqiptarëve në këtë shtet.

Vota shqiptare duhet të jetë një referendum për t’i treguar edhe faktorit të brendshëm edhe atij të jashtëm se ata nuk duan shumë parti, por duan parti të forta, që kanë kapacitet, ekspertizë dhe njerëz që ta realizojnë këtë synim.

Shqiptarëve të Maqedonisë u duhet dialogu i brendshëm para se të dialogojnë me të tjerët. Zgjedhjet duhet ta përçojnë porosinë se sado që dikush tenton t’i ndajë, ata bashkohen, fuqizohen dhe se ata e kanë të qartë se çfarë duan. Tregu është i madh dhe politika ende më e madhe, kurse shqiptarët në Ballkan janë një faktor i madh gjeostrategjik e demografik, që nuk mund të shpërfillet.

Shqiptarët në Maqedoni duhet të votojnë vetëm për këtë qëllim.

 

 

 

 

(Visited 5 times, 1 visits today)
Share This