“Fëmijët bëhen lexues në prehrin e prindërve të tyre.”

Emilie Buchwald

Arsimi është thelbi i zhvillimit të gjithëmbarshëm të çdo shoqërie. Ky konstatim është arritur që kur ka zënë fill zhvillimi njerëzor. Për këtë fakt janë shkruar libra të panumërt dhe janë bërë hulumtime shkencore.

Përkundër asaj që sot edukimi dhe arsimi janë të garantuara me konventa, si e drejtë themelore njerëzore, megjithatë ata ende përbëjnë një sfidë të madhe në shumë shoqëri moderne anembanë botës.

Përderisa shumica e kontinentit evropian, të cilit i takojmë gjeografikisht, ia ka dalë të konsolidojë arritjet e saj në arsim, shkencë e teknologji, shteti më i ri i tij – Kosova, përveç që nuk ka bërë përparime për t‘u veçuar, fatkeqësisht akoma përballet me një fenomen, nën presionin e të cilit rënkon shoqëria e saj – analfabetizmin.

Numri i analfabetëve në Kosovë ka arritur kulmin. Shkalla në të cilën gjendet vendi ynë në këtë aspekt, në shekullin XXI është e patolerueshme, në mos fatale për një shtet të ri me aspirata të mëdha të zhvillimit. Statistikat nga institucionet gjegjëse – nëse nuk merret parasysh kategoria e analfabetizmit si pasojë e deficiteve psikike, në të cilat individi ka vetëm ndikim të kufizuar – flasin për një gjendje tejet të rëndë në të cilën është zhytur shoqëria jonë. Gjendja mund të duket akoma më keq, nëse këtu i përfshijmë edhe analfabetët funksionalë. Nëse shkalla e personave që nuk dinë shkrim a lexim në Kosovë, sipas statistikave nuk është rritur, nga ana tjetër ajo nuk ka shënuar as rënie në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, që nga përfundimi i luftës. Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse, niveli i analfabetizmit të përgjithshëm në Kosovë është më i larti në Evropë. Përderisa me dukurinë, përveç Agjencisë së Statistikave, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, apo ndonjë organizate të caktuar, janë marrë edhe mediet, problemi në pjesën më të madhe të kohës është trajtuar vetëm në aspektin komunikues.

Shkaqet e kësaj gjendjeje dëshpëruese janë identifikuar, por iniciativat e pakta për përmirësimin e gjendjes nuk janë treguar të jenë të suksesshme.

Çka është analfabetizimi dhe si dallohen llojet e tij?

Si analfabetizëm definohen deficitet individuale, kushtimisht kulturore, arsimore, apo psikike në lexim dhe shkrim, apo edhe paaftësia e plotë në këto disiplina. Një njeri është analfabet, në qoftë se nuk di, sepse nuk e ka mësuar kurrë shkrim-leximin.

Për analfabetizëm sekondar flitet në rastet, kur aftësitë e shkrim-leximit kanë humbur, gjegjësisht shkrim-leximi është harruar si pasojë e mospraktikimit.

Si semi-analfabetizëm përshkruhet gjendja, kur një individ di të lexojë, por jo edhe të shkruajë.

Të qenit injorant ose i padijshëm në një fushë të veçantë, njihet si analfabetizëm funksional.  Analfabetët funksionalë janë individët, të cilët janë në gjendje të lexojnë dhe shkruajnë fjalë të vetme apo edhe fjali të thjeshta, por nuk janë në gjendje të kuptojnë atë që kanë lexuar. Ata nuk kanë aftësi t’i kuptojnë gabimet e tyre intelektuale, apo nuk janë të vetëdijshëm për kufijtë e njohurive të tyre. Ky i fundit është në kontrast me analfabetizmin në kuptimin e ngushtë të fjalës, por është derivat i tij.

Problemin duhet shikuar nga rrënjët

Nëse i hedhim një shikim historisë së popullit shqiptar, padyshim duhet konstatuar se që kur është shkruar “Formula e Pagëzimit” e deri te mbajtja e Kongresit të Manastirit apo shpallja e pavarësisë së Kosovës, rruga drejt lirisë ka qenë drejtpërsëdrejti e ndërlidhur me përpjekjet shekullore për ta realizuar të drejtën e tij për të mësuar shkrim-lexim e për t’u shkolluar në shkolla shqipe. Për shkak të pushtimeve të ndryshme, shqiptarët në vazhdimësi kanë luftuar për mbijetesën e tyre dhe kanë përjetuar një diskriminim etnik, kulturor e socio-ekonomik, gjë që ka lënë pasoja të rënda në zhvillimin shoqëror.

Faktorët demografikë, cilësia e dobët e arsimit në shkolla, sidomos në viset rurale, të prapambetura, ku shkrim-leximi fatkeqësisht ende nuk ka zënë rrënjë, në përditshmëri braktisja e shkollimit, janë po ashtu faktorë të tjerë me ndikim.

Këto fakte megjithatë nuk mund të merren si pretekst për të ngelur në vendnumërim. Në rastin e Kosovës, vetëm që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 institucionet gjegjëse kanë hartuar një sërë strategjish e planesh për përparime në fushën e arsimit, shumica e objektivave të të cilave kanë mbetur pa u realizuar. Kjo është konfirmuar në raporte të ndryshme të hartuara nga vetë këto institucione. Përderisa fajin për mosrealizimin e atyre objektivave institucionet e bartin tek njëra-tjetra, mbetet i pakuptueshëm fakti, sa pak rëndësi i kushtohet zgjidhjes me seriozitet të problemit në mënyrë shumë praktike, duke i përfshirë të gjithë aktorët, nisur nga institucionet qendrore e deri tek prindërit, apo anasjelltas.

Cilat janë pasojat?

Nga studimet relevante pasojat e analfabetizmit ndahen në dy kategori:

Pasojat individuale, të cilat janë të ndërlidhura me kufizimin e marrjes së informacionit thelbësor, rritjen e shkallës së papunësisë në raport më ata që kanë shkollim, të ardhurat më të ulëta dhe si pasojë, pasigurinë financiare. Individët analfabetë janë shumë lehtë të ekspozuar ndaj fenomeneve negative dhe fakti ndoshta më i dhimbshëm është bartja e analfabetizmit tek gjeneratat e reja.

Si pasoja shoqërore konsiderohen faktet, sipas të cilave shtetet që kanë shkallë të lartë të analfabetizmit janë shumë pak konkurruese në ekonominë e re globale. Shumë sektorë shtetërorë mbeten vakantë në mungesë të personelit adekuat dhe si pasojë e kësaj, sa më e lartë rritja e analfabetizmit aq më e ngadalshme është rritja e përgjithshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).

Çfarë mund të bëjmë për të parandaluar këtë fenomen?

Zgjidhja më e mirë është të merremi me parandalimin e problemit. Promovimi dhe krijimi i një kulture për të lexuar që në moshë te re është arma më e fuqishme në luftën kundër analfabetizmit. Prandaj ne si pjesëtarë të shoqërisë, në mos për të çrrënjosur analfabetizmin, së paku për të parandaluar në mënyrë sistematike shtrirjen e tij, duhet të nisemi nga vetë ne, duke udhëhequr me shembull.

Problemi kyç në shoqërinë tonë në këtë rast qëndron në faktin se në familjet tona nuk lexohet rregullisht, apo lexohet shumë pak. Kultura e të lexuarit është përcaktuesi kryesor i zhdukjes së analfabetizmit. Është perceptim i përgjithshëm që varfëria është njëri nga faktorët që rrit shkallën e analfabetizmit. Mirëpo studimet e botuara nga institute me renome, tregojnë se analfabetizmi nuk paraqitet si rezultat i varfërisë, por janë faktorët kulturorë ata që kufizojnë qasjen e mundësisë në të nxënit e dijes, sidomos tek fëmijët. Kur fëmijët janë të rrethuar nga të rriturit, të cilët nënvlerësojnë rëndësinë e leximit, ata kanë pritshmëri më të ulët arsimore. Nga ana tjetër, kur fëmijët janë të rrethuar nga të rriturit, të cilët zakonisht kanë kulturë leximi në shtëpi, ata kanë prirje për të arritur avancimin akademik edhe nëse janë të lindur dhe rriten në kushte jo të favorshme socio-ekonomike.  

Prandaj, një nga mënyrat më efektive për të nxitur leximin dhe me këtë edhe kureshtjen për të mësuar që në moshë të hershme, është leximi konstant së bashku me fëmijët në familje.

Prindërit janë personat e parë, të cilët kanë fuqinë që nëpërmjet leximit për ta dhe me ta, t’i përgatisin fëmijët për të arritur qëllimet e tyre të mëvonshme akademike.  

Lista e përfitimeve të leximit me fëmijët në moshën e hershme është e gjatë dhe ato janë vërtetuar në studime të shumta të ekspertëve të arsimit. Fëmijët që në moshë të hershme  krijojnë kontaktin me librat është dëshmuar të jenë më të përgatitur për klasën e parë dhe me këtë tregojnë edhe rezultate më të mira përgjithësisht në të gjitha lëndët, apo fushat në periudhën e mëvonshme të shkollimit.  

Të lexuarit bashkë me fëmijët në moshë të hershme, jo vetëm që zhvillon imagjinatën dhe aftësitë për të kuptuar botën që i rrethon, por njëkohësisht ndihmon zhvillimin e aftësive gjuhësore, aftësive të dëgjimit të vëmendshëm, të të menduarit të logjikshëm, apo edhe argumentimit.

Për të realizuar këtë nuk nevojitet shumë kohë e as shpenzime të mëdha.  Një orë kohë në ditë i ka dhe duhet t’i ndajë çdo prind për këtë aktivitet të çmuar me fëmijët. Kaq mjafton për të krijuar një shprehi leximi.

Për sa i përket librave dhe disponueshmërisë së tyre në kushtet e sotme të jetës së qytetarit të zakonshëm në Kosovë, është më se e kuptueshme që shumë prindër, për fat të keq nuk e kanë mundësinë për t’ blerë ato, qofshin edhe me çmime simbolike.

Zgjidhje megjithatë mund të gjendet; huazimi në bibliotekat e qytetit është vetëm një shembull i thjeshtë. Në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe shtimin e leximit mund të kontribojnë bibliotekat e qytetit. Në fund të fundit ky dhe është misioni i tyre parësor.

Në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të bibliotekave publike, të shtrira gjithandej qyteteve dhe fshatrave, në të cilën anëtarësimi vjetor do të duhej të ofrohej falas. Bibliotekat publike nuk duhet të shërbejnë vetëm si arkivim librash, apo dhënie kartonash.

Bibliotekat do të duhej të ngrenë sektorë me bibliotekarë profesionistë, të cilët organizojnë lexime të rregullta në baza ditore dhe jashtë orarit të mësimit, të kombinuara me aktivitete të përshtatshme për grupmoshat e fëmijëve.

Gjatë hulumtimit më rastisi që, në njërën prej ueb faqeve të bibliotekave më të njohura për fëmijë në dy njoftime të ndara, të lexoj lidhur me vizitën e fëmijëve të një shkolle që ia kishin bërë asaj biblioteke. Në atë njoftim, ndër të tjera thuhej: “(Fëmijët) premtuan se do të regjistrohen në bibliotekë për të lexuar sa më shumë libra…”. Apo : “Mësueset  shprehën interesim që nxënësit e tyre të bëhen sa më parë anëtarë të bibliotekës…”! Unë nuk arrij të kuptoj qëllimin e vizitës së bibliotekës, nëse nuk është në radhë të parë regjistrimi! Ky është vetëm një nga indikatorët e thjeshtë por të shumtë, që dëshmojnë pasivitetin e institucioneve përkatëse.

Një rol të madh në luftën kundër analfabetizmit mund të luajnë edhe teatrot e kukullave, fondacionet e ndryshme apo organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke u angazhuar në mënyrë aktive, por gjithsesi edhe duke i mbikëqyrur rezultatet. Leximi me fëmijë nuk duhet të mbetet një aktivitet që organizohet një herë në vit në mënyrë simbolike në ditën e të drejtave të fëmijëve.

Në nxitjen e leximit të hershëm, padyshim, institucionet parashkollore janë faktorë të pakapërcyeshëm. Fokusi në artin gjuhësor brenda planprogrameve për parashkollorët dhe parafillorët – në mënyrë të vetëkuptueshme edhe nëpërmjet edukatorëve profesionistë, të përkushtuar dhe të pasionuar – është treguar të jetë tregues i suksesit akademik. Fëmijët që vijojnë mësimin parashkollor me kurikulë të përshtatshme dhe cilësore, siç kanë dëshmuar hulumtimet, janë më të përqendruar dhe po ashtu janë në gjendje të mësojnë më lehtë dhe më shpejtë përmbajtjet e teksteve si dhe të kuptojnë konceptet e reja.

Për ta zënë hapin e zhvillimit dhe për t’u bërë pjesë e shoqërive të ndritura, nevojitet urgjentisht mobilizim gjithëpërfshirës dhe angazhim serioz i të gjithë shoqërisë. Në të kundërtën, pasojat që po i përjetojmë tashmë ne do të jenë edhe më të rënda për gjeneratat që do të vijnë.

Ramize Ferati

Pas studimeve në fushën e përkthimit dhe letërsisë gjermane në Institutin e Gjuhëve dhe Përkthimit në Munih dhe në Universitetin e Prishtinës, Ramize Ferati karrierën e saj e ka nisur në vitin 2002, si mësimdhënëse në Shërbimin Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) në Prishtinë. Në kuadër të angazhimit të saj shumëvjeçar si përkthese-interprete në organizata dhe institucione ndërkombëtare, nga viti 2007 është përqendruar në fushën e diplomacisë, politikës si dhe të drejtave të fëmijëve. Së fundmi ka qenë angazhuar si mësimdhënëse në Webster Public Schools në shtetin federal Massachusetts të SHBA-ve dhe i është përkushtuar pedagogjisë me theks të veçantë në rolin e arsimit në zhvillimin e shoqërisë. Ka përkthyer dhe shkruar një sërë artikujsh, studimesh e hulumtimesh nga fusha e diplomacisë dhe publicistikës.