Me synimin të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë, më 30 qershor 2019, në Bernë të Zvicrës, u themelua Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”.

Në këtë takim, u miratua logoja e qendrës, ku katër petalet e lulëkuqes paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në logo janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash për të përfshirë të gjitha kategoritë e shqiptarëve që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë.

“Ftojmë të gjithë ata të cilët janë të interesuar që vullnetarisht të ndihmojnë për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë, kudo qofshin në botë, t’i bashkëngjiten qendrës “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” dhe të japin kontributin e tyre për ta bërë të njohur në çdo cep të globit tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Bernë, më 30 qershor 2019”, është thënë në njoftimin e kësaj qendre.

Nismëtarët e themelimit të kësaj qendre vendosën t’ia besojnë udhëheqjen e saj politologut Bardhyl Mahmuti.

Në deklaratën e kësaj qendre thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë mbi dhjetë mijë shqiptarë, janë dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare, është bërë spastrim etnik me dëbimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe asgjësimin e dokumenteve të identifikimit, janë shkatërruar 100589 shtëpi, 88101 objekte përcjellëse,  358 shkolla, dhjetëra monumente historike,  93 biblioteka, 123 institucione shëndetësore dhe 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha katolike)…

Mohimi i gjenocidit paraqet fyerje të rëndë ndaj viktimave, ndaj familjarëve të tyre dhe kombit ndaj të cilit është kryer gjenocidi, thuhet mes tjerash në deklaratë.

PanAlbanica