Kaq shumë gjëra do të ndryshonte kultivimi i një kritike të mirëfilltë letrare, i një kritike me baraspeshë, i një kritike të bërë jo nga mjeshtër çollakë, por nga ata të zanatit, nga ata që dozimin e njohin dhe e përfillin këmbëngulshëm, nga ata që s’i zë gjumi natës për një fjalë të thënë…

 

Gjithmonë jam ndjerë ngushtë kur më është dashur të jap një mendim lidhur me krijimtarinë e shkrimtarëve të rinj, jo për shkak të mungesës së entuziazmit se ata po shtohen, por për shkak të frikës reale të dozimit të fjalëve nxitëse e dëshirore. Kur them nxitëse, kam parasysh ato mendime që mund t’i japin hov e vetësiguri akëcilit shkrimtar, duke ia përkëdhelur sedrën e duke e frymëzuar edhe më që ta shohë veten në radhën e shkrimtarëve të shquar. Ndërkaq fjalët a fjalitë dëshirore kanë të bëjnë me ato gjëra që do të dëshiroja t’i shihja ndryshe e më mirë te shkrimtari që ma ka paraqitur me zell dorëshkrimin. Kjo baraspeshë mes këtyre të dyjave është ai dozimi që ia kam frikën dhe e ndiej si barrë tek shkruaj një tekst për një autor të ri, edhe në rastet kur më pëlqen shkrimi, po edhe në rastet kur mendoj se ka tepri të disa gjërave në dëm të mendimit, të ndjenjës, apo, ç‘është më e rëndësishmja, të estetikës.

Dozimi është kaq brejtës dhe bart kaq shumë përgjegjësi sa mund të ta shpjerë në theqafje gjumin për disa net rresht.

Kurrë s‘i kam kuptuar as ata kritikë që e fryejnë si tullumbace mjeshtërinë e një autori, e as ata që i bien shkurt e me negativitet, duke ia prerë flatrat që në fillim, apo, siç do të thoshte poeti Esad Mekuli, si ato mrazet e pranverës, duke ua mbytë filizat mu në farë.

Dozimi i këtyre dyjave ka të bëjë me baraspeshën dhe përgjegjësinë e fjalës. Një lëvdatë e tepërt, një mëtim për ta vendosur poetin e ri në maje të larta me “teleportim”, është më shpesh një dëm, është mundësia për t’ia mbushur mendjen se ka një talent të rrallë, duke ia ndërprerë rrugën e kërkimit, e madje, edhe më skandalozja, edhe atë të leximit, aq sa e shndërron poetin në një kërkues botuesi a shtypshkronje dhe e vë në gjurmim të një njeriu tjetër që do ta fryejë atë flluskën e sapunit që e duan fort fëmijët, që e quajnë bubbles, që bëhet me ngjyra të rreme nga përthyerjet e dritës, e që fluturon larg, ku zhduket përfare, duke ia lënë fëmijës iluzionin gjysmë të besueshëm se u ngjit në qiell, ku syri i tij s’e gjen më…

Po edhe heqja e një vije të rreptë a e një iksi barbar mbi krijimtarinë e tij është diçka e vrazhdë, e pamenduar mirë, diçka që s’e lejon t’i rriten flatrat, diçka që ia ndalon fluturimet e nesërme, diçka që u ngrit bostblloqe të tmerrshme muzave që e deshën, diçka që ia rrokullis vetbesimin tatëpjetës së ëndrrës.

Pra, të dyja janë të rrezikshme dhe të dyja e zhdukin një krijues, andaj dozimi është i domosdoshëm në rastin e krijuesve ende të paafirmuar. Kjo ndjenjë përgjegjësie më ndalon të shkruaj për librat e rinj të botuar apo për ata që presin në dorëshkrim, edhe sot kur e ndiej, si asnjëherë më parë, mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare. Mungesën e një kritike që në mënyrë korrekte, të drejtpërdrejtë, do të fliste për librat që duhen lexuar, do të trasonte rrugë të sigurta për krijuesit e rinj dhe jo vetëm për ata; një kritikë që do ta orientonte mendimin e lexuesit joprefesionist, do t’i hapte horizontin një lexuesi të profesionalizuar për të bërë një studim për një vepër të caktuar, do t’i nxirrte nga anonimati disa yjësi letrare që janë humbur në grumbullin me zhurmues të atyre që kanë botuar një deng librash sa për t’i marrë në qafë drurët që e bënë letrën…

Kaq shumë gjëra do të ndryshonte kultivimi i një kritike të mirëfilltë letrare, i një kritike me baraspeshë, i një kritike të bërë jo nga mjeshtër çollakë, por nga ata të zanatit, nga ata që dozimin e njohin dhe e përfillin këmbëngulshëm, nga ata që s’i zë gjumi natës për një fjalë të thënë… A s’duket pak e shëmtuar të kesh frikë të shkruash e të japësh mendim për një vepër kur e di mirë se ç’hon të madh le në artet bashkëkohore (në të gjitha pa përjashtim) mosekzistimi i kritikës?! Sigurisht që po. Por ajo ndjenja e frikës nga dozimi i saktë mbase ma jep një arsye…

Në grumbullin e librave që shtohen përditë, në mundësinë tepër të madhe të secilit për të botuar gjithçka që zhgaravit, shpesh humb emri i një krijuesi të talentuar vërtet, për shkak të mungesës së reklamës, për shkak të natyrës së tij të tërhequr (siç janë rëndom poetët), për shkak të vërshimit të titujve të botuar pa asnjë kriter, të cilët jo se e rrezikojnë letërsinë, por rrezikojnë dukjen e atij të vërtetit, pasi kur na bie në dorë një libër i shkruar nga një autor që s’e njohim, e para gjë që na vete ndërmend është: Duhet të jetë njëri nga ata. E ata janë shumë, janë aq shumë sa kanë bllokuar vitrinat e librarive, stendat e panaireve, rrjetet sociale e gjithçka që u del përpara. Ky fakt e bën shumë të ngutshëm kultivimin e një kritike letrare që do t’i shquante disa emra në një qoshe gazete a në një faqe serioze letrare interneti, apo në ndonjë diskutim konstruktiv në televizion. Ekziston një produksion i jashtëzakonshëm “letrar”në kohën e fundit, pa asnjë shoshë, pa asnjë mendim serioz i thënë për të dhe kjo po na shpie në rrugë pa krye e jo vetëm në letërsi, por në të gjitha artet. Kaq shumë koncerte të muzikës klasike, kaq shumë ekspozita personale e kolektive, kaq shumë shfaqje teatrore kalojnë pa u thënë asnjë fjalë për to e duke ua lënë vlerësimin vetëm sasisë së duarve që e apllaudojnë. E kështu, me efektin e fluturës, rrënojmë diku një vjershë të bukur, e vëmë një ngjitës në gojën e një poeti që ka ardhur në jetë për të shkruar, e dënojmë një roman me burg në magazinat e librarive, apo, edhe më keq, në kompjuterin e shkrimtarit, ia vëmë çelësin dy-tri redaksive të revistave kulturore, po besa, edhe të disa shtëpive të vogla entuziaste botuese. Heshtja dalëngadalë mundëson që oferta të jetë egjri dhe pastaj vjen mendimi ngulmues se alqionët-poetë nuk duken më kund për t’i mbajtur në shpinë prindërit e tyre në hapësira të reja fluturimi.

Moskultivimi i kritikës së mirëfilltë mundëson që të përkrahen financiarisht edhe nga institucionet e kulturës vepra të paverifikuara, gjë që e mundëson jetëzgjatjen e disa pseudoautorëve, të disa shtëpive botuese fantazma, apo të atyre që aktivizohen vetëm një herë në vit me nga dy libra të financuara nga Ministria (këtu te ne, për shembull), të disa koncerteve e trupave teatrore të dobëta, të disa revistave letrare që janë llumi i produksionit letrar, hartuar pa asnjë shije e kriter (vetëm për ta arritur normën e tirazhit që duhet të dorëzohet në Bibliotekë) e shumë dukuri të ngjashme që e bjerrin artin, në vend që ta stimulojnë atë. Në rastin e një kritike të vërtetë asnjëra nga këto dukuri nuk do të shfaqej kështu paturpësisht në çdo fushë arti për ta zvetënuar e për t’ia humbur pak nga pak publikun, atë publik që mezi mbahet në këmbë midis betejës me internetin dhe informacionet e pafiltruara që i marrim përmes tij. Me këtë do të mundësohej mbështetja e artit të vërtetë, e letërsisë së mirëfilltë që mëton drejt vendit të saj në vlerat kanonike, si dhe krijimi i një mendimi serioz mbi artin në përgjithësi e mbi letërsinë në veçanti, gjë që do ta ushqente shëndetshëm më vonë krijimin e një historie të plotë letrare, që kaherë paraqet një nyje kruciale për studiuesit e letërsisë sonë.

Përveç frikërave të paraqitura në krye të këtij shkrimi lidhur me dozimin e lëvdatave dhe vërejtjeve, kritikut serioz letrar i dalin edhe do stërkëmbëza të tjera që e pengojnë ta hedhë tutje drojën e shkrimit të drejtpërdrejtë për secilën vepër. E para, me gjasë, është rënia e besimit se ende tekstet e tilla janë kërshërindjellëse dhe se mund të ndryshojnë ndonjë gjë dhe e dyta shpesh ka të bëjë me një provincializëm të lehtë, sidomos në vendet ku hatri është kandari matës i shumë vlerësimeve, në mjediset e vogla letrare ku njihen të gjithë dhe ku çdo mendim i shprehur drejtpërdrejt rrezikon të duket tendencioz, i njëanshëm, mosdurim  personal, ballafaqim grupesh me kritere jashtëletrare vlerësimi e të ngjashme. Në mjedise të këtilla zhvillimi i mendimit kritik jo rrallë bëhet peng i hatërmbetjeve provinciale në dëm të së mirës së përgjithshme të artit.

Një tjetër element pengues i kritikës është edhe mundësia që i jepet gjithkujt të publikojë krijime letrare në rrjete sociale e bashkë me to edhe komente superlative, ku shkëlqejnë fjalët: e jashtëzakonshme, perlë, mrekullia vetë, kryevepër…, që shqiptohen me bollëk e që kontribojnë edhe më në bjerrjen estetike dhe të vështrimit të mirëfilltë letrar. Të gjitha sa i përmendëm, po edhe mjaft faktorë të tjerë, e krijojnë këtë shkretëtirë të mendimit kritik kaq të munguar në ditët e sotme, që jo vetëm s’arrin ta ndjekë fluksin marramendës të botimeve të librave, por edhe ngurron të shfaqet haptazi. Kritiku, apo lexuesi i profesionalizuar, i zënë ngushtë midis produksionit marramendës në njërën anë dhe reklamës me kritere jashtëletrare (por mjaft të fuqishme) në anën tjetër, zgjedh të heshtë e ta ndërtojë listën vetjake me veprat që, sipas shijes së tij, i bëjnë nder letërsisë kombëtare a botërore. Ai pothuajse ka pushuar fare dhe s’duket gjëkundi për t’ia nisur prapë nga e para: t’i afrohet ngadalë veprës, me lapsin e gdhendur për të shënuar ndonjë rresht e varg që i lë përshtypje të veçantë a një tepri poetike që i shkon në dëm estetikës së librit, sa për ta mbajtur në baraspeshë reale dozimin e nxitjes dhe dëshirës ndaj një shkrimtari të njohur apo ndaj atij të riut që rishtazi po depërton në pyllin joshës të shkrimtarisë me fanarin e dorës dhe përjetimet e veta, si mjete të vetme që do t’i hyjnë në punë midis bukurisë së pyllit dhe kërcënimit të egërsirave.

 

Vjollcë Berisha

Është pedagoge e letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës. Ka magjistruar në vitin 2010 për poezinë bashkëkohore, përkatësisht për poezinë e Ismail Kadaresë, me temë “Vëllimi “Shekulli im” i Ismail Kadaresë – gjeneza e frymëzimit dhe modeli i ligjërimit”. Është doktorante në fushën e Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2005 ka botuar përmbledhjen poetike “Në xhep kam një botë”, ndërkaq në 2018 studimin ""Shekulli im" i Kadaresë". Ka botuar artikuj e studime në revista shkencore e letrare. Jeton në Tetovë.