Fatmir Arifi

Fatmir Arifi

Tërheqja e interesave tradicionale të sigurisë që erdhën nga të dyja anët, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi, ka nxitur shtetet Evropës qendrore të bashkohen me institucionet perëndimore sa më shpejt të jetë e mundur, për ta mbrojtur veten kundër një Rusie potencialisht të projektuar si një fuqi e madhe. Kjo çështje tek pala ruse ngjalli logjikën e “dilemës së sigurisë”. Lënia jashtë e disa shteteve të Evropës Lindore, Ballkanit e deri në Kaukaz, të pasigurtë, pa ndonjë marrëveshje kolektive për sigurinë përballë një Rusie tradicionalisht agresore, prodhoi “dilemën e integrimit”.

Në kuadër të konferencës vjetore të Mynihut që u mbajt në shkurt të këtij viti, e cila i dedikohet shqyrtimit vjetor të problemeve të sigurisë botërore, këtë vit lista e problematikave globale nuk u ngushtua. Vitin e kaluar, fokusi i konferencës ishte agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa këtë vit, përpos tjerash, u shtua dhe ndërhyrja ruse në Siri. Me një fjalë, sjelljet e paprecedenta të Rusisë ishin në qendër të vëmendjes. Nga një pjesë e analistëve politikë, debati në Konferencën e Mynihut u interpretua si fillim i një lufte të dytë të ftohtë.

Pa dyshim, retorika e përdorur në kuadër të debatit të konferencës së Mynihut, në mes të përfaqësuesve të Federatës Ruse dhe euroatlantizmit të çon në krijimin e një opinioni të tillë, por thelbi i kësaj retorike qëndron krejtësisht diku tjetër. Bota nuk është më e destabilizuar se sa në çdo kohë që nga përfundimi i Luftës Dytë Botërore. Por, rrezikshmëria qëndron në atë se, përpos që nuk kemi një sistem global të profilizuar, kemi edhe mungesë të lidershipit global. Me vetë faktin që SHBA-të morën drejtimin dhe formësimin e sistemit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore dhe tani kanë zgjedhur këtë moment që të jenë pasive në botë, të krijon përshtypjen se vërtet po hyjmë në një konfrontim të tipit të luftës së ftohtë. Nuk duhet menduar që mungesa e lidershipit të SHBA-ve ka shkaktuar një paqendrueshmëri, por se ka inkurajuar dhe ka përkeqësuar situatën.

Natyrisht, Lufta e Ftohtë, që nga fillimi i saj njihet si një nga periudhat më të rrezikshme në historinë njerëzore. Por, përderisa vetë Rusia doli të jetë e humbur nga kjo luftë, nuk ka indicie që ajo ka ambicie të rikthehet përsëri në beteja të tilla. Që nga viti 1947 deri në vitin 1989, përplasja sistematike ideologjike e dy blloqeve kishte prodhuar një garë të gjerë gjeopolitike në nivel global, deri edhe me kërcënimin e armagedonit bërthamor. Andaj, në kushtet e sotme, Lufta e Ftohtë nuk mund të përkufizohet me disa mosmarrëveshje themelore në mes Perëndimit dhe Federatës Ruse. Më konkretisht, mosmarrëveshjeve të sotme i mungojnë pesë karakteristika që e përcaktojnë Luftën e Ftohtë përtej rivaliteteve të thjeshta të fuqive të mëdha: së pari, secila palë supozonte se fajin për konfrontim e bart ana tjetër antagoniste; së dyti, konflikti nuk është thjesht konflikt i interesave, por konflikti është si qëllim; së treti, konkurrenca në mes të dy blloqeve apo antagonistëve, nuk përfundon përderisa në njërën palë nuk do të ketë ndryshime rrënjësore apo shembje të plotë; së katërti, marrja me çështje të veçanta është më shumë transaksionale dhe jo kumulative; së pesti, konfliktet që ndodhin nuk janë të fragmentuara, por ato metastazohen në mënyrë të tillë që të gjitha çështjet janë të lidhura, ose të ndërlidhura në mes vete.

Andaj, zhvillimet dhe rivalitetet e sigurisë në mes të Perëndimit dhe Federatës Ruse bëhen më të thjeshta për t’u kuptuar se në çfarë dimensioni po ecën politika globale. Prandaj dhe apriori nuk mund të gjykojmë se bota po hyn në një luftë të dytë të ftohtë. Siç dihej mirëfilli, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur vizione bindëse shumë të ndryshme ideologjike dhe zhvillimore lidhur me proceset shoqërore: i pari, supozonte se një botë, në të cilën “mizoria” e kapitalizmit të tregut të lirë do të përmirësohet në pronësi të përbashkët të mjeteve të prodhimit, ndërsa e dyta, ka përfaqësuar një botë të përcaktuar nga liritë që zotërojnë individët në zgjedhjen e besimit të tyre politik, ekonomik, religjioz, profesional si dhe organizatat me të cilat dëshirojnë të bashkëveprojnë. Kundërshtimi nga të dyja anët ishte i karakterizuar si parandalim nga çlirimi dhe përparimi drejt niveleve më të larta të organizimit shoqëror.

Për dallim nga ajo periudhë, sot kemi krejtësisht një pamje tjetër të botës. Pavarësisht se marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Perëndimit janë në nivelin më të ulët të bashkëpunimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke pasur parasysh edhe dy konfliktet që ndodhën në Ukrainë dhe Siri, pesë karakteristikave të mësipërme i shtohen edhe tri arsye themelore se pse bota nuk po hyn në një luftë të dytë të ftohtë: e para, konfrontimi aktual thjesht nuk posedon komponentët gjithëpërfshirës globalë ideologjikë dhe zhvillimorë të vitit 1947-1989; e dyta, sfida e sigurisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme e rëndon, por nuk e kërcënon paqen në pjesë të tjera të globit; e treta, vetë Rusia është shumë më e integruar në ekonominë botërore se sa që qe ndonjëherë ish-Bashkimi Sovjetik.

Nisur nga ajo çka po ndodh tani, nuk mund të mos e pranojmë se lufta sistematike mbi rendin politik ndërkombëtar është duke bartur një dozë të madhe nga pasojat e mbivendosjes së paqartë të përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitin 1989 dhe rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, të cilat të kombinuara bashkë, kanë prodhuar një dështim dypalësh për të akomoduar shqetësimet e sigurisë.

Nga njëra anë, Perëndimi, për një kohë të gjatë ka qëndruar indiferent në përmbushjen e vakumit gjeopolitik pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës, si dhe ka dështuar për të bashkëpunuar me Rusinë në kuadër të institucioneve ekzistuese politike, ekonomike dhe të sigurisë, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s; nga ana tjetër, Rusia ka dështuar për t’u pajtuar me fqinjët e saj duke mos i ndryshuar në thelb preferencat e saj të sigurisë, me ç’rast ka shkaktuar mosbesim rajonal për qëllime të saj.

Tërheqja e interesave tradicionale të sigurisë që erdhën nga të dyja anët, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi, ka nxitur shtetet Evropës qendrore të bashkohen me institucionet perëndimore sa më shpejt të jetë e mundur, për ta mbrojtur veten kundër një Rusie potencialisht të projektuar si një fuqi e madhe. Kjo çështje tek pala ruse ngjalli logjikën e “dilemës së sigurisë”. Lënia jashtë e disa shteteve të Evropës Lindore, Ballkanit e deri në Kaukaz, të pasigurtë, pa ndonjë marrëveshje kolektive për sigurinë përballë një Rusie tradicionalisht agresore, prodhoi “dilemën e integrimit”.

Pra, logjika e këtyre dy dilemave është shkaku kryesor i përplasjeve gjeopolitike në mes të Perëndimit dhe Lindjes. Nga këto dy logjika, Ukraina Lindore u bë viktima e parë e agresionit rus. Zgjerimi europerëndimor drejt Lindjes dhe zgjerimi euroaziatik drejt Perëndimit, Ukrainën e kthyen në objekt rivaliteti ndërkombëtar – në një betejë me lojën e shumës zero. Bashkimi Evropian (Euro-perëndimi) dhe Rusia nuk arritën të përdorin Ukrainën si një urë bashkëpunimi në mes vete, por padashje zbuluan kufijtë e sferave të influencës në raport me njëra-tjetrën, për një ballafaqim sistematik edhe në të ardhmen.

Përderisa Perëndimi ishte në gjendje për ta transformuar një pjesë të Evropës, duke përdorur pozitën e saj të favorshme të fuqisë të pas Luftës së Ftohtë, me synim krijimin e një rendi të qëndrueshëm, duke tërhequr shtetet rajonale mjaft shpejt dhe me efikasitet në sferën e saj, paralelisht, në anën tjetër, ekzistonte përpjekja e Rusisë për integrimin e saj në nivel rajonal.

Përpjekjet e para e më të rëndësishme ruse për integrimin rajonal ishin gjatë viteve ‘90 me krijimin e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, e cila nuk arriti të marrë ndonjë hov në nivel ndërkombëtar. Në kuadër të këtij procesi, Rusia dështoi në koordinimin e zgjidhjes së problemeve transnacionale, duke mos arritur ta shtrijë ndikimin e fuqisë së butë si një komponent për të arritur deri te pajtimi historik.

Së dyti, por më e rëndësishmja, përpjekjet e Rusisë për integrimin rajonal u zhvilluan, kryesisht, nëpërmjet strukturave euroaziatike dhe shprehimisht përfshinin institucionet politike, ekonomike dhe të sigurisë. Me këtë rast, Rusia, përkundër asaj që thelloi marrëdhëniet dypalëshe, si dhe krijoi disa grupime të vogla multilaterale, ajo nuk arriti të krijojë një përqendrim më të fuqishëm euroaziatik në duart e veta. Strukturat e krijuara si: Bashkimi Doganor Euroaziatik, i cili kishte për synim të elimininonte tarifat doganore; Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive që mburrej me reagime të shpejta e që në fakt, shtetet anëtare të saj e kishin të ndaluar të anëtarësoheshin në ndonjë alternative tjetër të sigurisë; Bashkimi Ekonomik Euroaziatik (EEU), që zëvendësoi Bashkimin Doganor me anë të harmonizimit shtesë institucional për krijimin e një zone të tregtisë së lirë dhe një fondi krize për të shërbyer si një huadhënës alternativ, në vend të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk dhanë ndonjë rezultat të prekshëm.

Në kuadër të këtyre lëvizjeve dinamike, ajo që doli në pah është se zgjerimi i rendit perëndimor kontestoi drejtpërdrejt zgjerimin e rendit euroaziatik dhe anasjelltas. Ndaj dhe shtrimi i analizës në këtë dimension është më i lehtë për ta kuptuar qëllimin e Federatës Ruse në konfliktin në Ukrainë. Duhet ta theksojmë se Ukraina ishte boshti kurrizor për sukseset e Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik. Baza industriale e Ukrainës është jashtëzakonisht e integruar thellë në ekonominë ruse dhe potencialisht konsiderohej si kërcënim i sigurisë për Rusinë. Pa Ukrainën, përpjekjet e Rusisë për të krijuar një bllok ndërkombëtar “Euro-Aziatik”, i cili do të jetë i aftë për të konkurruar në nivel rajonal me blloqet e tjera, të tilla si BE, NAFTA, ASEAN, e kështu me radhë, edhe po të arrinte kulmin e fuqisë, ai në fund do të shembej.  Dhe, aftësia e Rusisë pa Ukrainën për të rishikuar rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, si udhëheqëse e Euro-Azisë, është i kufizuar në mënyrë efektive.

Për të parandaluar dobësimin relativ të saj dhe me synim për të rishikuar rendin politik ndërkombëtar, Rusia aneksoi Krimenë me qëllim që të sigurojë asetet ushtarake dhe të ruajë aftësinë e saj projektuese në Mesdheun Lindor. Ajo përballoi sanksionet e perëndimit, sponsorizoi dhe rriti mbështetjen për separatistët në luftën civile kundër qeverisë qendrore në Ukrainë dhe tashmë ka dalë përtej saj, duke hyrë në konfliktin civil më të ndjeshëm, atë sirian, në mbrojtje të regjimit të Asadit.

Pakënaqësia e Rusisë me çështjet ndërkombëtare është se ajo e konsideron veten si një fuqi e madhe dhe kërkon që në politikën e jashtme të sillet si një subjekt i pavarur, duke i përfshirë edhe aftësitë e saja për të vendosur rregullat e ndërveprimit politik dhe ekonomik ndërkombëtar, ose të paktën, të krijojë rregulla përjashtuese në raport me sjelljet e veta.

Prestigji i saj si një fuqi e madhe tradicionale dhe si shtet kryesor bërthamor nuk është komplementar me aftësitë aktuale që posedon për të ndikuar në politikën ndërkombëtare, të paktën edhe për një brez të plotë. Dhe kur prestigji nuk përputhet me përfitimet në politikën ndërkombëtare, atëherë ai shtet domosdo motivohet për të rishikuar rendin ndërkombëtar. Këtë na e dëshmoi dhe deklarata e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov,  i cili tha se “një reformë e rendit botëror duhet të negociohet…”, duke aluduar në ndryshimin e strategjisë së “egocentrizmit të NATO-s”, si kërcënim për sjelljet e saj.

Synimi për të sfiduar aftësitë e aleancës Euro-Atlantike nga ana e Federatës Ruse duhet t’i rizgjojë nga gjumi letargjik shumë shtete të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe SHBA-të, për t’i zgjidhur konfliktet, pa lënë hapësirë të aderojnë qëllimet e politikës Ruse. Në të kundërtën, mosveprimi i tyre fut në lojë aktorë të tjerë, e sidomos Kinën. Atëherë, nuk na mbetet tjetër, veçse të themi: mirë se vini në botën tripolare!