Ene niher’:

Është gjynah në këtë shtet të jesh i nënçmuar. Gjuha shqipe duhet të figurojë në kushtetutë dhe të ketë aplikim rigoroz njëherë e përgjithmonë, përndryshe vazhdojmë të folim për shtet me privilegje dhe ekskluzivitet sllavofon (qëllimshëm nuk e them vetëm të gjuhës maqedonase, sepse privilegji nuk mbulon vetëm atë si të tillë), si dhe luftë të vazhdueshme që shkatërron çdo mundësi për përparim kolektiv të shtetit. Kjo nuk është as afër kërkesave që do quheshin kapriçioze. Atyre që iu duket e tillë duhet t’i rishikojnë prioritetet.

Sa i përket argumentit relativizues me minoritetet tjera, është teknikë e harxhuar nga shumë shtete ‘shkelëse’ përreth, por që për hir të së drejtës duhet gjithashtu përmendur në kushtetutë, e që për fat të keq këto minoritete çdoherë heshtin përballë vendimeve kyçe dhe presin që në krah të shqiptarëve të marrin diçka, por asnjëherë duke ndihmuar.

Dhe, mos u ngushtoni kur t’i kërkoni këto të drejta, se as nuk janë fyese, as nuk sulmojnë dikë. Është një hap drejt drejtësisë dhe barazisë, ndërsa pala që pengon duhet të bëjë koncesion për privilegjet e veta dhe të tregojë vullnet për hir të funksionimit të drejtë të shtetit, nëse këtë e ka për qëllim, ashtu si bënë shqiptarët shumë herë e së fundmi në zgjedhjet e 2016-ës. Shteti social nuk krijohet me asimilim dhe nënçmim, as me ekskluzivitete dhe kufizime gjuhësore, por vetëm me sinqeritet për bashkëpunim të drejtë.

Ky pretendim (kjo qasje) nuk është i obligueshëm vetëm për politikanët, por është gjithashtu detyrim për çdo qytetar/e që flet këtë gjuhë dhe ka funksion publik, që përfshin nga mësues/e deri në mjek/e, nga tregtar/e deri në shitës/e (për t’i përmendur disa), se vetëm aty mundet të ndryshojnë vërtet gjerat. Në të kundërtën do të presim 20 dhe 25, po mapa (nga kombinimi i më-pastaj) 30 përqindat, në ‘dillat’ e stilit ‘Godfather’ nga klane të kufizuara.

Për fund shkojmë me klasikën, por në anglisht se tingëllon më e plotë:

“When you’re accustomed to privilege, justice feels like oppression!”

 

* Marrë nga blogu i autorit.