Për habinë e shumicës, njëra strofë e këngës kësaj radhe erdhi e re, pothuajse e ëmbël, trumbetonte shoqërinë qytetare, të drejtat që ne i merituakemi, shtetin që u dashka ta gëzojmë të gjithë së bashku e të tjera e të tjera. Po them për habinë e shumicës, pasi për disa që i zënë gjërat në eter, që i parandjejnë situatat, herët kishin rënë këmbanat.

 

Disa orë para fillimit të “heshtjes zgjedhore” më rivjen shiriti i fushatës me të tëra detajet, me slloganet shterpa që s’të bëjnë të mendosh e as t’i kujtosh më kurrë, me qindra kandidatë për deputetë, të shpërndarë në sa e sa lista partish, me mizëri tubimesh të vogla e të mëdha, me “bilborde” e fotografi kandidatësh, me programe të paguara politike, me biseda kryeneçe kafenesh, me tituj të mprehtë artikujsh gazete e portalesh e me gjithfarë xhingla-minglash të tjera që e bëjnë një fushatë parazgjedhore, nëpër të cilën kalon pastaj fati i akëcilit prej nesh.

Ai fat ndaj të cilit jemi mësuar të shfryejmë me dekada, sa herë dhe jo rrallë, ia ka ndërruar kahen historisë kombëtare apo zhvillimit të procesit që quhet çështje e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila çështje mbijeton në një terren të vështirë, për të mos thënë në më të vështirin në Europë, midis një urrejtjeje patologjike, viktimë e së cilës ka qenë përherë, midis vazhdimësisë së doktrinave e programeve sllave që synojnë zhbërjen e saj. Mu kjo shfryerje e vonshme ndaj fatit, që vjen ekskluzivisht nga një numër i rrethuar dhe i hedhur (pa)diktueshëm në kutinë e votimit, është gënjeshtra më e madhe që mund t’ia bëjmë vetes kur jemi të prirur të votojmë symbyllur, pa u shkuar gjërave deri në fund apo, edhe më keq, për inate të vogla personale a për forcë zakoni.

Është kënga e njëjtë që luhet sot e gjithë ditën në të ashtuquajturën “oazë  e paqes” e që në të vërtetë është “varka e Noes” që shpëton të gjitha llojet e albanofobisë  serbe për t’i riatdhesuar e për t’i vazhduar edhe më tej midis Evropës.

Është mu ajo kënga që përsëritet në çdo cikël zgjedhor e që ka në barkun e saj gjuhën e vrazhdë politike, urrejtjen e hapur ndaj shqiptarëve, arkëtimin e votave në llogari të sofistikimit të mekanizmave për shtypjen e shqiptarëve, madje edhe, në rastet më të mira, për zhdukjen e plotë të tyre.

Për habinë e shumicës, njëra strofë e këngës kësaj radhe erdhi e re, pothuajse e ëmbël, trumbetonte shoqërinë qytetare, të drejtat që ne i merituakemi, shtetin që u dashka ta gëzojmë të gjithë së bashku e të tjera e të tjera. Po them për habinë e shumicës, pasi për disa që i zënë gjërat në eter, që i parandjejnë situatat, herët kishin rënë këmbanat. Ata e kanë ndjekur zhvillimin e kësaj ideje që para disa vitesh nga baballarët e opozitës maqedonase dhe pastaj kishin parë se si po jetësohej ideja përmes lëvizjeve qytetare, përmes organizatave joqeveritare e përmes krijimit të kauzave të vogla “të përbashkëta” që çonin ujë në të njëjtin mulli, në mullirin e vjetër komunist, ku qe bluar imët doktrina për përvetësimin e shtetit dhe margjinalizimin e plotë të shqiptarëve. Tanimë, sa më shumë që rritej numri i atyre që, kush të paguar e kush në mënyrë vullnetare, e kanalizonin ujin në këtë mulli të vjetër, aq më donkishotë na shfaqnin ne të tjerëve që u dilnim ballë.

Dita e diel është momenti për ta thënë JO-në e madhe kundër mashtrimit të përsëritur. Sa herë që jemi gënjyer e u jemi përgjigjur ftesave për barazi, për bashkim forcash në luftë kundër armikut të përbashkët; sa herë që jemi gënjyer e kemi hipur në trena të gabuar, nuk kemi zbritur veçse në stacione të largëta, armiqësore, nga s’jemi kthyer më, apo kemi paguar tagre të rënda rrugës në kthim. Ata që sot ftojnë t’i mbështesim për të nesërme të përbashkët janë shefat e vjetër të shtetit që jo vetëm na zhvatën, por edhe na vranë e na fyen pa mëshirë. Tani kur u duhemi për ta mbajtur frymën, po bëjnë pjesën e vet të lojës: “Pakt edhe me djallin deri në arritje të qëllimit më të madh që kanë”.

Ata që dje na quajtën me bishta, ata që këkuan dhoma gazi për ne, ata që na i helmuan fëmijët, na i përdhosën simbolet e na i mbyllën shkollat, ata që e ndërtuan shtetin monoetnik më jotolerant të Ballkanit, ata që të gjitha institucionet e larta të shtetit i quajtën me emrin e vet dhe me përcaktorët decidë të pronarëve të vetëm (kujto: Makedonski Teatar – Teatri Maqedonas, Televizioni Maqedonas dhe jo i Maqedonisë, Biblioteka Maqedonase, Opera Maqedonase, shteti maqedonas etj), sot po shfaqen me ngjyra laramane, me të gjitha nuancat e mashtrimit.

Po dhe në qofshim të gabuar,  dhe në e pastë ndërruar hujin bashkë me qimen ujku, s’kemi pse votojmë për subjekt të njëjtë. Secili le t’i masë forcat vetë, le t’i caktojë prioritetet e e së nesërmes dhe le të zhvillojmë debate konstruktive postzgjedhore për jetë më të mirë, për jetë të barabartë. S’ka pse e huqim qoftë edhe një votë.  Në një shtet ku përdoren të gjitha mekanizmat për defaktorizim të fuqisë politike shqiptare, për përçarje sa më të madhe të trupit votues shqiptar, duke krijuar terrene të përshtatshme për mbirjen si kërpudha të partive politike (disa të aktivizuara me një buton të vetëm nga qarqe tejet armiqësore) sa herë që ndjehet nevoja e përçarjes më të madhe, në një shtet ku votohet në gjashtë njësi zgjedhore konform programit të humbjes së numrit të deputetëve shqiptarë, s’kemi pse i vëmë pikat mbi “i” me dorën tonë, me votat tona. S’ka vend për ëndrra laramane, përderisa s’ka pasur kurrë hapësirë për zgjidhjen e problemeve tona që janë të një natyre krejt tjetër nga ato maqedonase e që nuk zgjidhen përmes platformave të përbashkëta, përpos se përmes dialogut konstruktiv midis koalicionesh postzgjedhore nga subjekte me kërkesa e prioritete të qarta politike.

Kjo që po ndodh me trumbeta deri të dielën është zhurma. Druaj që heshtja vjen më pas.

Vjollcë Berisha

Është pedagoge e letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës. Ka magjistruar në vitin 2010 për poezinë bashkëkohore, përkatësisht për poezinë e Ismail Kadaresë, me temë “Vëllimi “Shekulli im” i Ismail Kadaresë – gjeneza e frzmëzimit dhe modeli i ligjërimit”. Është doktorante në fushën e Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka botuar përmbledhjen poetike “Në xhep kam një botë”. Ka botuar artikuj e studime në revista shkencore e letrare. Jeton në Tetovë.