Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave

 

Sa e lehtë është të thuhet: Urime Ditën Ndërkombëtare të Vajzave! E çfarë u urojmë ne atyre? Çfarë i urojmë ne vetes? Liri, lumturi, dashuri? Jo, nuk ka nevojë për urata, s’ka nevojë për ta ndarë të mirën e përbashkët, kur ne akoma nuk e gëzojmë atë.

S’do mend që solidarizimi me të tjerët në një ditë si kjo, ndez një dritë tek secila vajzë, por që mëngjesin e së nesërmes, pavarësisht se lind dielli, kjo dritë do të zbehet. Do të shuhet në momentin kur ti vajzë e dashur gjithandej nëpër botë, do të përballesh me realitetin që ta krijojnë të tjerët, do të përballesh me mohimin e fjalës dhe veprimit, do përballesh me idenë e pamposhtur të botës se ti je femër dhe asgjë më shumë.

E dini kur mund të flasim për një ditë ndërkombëtare të vajzave? Atëherë kur kauza rreth saj të mbrohet me mendje e jo me trup, kur lapsi të zëvendësojë penelin e buzëkuqin, kur guximi dhe besimi i femrës të mbrohen nga dinjiteti i saj, kur fillimisht femra ta njohë veten si përmbledhje vlerash dhe jo si një konstrukt marketingu.

Atëherë kur femra renditet gjithmonë më poshtë se të tjerët, atëherë kur të etiketohet vetëm si robëreshë për xhentëlmenët, nuk mund të flasim për një botë më të mirë.

Motoja “Ajo mund të bëjë gjithçka”, nuk mund t’i referohet çdokujt, përderisa akoma hasim mohim të tejskajshëm të së drejtës themelore që një femër mund të ketë. Po, ajo mund të bëjë gjithçka. Ajo mund të jetë në piedestalin më të lartë të Olimpiadës, ajo mund të udhëheqë sektorë të ndryshëm të jetës sociale, nesër ajo mund të jetë presidente e SHBA-ve, por kur të festojmë ndërkombëtarisht ditën e vajzave tona, duhet marrë parasysh edhe vrimat e fundit të fyejve. Duhen marrë parasysh ato 29 shtete ku femrës i mohohet e drejta e shfrytëzimit të organeve gjenitale, duhen marrë parasysh ato 120 shtete ku nuk ekziston ligji kundër përdhunimit martesor që ju bëhet vajzave që nga mosha 6 vjeçare duke iu mohuar edukimin dhe vetëdijësimin, duhet marrë parasysh se ajo dhunë do e shoqërojë atë qoftë si vajzë, si grua, apo si pasardhëse e një gjenerate të tërë. Duhet kuptuar se këto vajza të privuara nga gjithçka, të papërgatitura fizikisht dhe mendërisht sjellin në jetë, jetë të reja dhe të pafajshme, duhen marrë parasysh të gjitha përpjekjet që hedhin baltë mbi këtë ditë ndërkombëtare.

Nuk është e rëndësishme një ditë, një festë ose një përvjetor, ajo që ka rëndësi është ambicia që ndodhet pas saj.

Prandaj, përderisa “Ajo mund të bëjë gjithçka”, ne le të bëjmë së bashku “diçka”!

Blerina Demiri

E diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Gjatë kohës kur vijonte mësimet në Gjimnazin e Tetovës, ka qenë kryeredaktore e revistës “Gjimnazisti”. Ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e trajnimeve të shumta mbi komunikimin, artin e të folurit dhe politikën. I është bashkangjitur rrjetit PanAlbanica me të njëjtin pasion që ka për fjalën e shkruar shqipe. Në kuadër të programit Erasmus+ për shkëmbim studentor, gjatë vitit 2017, ka qëndruar për një semestër në Institutin Katolik të Studimeve të Larta (Institut Catholique d'Etudes Superieures) në Francë, ndërkaq një vit më vonë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lubjanës. Aktualisht vazhdon studimet pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.