E gjithë kjo që po ndodh në këtë vend nuk e lëkund agjendën shqiptare, sepse ajo është e konsoliduar dhe përvijuar nëpërmjet një procesi të natyrshëm historik dhe politik. Prandaj alternativa shqiptare e zgjidhjes së problemeve nuk është e zymtë, nuk  është e pashpresë, por ajo është refleksion historik i padrejtësive dhe do të ngadhënjejë më në fund.

 

Është e qartë, Maqedonia po kalon nëpër një krizë e thellë politike, në të cilën është vështirë të krijosh një pasqyrë të qartë të gjithë asaj që po ndodh. Kush dhe kujt i bën lajka? Kush me kë po bashkëpunon? Kush ka realisht përkrahjen më të madhe te populli?  Kush flet drejt, e kush bën propagandë?

E gjithë kjo ndodh kur e vendos veten në pozitën e një banori që jeton në Maqedoni. Nëse mendon si shqiptar i Maqedonisë, atëherë gjërat sikur qartësohen.

Duke filluar që nga pavarësia e Maqedonisë, e cila asnjëherë si e tillë nuk është pranuar nga shqiptarët e Maqedonisë (kujtoj këtu referendumin për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët), agjenda shqiptare ka qenë pjesë e çdo bisede, konference, takimi ose thjesht fushate zgjedhore ose politike.

Elita politike dhe intelektuale e shqiptarëve të Maqedonisë deklarativisht e ka shprehur çdo herë këtë si pjesë e zgjidhjes së problemeve në këtë shtet, si diçka të domosdoshme ose pa të cilën ky shtet s’do të funksionojë.

Agjenda shqiptare ka qenë dhe është e vetme, unike dhe pjesë e zgjidhjes së krizës dhe problemeve të këtij shteti, pavarësisht se në shikim të parë duket se lufta po zhvillohet në “kampin e tyre” dhe brenda tyre.

Nga takimi i dështuar i Vjenës u përvijua edhe një fakt i pamohueshëm, se shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së problemit dhe jo krijues të problemit. Derisa maqedonasit akuzonin  njëri-tjetrin, përfaqësuesit shqiptarë, pa përjashtim, shprehën brengosjen e tyre për ardhmërinë e këtij vendi.

Bashkësia ndërkombëtare, duket se po punon në qetësimin e gjendjes, duke lëshuar deklarata kërcënuese për bartësit e institucioneve kryesore maqedonase, se nëse nuk respektojnë marrëveshjet , Maqedonia do të izolohet. Në këtë drejtim është edhe emërtimi i përfaqësuesit special gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl , i cili do të duhet të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës politike.

Në Shkup, nga ana tjetër po zhvillohen të ashtuquajturat revolucione dhe kontrarevolucione. Kurse përfaqësues të ca lëvizjeve dhe organizatave shqiptare sikur e prishën këtë atmosferë “revolucionare”, duke protestuar kundër pushtetit.

Qasja shqiptare ndaj Takimit të Vjenës, dëshmoi edhe njëherë se shqiptarët janë faktor konstruktiv, i pjekur dhe vizionar. Futja e agjendës shqiptare në çështje të “huaja ideologjike” rrezikon të gllabërohet, asimilohet dhe zhbëhet, duke u bërë pjesë e agjendave me ngjyra në njërën anë apo “antiko-maqedonase” në anën tjetër.

Pas dështimit të takimit të Vjenës, partia shqiptare në pushtet, BDI, ftoi të gjitha subjektet politike të marrin përgjegjësitë që kanë para qytetarëve dhe të sjellin vendime në interes të tyre. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që t’i jepet shans çdo procesi të mundshëm për tejkalimin e krizës që do ta kthejë vendin në agjendën e integrimit.

Partia Demokratike Shqiptare, edhe ajo pjesëmarrëse në bisedimet e Përzhinos, vlerëson se dështimi i takimit të Vjenës dëshmon qëndrimin e kësaj partie se qasja e subjekteve që përbëjnë aktualisht qeverinë është joserioze në raport me marrëveshjen politike të verës së kaluar.

Partitë e vogla shqiptare, të cilat akoma nuk kanë marrë legjitimitet nga votat e shqiptarëve po përpiqen që nëpërmjet protestave, qoftë vetanake apo duke marrë pjesë në protestat e opozitës maqedonase, të masin potencialin e tyre për zgjedhjet e ardhshme.

E gjithë kjo që po ndodh në këtë vend nuk e lëkund agjendën shqiptare, sepse ajo është e konsoliduar dhe përvijuar nëpërmjet një procesi të natyrshëm historik dhe politik. Prandaj alternativa shqiptare e zgjidhjes së problemeve nuk është e zymtë, nuk  është e pashpresë, por ajo është refleksion historik i padrejtësive dhe do të ngadhënjejë më në fund.

Marrë në përgjithësi asnjë nga partitë shqiptare, qoftë këto më të mëdha edhe ato më të voglat në thelb flasin në emër të shqiptarëve dhe kjo detyrimisht i lidh me kërkesat historike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ka huti në gjithë këtë katrahurë institucionale dhe është e vështirë të pozicionohesh, ta kesh qartësinë e duhur dhe të kuptosh se çfarë po ndodh, por një gjë është e sigurt – shqiptarët e kanë agjendën e tyre dhe ajo nuk është vetëm agjendë shqiptare në Maqedoni, ajo është agjendë mbarëkombëtare për shqiptarët e tërë rajonit.

E shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë përse të jenë përjashtim!