Ngashërim në vargje nga krahjeta e babait
E Martë, 27 Dhjetor, 2016
Përse ne shqiptarët nuk duhet të mbetemi më skllevër
E Enjte, 26 Janar, 2017

 Çështja kombëtare shqiptare – pjesa e fundit e mozaikut të pabërë ballkanik?8 minuta lexim

Albulena Halili


 

”Në rast se Fuqitë e Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të rreshtin kurrë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes në Gadishullin Ballkanik.” – Abdyl Frashëri

                                                                                                               

Historiku i çështjes kombëtare shqiptare

Formësimi i idesë dhe i vetëdijes kombëtare shqiptare fillon në gjysmën e dytë të shekullit XIX, nga një lëvizje intelektuale e njohur si Rilindja Kombëtare Shqiptare. Kjo lëvizje është katalizatori kyç i proceseve shumë të rëndësishme të organizimit të shqiptarëve. Rilindja Kombëtare Shqiptare bëri organizimin intelektual, politik e ushtarak mbarëkombëtar shqiptar me synim çlirimin, bashkimin dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Shteti shqiptar u krijua në vitin 1912 e me këtë edhe shqiptarizma politike, siç e emërton për herë të parë publicisti dhe idealisti shqiptar, themeluesi i shkollës së neo-shqiptarizmës, Branko Merxhani.

Në përmasa të tejkombëtares, gjeneza e çështjes shqiptare paraqitet në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, kur Bismarku mohon ekzistencën e një kombi shqiptar në Ballkan, ndonëse Ambasadori i Britanisë së Madhe në Stamboll, Goschen, në korrik të 1880 shkruan për domosdoshmërinë e afirmimit të një kombi shqiptar dhe krijimin e një Shqipërie të fortë e të bashkuar.

Pas luftërave ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër qe një përpjekje për përjetësimin e një gjendjeje absurde, një mozaiku të dhunshëm ballkanik, i paraqitur nga fqinjët e Shqipërisë si klishe për popuj të pabarabartë. Ishte ky një mozaik i çoroditur, sajuar keqas nga propagandat dhe doktrinat përshtrirëse zyrtare të vendeve ballkanike dhe lejuar shkujdesshëm nga Fuqitë e Mëdha të kohës.

Gjatë farkëtimit të rendit ndërkombëtar të Versajës, parimi i vetëvendosjes së popujve dhe diplomacia publike përbënin pjesën më thelbësore të Katërmbëdhjetë pikave të Presidenit amerikan Uillson. Ai proklamonte që zgjidhja e të ashtuquajturës Çështje e Adriatikut të bëhej në linja të qarta të kombësisë. Përgjatë tërë shekullit XX, mozaiku s’rreshtte së ndërtuari keqas. Duke vijuar kështu me radhë nëpër kongrese, konferenca e forume ndërkombëtare, epoka njëshekullore e kombit shqiptar mund të cilësohet vetëm si epokë e mbijetesës, dhe sa herë që shqiptarët kërkonin rishikimin e korrigjimin e kësaj tablloje, ata cilësoheshin si nacionalistë agresivë.

 

Nacionalizmi sui generis shqiptar

Nacionalizmi nuk është një ide arkaike dhe anakronike siç cilësohet shpesh. Ajo është ideja që i mobilizon dhe mbron popujt. Ky nacionalizëm ka ndikuar drejtpërsëdrejti në zgjimin kombëtar të popujve, çlirimin e tyre nga sundimet, çfarëdolloji qofshin, dhe i ka shpier në stadet më të larta të zhvillimit të tyre. Ai ka qenë diga lëvizëse e të gjithë popujve evropianë për të krijuar kombet e tyre dhe si i tillë s’do mend se është i natyrshëm dhe në vijë me çdo tendencë historike.

Nacionalizmi shqiptar përbën një nacionalizëm sui generis, i cili përgjatë kohës ka pësuar transformime. I krijuar si nacionalizëm intelektual e kulturor përmes një lëvizjeje mbarëkombëtare, sot nacionalizmi shqiptar është tejet i moderuar. Fatkeqësisht ai s’përfaqëson asgjë më shumë se një nacionalizëm të herëpashershëm popullor e folklorik, për dallim nga të gjithë fqinjët, të cilët tradicionalisht dhe vazhdimisht paraqesin nacionalizëm që mbështetet në doktrina dhe politika zyrtare shtetërore si “Naçertanije” serbe apo “Megali-idea” greke. Ligji mbi gjendjen e luftës është akoma i plotfuqishëm mes Shqipërisë e Greqisë. Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur ndonjë projekt zyrtar për “Shqipërinë e Madhe” ashtu siç shpesh referohet. Ky është një term i shpikur nga serbët dhe i përdorur nga jo-shqiptarët. 

 

Çfarë përfaqëson sot çështja kombëtare shqiptare

Në Evropën e vlerave, popujt do të duhej të zhvilloheshin natyrshëm, pa rregulla e kufizime për popuj të caktuar. Gjeniu i letrave shqipe, Kadare, shkruan “duke pritur, në qoftë se është e domosdoshme kohë më të qeta e më të emancipuara, për aplikimin e parimit të vetëvendosjes së popujve, Evropa nuk duhet gjithsesi, në mënyrë arrogante të përpiqet ta varrosë këtë ide shpëtuese.” Përndryshe populli shqiptar do të vazhdonte të ishte, siç edhe u shpall praktikisht nga akademiku Rexhep Qosja, “Popull i ndaluar”.

Çështja kombëtare shqiptare është çështje reale dhe kjo nuk duhet mospërfillur. Ajo është një çështje e rëndësishme për shkak të numrit të shqiptarëve, autoktonisë, gjuhës, gjeografisë, historisë dhe prejardhjes së tyre unike. Kjo çështje po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shkak të faktorizimit të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik. Ata tashmë kanë dy shtete të tyre. Shqipëria, deri dje pjesë e Evropës gjeografike, sot është pjesë vitale e lidhjes transatlantike mes Evropës e Amerikës dhe po rikthehet ngadalë e sigurt në Evropën politike. Kosova, megjithëse me një sovranitet pothuajse të cunguar, është po ashtu faktor i rëndësishëm gjeopolitik.

Çështja kombëtare shqiptare përbën vetë një nënmozaik në mozaikun e pabërë ballkanik. Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë, atyre të Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe çështja çame që të gjitha janë pjesë të këtij nënmozaiku, që të gjitha janë çështje reale, të drejta dhe të pazgjidhura. Ato nuk janë produkt i nacionalizmit shqiptar, por pasojë e pakuptimësisë së politikave zyrtare dhe nacionalizmave institucionale përshtrirëse të fqinjëve, legjitimuar nga fuqitë evropiane të shekullit të kaluar. Si e tillë, do të duhej të brejë dhe ndërgjegjen evropiane.

Kërkesat e shqiptarëve s’kanë qenë kurrë jashtë realitetit dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare. Ato kanë qenë të natyrshme, të arsyeshme e të drejta. Të cilësuar më shumë se cilido popull ballkanik si nacionalistë, shqiptarët janë komb që vuajnë nga kozmopolitizmi. Politika zyrtare shqiptare gjithandej është panevojshëm dhe jashtëkohshëm (në kuptimin futurist) e moderuar.

Njëra nga figurat më të shquara shqiptare, Arbën Xhaferi, thoshte: “Ka kultura që jetojnë në një kohë dhe ka kultura që jetojnë në të ardhmen”.

Shqiptarët janë komb që jetojnë në të ardhmen!

 

Çështja kombëtare shqiptare – Quo Vadit?

Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit kanë sjellë ndryshime radikale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në rendin ndërkombëtar. Pothuajse gjithçka shkoi mbrapsht në rendin ndërkombëtar të Versajës, ashtu qe rasti edhe me krijesat multi-etnike artificiale: Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Ato u shpërbënë. Shtete-kombe u krijuan dhe u rikrijuan mëpastaj. Çështje të vjetra dhe të pazgjidhura janë ringjallur.

Sot, rikonstruktimi gjeopolitik është mozaik i vështirë për t’u zgjidhur. Riskajimi i gadishullit Ballkanik është një proces pothuajse i papërfytyrueshëm në kontekstin aktual historik, kur integrimi euro-atlantik është baza e prosperitetit dhe stabilitetit të tij. Kriza financiare e BE-së dhe lodhja nga zgjerimi si dhe kontestet bilaterale mes shteteve të Ballkanit kanë ngadalësuar procesin. Përderisa ekziston një gjendje time-out, imponohet nevoja për qasje të reja. David L. Phillips flet për “Fqinjërinë shqiptare – komunitet që ndan të njëjtat vlera e që bazohet në përkushtimin ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tregjeve të hapura”. (…) “Është e bazuar në faktin se grupet kanë cilësi të natyrshme të cilat pasqyrojnë historinë, kulturën dhe marrëdhëniet e tyre të përbashkëta tregtare. Të lejuarit e lulëzimit të këtyre cilësive organike mund të luajë rolin e valvulës-siguresë, duke iu mundësuar grupeve që ta nxjerrin avullin jashtë. Frustrimet paraqiten natyrshëm kur aspiratat pengohen ose nga gjeografia ose nga politika irredentiste” – shkruante ai në një artikull mbi këtë ide në vitin 2012. Ai po ashtu shkruan për realitetin e “Solidaritetit etnik shqiptar në Ballkan”, por ky koncept nuk është i përshtatshëm as në kontekstin historik e as në atë gjeografik. Solidariteti etnik është koncept ku etnia pasqyron vetëdijesimin e përkatësisë në një grup, ashtu sikur edhe detyrat e solidaritetit të cilat ua imponon anëtarëve brenda dhe jashtë, kundrejt sfidave të mbijetesës së grupit. Është një koncept i përdorur gjerësisht për diasporat dhe fqinjërive të emigrantëve në mbarë botën. Lidhjet midis shqiptarëve jo vetëm që janë organike dhe të natyrshme, por ato janë edhe të lidhura historikisht me territore etnike kompakte. Në vend që të nxiten dhe ndërtohen lidhje të interesave të përbashkëta të cilat veçse ekzistojnë, ajo që nevojitet është integrimi kombëtar shqiptar i bazuar në standardet perëndimore dhe në parimet dhe idealet evropiane. Bashkëpunimi ndër-kufitar dhe rajonal, integrimi ekonomik, arsimor dhe kulturor, zhvillimi i infrastrukturës rajonale dhe projektet e veprimtaritë e përbashkëta që lidhen me mediat dhe komunikimet përbëjnë thelbin e integrimit kombëtar shqiptar. Ky integrim e plotëson dhe i sjell dobi integrimit rajonal në strukturën euro-atlantike.

 

 

(Visited 228 times, 1 visits today)
Share This