Ramize Ferati

 

“Funksioni i arsimit është të mësosh njeriun të mendojë në mënyrë intensive dhe kritike. Inteligjenca dhe karakteri së bashku përbëjnë qëllimin e arsimit të mirëfilltë.”

 – Martin Luther King, Jr.  

Pas publikimit rishtas të rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve – PISA, të cilit test nxënësit nga Kosova iu nënshtruan për herë të parë, rezultatet u diskutuan deri pothuajse në shterim në nivele të ndryshme. Nga mediat, në nivel ekspertësh, në atë shoqëror dhe institucional. Sikurse në të gjitha rastet dhe në fusha të tjera pa përjashtim, objekt diskutimi edhe këtë herë ishin pasojat. Institucionet, por edhe shoqëria në përgjithësi për mëkat, ka krijuar një shprehi për të reaguar në vazhdimësi ndaj pasojave, në vend se të sillen në mënyrë proaktive kundrejt proceseve thelbësore, siç është përparimi në fushën e arsimit. Mirëpo të qenit proaktiv në radhë të parë kërkon ndryshimin e proceseve dhe kësaj teme do t’i kthehemi një herë tjetër.

Gjatë të gjitha diskutimeve dhe pothuajse në të gjitha shkrimet rreth kësaj teme, u paraqitën dhe u shtjelluan në mënyrë të përsëritur strategjitë, planet e dokumentet e zhvilluara, gjegjësisht të përpiluara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që nga viti 2002 deri në vitin 2016. U konstatua sërish që të gjitha ato dokumente kanë pasur për qëllim të përgjithshëm përmirësimin e gjendjes në arsim, porse asnjëra nga këto nuk është zbatuar as për së afërmi.

Mirëpo, në vend se të kërkohen dhe gjenden shkaqet dhe nga aty të nisin të gjenden edhe zgjidhjet, në të gjitha debatet publike rreth testit të lartpërmendur u kërkua fajtori që çoi në dështimin e nxënësve për të arritur rezultate më të larta. Përderisa shoqëria civile fajin kryesor ia hodhi MASHT-it, kjo ministri atë e barti tek drejtoritë përgjegjëse komunale, ndërsa bashkë me prindërit gishtin e drejtuan kah arsimtarët. Pajtim unanim pati për një gjë: që fajtor më së paku janë nxënësit.

Nëse nisemi nga kjo, kujt atëherë i dedikohen rezultatet përgjithësisht të dobëta të nxënësve, krejtësisht përtej testit të PISA-s? Nëse fajtorë janë mësimdhënësit e tyre, sepse paskan performancë të dobët, apo nuk qenkan të përgatitur sipas standardeve të kërkuara, atëherë shikuar vetëm nga ky aspekt, edhe mësimdhënësit duhet konsideruar si nxënës. Me këtë shkaku duhet kërkuar më thellë: në vendin, ku shumica nga këta mësimdhënës janë përgatitur për t’i edukuar gjeneratat e reja –  Universitetin e Prishtinës.

Të menduarit logjik dhe kritik që janë dy kriteret kryesore, sipas të cilave janë vlerësuar nxënësit në lëndë të ndryshme, sipas standardeve ndërkombëtare dhe të cilat iu mungokan nxënësve, pa pardon: nuk shtjellohet e as aplikohet as në fakultete gjithandej në Kosovë! Si mundet atëherë një mësimdhënës t’ua bartë nxënësve të mësuarit në mënyrë logjike, kur ai këtë nuk e ka mësuar as vetë?

Për më tepër, problemi nuk qëndron vetëm tek aftësitë e bartjes së njohurive. Ai shumë më shumë konsiston në kualitetin e njohurive që barten dhe në mënyrën se si bëhet ajo. Një njeri (lexo: mësimdhënës) pikë së pari mund t’ia mësojë tjetrit (lexo: nxënësit) vetëm atë që ai mendon se e di dhe në mënyrën si ai e ka kuptuar. E njëjta gjë vlen edhe për analizimin, diskutimin, konkludimin  – me kusht që këto procese zhvillohen në klasat e shkollave në Kosovë – dhe vlerësimin e njohurive lidhur me një çështje të caktuar.

Indikatorët që dalin nga qindra diskutime me studentë të fakulteteve të ndryshme në Kosovë, por edhe nga vlerësimet e zbatimit të strategjive a planeve të ndryshme kombëtare të arsimit dhe ekspertët e fushës, e bëjnë të qartë për fat të keq në mënyrë të përsëritur se gjendja në ato nuk ka ndryshuar prej së paku dy dekadash.

Tragjedia e gjithë kësaj situate qëndron në atë se kur të gjenden “fajtorët”, apo ndodh që të identifikohen shkaqet, mungon vullneti për të dalë nga komoditeti dhe për eliminuar të gjykuarit vetëm nga një këndvështrim. Në institucionet tona dhe shoqërinë tonë nuk ka vullnet për të vepruar. Siç është bërë zakon, nuk do mend se edhe jehona e reagimit ndaj kësaj gjendjeje do të shuhet shpejt, sapo në sipërfaqe të dalë një “problem” tjetër me interes, në radhë të parë për mediat. Kjo çështje me rëndësi jetike për çdo shoqëri të përparuar te ne do të riaktualizohet mbase në vitin 2018, kur pritet të mbahet testi i ardhshëm. Kjo duket qartazi dhe e njëjta vlen edhe përtej fushës së arsimit.

Një gjë duhet kuptuar të gjithë: ka ardhur koha e ndryshimeve rrënjësore në të gjitha sferat e zhvillimit dhe ky ndryshim duhet të nisë me arsimin. Përderisa gjendja në këtë fushë mbetet siç është, as përfitimet nga programet e ndryshme për rritje të cilësisë, as ato për promovimin e Universitetit të Prishtinës, programet për rritjen e performancës së mësimdhënies dhe as zbatimi i Deklaratës së Bolonjës nuk mjaftojnë për të arritur rezultate të dëshirueshme, në qoftë se së pari,nuk ndryshon mendësia e kultivuar në universitetet tona dhe nëse nga aty nuk nis ndryshimi – mendësia njëdimensionale, sipas së cilës mësimdhënësi konsiderohet akoma burim i pakontestueshëm i dijes.

Në gishtërinj të dorës mund të numërohen profesorët e universiteteve në Kosovë, të cilët kanë dhe nxisin kulturën e debatit gjatë ligjëratave. Profesorë, të cilët përfillin mendimin e studentit lidhur me një problem të shtruar; të cilët përfillim dhe nxisin mendimin logjik, kritik e analitik. Profesorë të cilët kanë integritet intelektual, që i frymëzojnë studentët dhe nuk e mbjellin tek ata kompleksin e inferioritetit. Profesorë, të cilët studentët i respektojnë si pjesëtarë të shoqërisë, kureshtja jo vetëm për dije e të cilëve duhet ushqyer dhe edukimi i mirëfilltë i të cilëve duhet mbështetur pakusht, për faktin se ata e kanë marrë përsipër vullnetarisht këtë detyrë sublime.

Së dyti, koha, kur shkolla, e aq më pak universiteti është parë si institucion konvencional i bartjes, gjegjësisht pranimit të dijes – të tillë e konsideron veten universiteti i Prishtinës, sipas statutit –  apo si institucion i mësimit të fakteve, ka kaluar. Ky mendim është i tejkaluar prej pothuajse një shekulli në vendet e zhvilluara, jo vetëm për faktin se njohuritë dhe faktet sot mund të mblidhen nga qindra mijëra libra të botuara, gjegjësisht nga burime të panumërta e të llojllojshme në internet.

Nisur nga synimi për të arritur jo vetëm rezultate më të mira në arsim, por edhe nga ajo se ku duam ta çojmë shoqërinë tonë, në vend të drejtimit të gishtit nga fajtori, duhet shqyrtuar sistemin e arsimit nga një këndvështrim i ri, duke e ripërcaktuar se cili konsiderohet të jetë funksioni thelbësor i arsimit në Kosovë. Ky qëllim u duhet komunikuar të gjitha grupeve relevante, përfshirë familjet, sepse pa përfshirjen e prindërve ai është i paarritshëm. Kjo për faktin se edukimi i fëmijëve nis brenda familjes, zhvillohet në nivelin parashkollor, avancohet në nivelin parauniversitar, përsoset gjatë studimeve dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Fundja, të menduarit logjik e kritik mësohen që në fëmijërinë e hershme, duke i dhënë fëmijës hapësirën e duhur të veprimit për të zbuluar në mënyrë të pavarur botën që e rrethon dhe duke i monitoruar shkathtësitë e tij për zgjidhjen e problemeve të caktuara.

Funksioni i arsimit edhe te ne duhet të jetë nxitja e dëshirës së nxënësve për të mësuar, nxitja e nxënësve për t’i shfrytëzuar mendjet e tyre në mënyrë produktive dhe krijuese; mësimi i fëmijëve si t’i analizojnë faktet mbledhura kur të jetë zgjuar kureshtja. Edukimi dhe arsimimi nuk duhet të kufizohet në diplomimin me sukses, por në arritjen e të qenit të suksesshëm në jetë. Ky qëllim shkon padyshim përtej zhvillimit të aftësive në një lëndë të caktuar dhe duhet të zgjerohet në përgatitjen e nxënësve dhe studentëve për t’u bërë pjesëtarë të devotshëm të një shoqërie, si në aspektin social, fizik, emocional apo mental. Këtë gjë e kanë kuptuar që moti shoqëritë përparimtare.  Ndaj dhe nuk i kushtojnë rëndësi mësimit në mënyrë të përsëritur të datave apo fakteve të caktuara. Në vend të kësaj, në shkollat e vendeve të zhvilluara nxitet studimi rreth jetës, rreth ngritjes, apo rënies së kombeve, duke e gjurmuar zhvillimin e tyre intelektual, kulturor apo ekonomik përgjatë periudhave të ndryshme.

Nga ky prizëm duhet parë së treti edhe funksioni, apo detyra e mësimdhënësve të të gjitha niveleve, ngase ata janë jo vetëm zbatues të politikave arsimore, por edhe shërbyes të shoqërisë. Duke qenë të tillë, ata nëpërmjet rolit të tyre kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin njerëzor. Funksioni i mësimdhënësit duhet të jetë të përgatisin qytetarë aktivë, të cilët nga shkolla dalin me mendje të hapur dhe janë të frymëzuar. Qytetarë, të cilët përveç zhvillimit të aftësive intelektuale, reagojnë ndaj idealeve të larta dhe krijojnë vlera të përbashkëta shoqërore. Qytetarë që kanë vullnet dhe veprojnë në mënyrë serioze për të bërë ndryshime pozitive dhe për të udhëhequr shoqërinë drejt përparimit.