Mëngjesin e datës 26 shkurt 1936, qytetarët e Kosovës mund ta kenë përjetuar si çdo ditë tjetër. Robëria nga pushtuesi mizor jugosllav, varfëria e skajshme, mungesa e arsimit dhe mohimi i të drejtave në të gjitha fushat kombëtare kishin pllakosur jetën e përditshme të shqiptarëve të Kosovës.

Atë ditë, në librin e lindjeve, do të shënohej emri i një njeriu, i cili, më vonë, mbi supet e veta do ta merrte një barrë, peshën e të cilës, askush nuk do të mund ta duronte.

E kuptueshme. Këtë nuk mund ta dinte askush. As babai – Zeqiri dhe as nëna – Nazifeja. Fëmija me emrin e shënuar në librin e zakonshëm zyrtar, Adem Demaçi, vite më vonë, me idealin, me punën dhe me veprimtarinë e tij, do të bëhej jo vetëm hallkë lidhëse e lëvizjes atdhetare shqiptare, por edhe shpresë lirie për shumë breza.

Po rritej e po shkollohej në kushte të vështira dhe shumë shpejt ai do të kërkonte përgjigjet për pyetjet që, asokohe, kishin guxim ti shtronin fare pak veta. Si fëmijë inteligjent e i guximshëm, ai nuk do të mund të kalonte heshtur pa u shtruar pyetje mësueseve të veta mbi gjendjen e mjerë të popullit që i përkiste. Ai ishte i veçantë nga të tjerët. Ishte këmbëngulës në atë që e kërkonte dhe për këtë motivohej gjithnjë e më shumë nga ato që shikonte me sytë e vet. Populli i Kosovës dhe i viseve tjera shqiptare që kishin ngelur padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit kombëtar të shqiptarëve dhe ishin aneksuar fillimisht nga Serbia dhe Mali i zi, ashtu si gjatë kohës së pushtimit nga mbretëria jugosllave dhe pushtimit nazifashist, edhe nën Jugosllavinë e Titos, po bënte një jetë pothuaj të ngjashme. Jetë të padurueshme robi.

Adem Demaçi, në moshën e rinisë, shquhej për gjuhë të mprehtë e sidomos për guxim të jashtëzakonshëm. Ishte një zë i së vërtetës, zë i të shtypurve të pambrojtur. Nuk do të linte vend pa folur për të drejtat e shkelura të shqiptarëve dhe do të botonte shkrime të ndryshme letrare, në mesin e të cilave edhe romanin e famshëm «Gjarpinjtë e gjakut». Ky interesim dhe kjo veprimtari e bëri atë të admirohet nga shtresat e gjëra të qytetarëve, e sidomos nga intelektualët e vërtetë të asaj kohe. Kësisoj filloi lidhja e tij me një brez të ri të intelektualëve e atdhetarëve të vërtetë. Ishte kjo koha kur nuk ishte aq e lehtë të flasësh e as të shkruash dhe aq më pak të veprosh.

Është e sigurt se kjo veprimtari e Adem Demaçit nuk i pëlqeu pushtetit. Prandaj, ai pushtet edhe përdori masën e vetme që dinte – burgosjen, mjet që përdorej sidomos kur pakënaqësia kishte të bënte me shqiptarët. Duke burgosur Adem Demçin e ri, me këtë veprim, pushteti mendonte se, jo vetëm do t‘i jepte një leksion atij, por, bashkë me të, do t‘i burgoste edhe idetë e tij. Koha do ta dëshmojë të kundërtën e kësaj. Ai, Demaçi, vetëm sa u forcua dhe krijoi lidhje të reja në burg e jashtë tij me atdhetarë të vërtetë, përfaqësues të një brezi fillestar të kundërshtimit të pushtimit serb në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare që edhe pas Luftës së Dytë Botërore kishin ngelur nën Jugosllavinë.

Me të dalë nga burgu që kishte vuajtur herën e parë, Adem Demaçi i përvishet punës dhe, së bashku me shumë të reja e të rinj atdhetarë, intelektualë të guximshëm, si Fazli Grajçevcin, Ahmet Haxhiun, Ramadan Shalën, Zeqir Gërvallën, Drita Halimin, Rexhep Elmazin, etj., formojnë Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Ishte ky një vendim i guximshëm i tyre për të trasuar një rrugë të re të kundërshtimit të sistemit diktatorial e pushtues jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve shqiptarë që ishin dalldisur në pushtetin e tyre si shërbëtorë të mjerë. Themelimi i LRBSH-së dhe aktiviteti i saj e tmerroi dhe e alarmoi pushtetin. Kjo dëshmonte se shqip­tarët tashmë kishin arritur një nivel të ri të organizimit dhe se rezistenca do të ishte shumë e fortë. Prandaj, edhe përgjigja e push­tetit qe shumë e egër. U arrestuan, u torturuan dhe u dënuan shumica anëtarëve të organizatës. Nga dhuna sadiste e hetuesve të UDB-së do të pësojnë shumica e të burgosurve, ndërsa këto tortura çnjerëzore nuk do të mund t‘i mbijetojë mësuesi dhe poeti Fazli Grajçevci. Me këtë fushatë, regjimi mendoi se po e shuante përpjekjen e shqiptarëve për liri e bashkim. Në fakt, revolta sa vinte e po rritej. Demonstratat e vitit 1968, pak vite më vonë, dëshmuan pakënaqësinë e thellë dhe revoltën e popullit kundër robërisë dhe pushtuesit jugosllav.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgjet jugosllave, Adem Demaçi qëndroi burrërisht dhe i pathyer, prandaj, duke ia pasur frikën lirimit të tij dhe një organizimi dhe rezistence të re të popullit, regjimi, si mjeshtër i inskenimeve, vendosi ta burgosë për të tretën herë me një proces tërësisht të montuar politik dhe ta dënojë atë me dënim maksimal prej 15 vjetësh. Ishte ky fati tragjik i jetës së Adem Demaçit. Kësaj tragjike i shtohet edhe fakti se policët që e kishin arrestuar, hetuesit në zyrat e UDB-së, gardianët që e ruanin në burg, prokurorët, gjykatësit, avokatët (që zakonisht kundërshtoheshin nga të burgosurit), tani, kryesisht, ishin shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk e ligështoi Adem Demaçin. Përkundrazi, gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimit ai do ta mbajë një qëndrim dinjitoz prej heroi dhe do të bëhet shembulli dhe mësuesi më i mirë për të gjithë shokët që kanë pasur rastin ta takojnë. Edhe pse në burg, me qëndrimin e tij të paluhatshëm, ai do të ndikojë shumë fuqishëm te masat e gjëra popullore te të cilat do ta fitojë dashurinë dhe një admirim të pashoq. Ai, pra, e kishte kthyer burgun në shkollë, ku edukoheshin gjeneratat e reja të rezistencës, të cilat, sapo dilnin nga burgjet, edhe më të vendosura, vazhdonin me organizimin politik, klandestin me qëllim që një ditë ta ngrisnin popullin në kryengritje të armatosur çlirimtare. Derisa ai ishte në burg, në vitin 1981, shpërthyen demonstratat e përgjithshme popullore në Kosovë. Edhe këtë herë regjimi u tregua shumë i ashpër ndaj rinisë, studentëve dhe popullit liridashës. Në rrethana të jashtëzakonshme, regjimi filloi një linçim publik kundër protagonistëve të idesë «Kosova Republikë» dhe mbushi burgjet me të rinj dhe të reja, të cilët i trajtoi në mënyrën më çnjerëzore dhe u shqiptoi dënime të gjata dhe të rënda që t’i vuanin. Adem Demaçi pati rastin që shumë nga këta protagonistë t’i takojë në burg. Shumë nga të burgosurit e asaj kohe ndjeheshin të privilegjuar që kishin pasur rastin të jenë në të njëjtin burg me bacën Adem, ashtu siç e kanë quajtur shokët e tij por edhe populli i Kosovës. Kështu ai po krijonte lidhjet me një brez të ri atdhetarësh, të cilët do të ishin vazhduesit më të denjë të rrugës së nesërme për liri.

Pas daljes së bacës Adem nga burgu, në vitin 1990, rrethanat politike kishin ndryshuar. Tashmë komunizmi po merrte fund në gjithë Evropën lindore dhe po instalohej sistemi i ri pluralist demo­kratik. Kjo situatë shihej si një rast vendimtar që edhe shqip­tarët të bashkohen dhe të organizohen për të arritur lirinë e mohuar deri tani. Në këtë kohë edhe nacionalizmi e fashizmi serb arriti kulmin sa, me akte gjenocidare, filloi t‘i qërojë hesapet me të gjithë popujt e hapësirës jugosllave. Kjo kohë kërkonte sakrifica të reja e veprime krejtë­sisht të reja. Ndikimi i Adem Demaçit në organizimin politik ishte shumë i madh. Ishte një numër i madh i atdhetarëve që kishin një respekt maksimal për të dhe që fjala e tij ishte me shumë peshë tek ata. Ai do të mbajë kontakte edhe me organizatat legale por edhe me ato klandestine, sidomos me LPK-në, të cilat i udhëzonte për vazhdimin e veprimtarisë atdhetare drejt organizimit ushtarak. Si udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Nje­riut (KMLDNJ) ai do ta krijojë një rrjet shumë të suksesshëm për infor­mimin e opinionit botëror mbi shtypjen dhe mbi shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Meqenëse ishte në lidhje të përhershme dhe të forta me shokët dhe me veprimtarinë e tyre, edhe lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) nuk e gjen atë në befasi dhe të pa informuar. Përkundrazi, duke qenë në të njëjtën vijë të veprimit, ai e merr rolin e përfaqësuesit të përgjithshëm poli­tik të UÇK-së, detyrë të cilën, duke qëndruar me seli pikërisht në Prishtinë, ai e kreu me shumë efikasitet, ndonëse ishte me shumë rrezik një gjë e tillë. Edhe më 17 shkurt 2008, pavarësisht se nuk kishte ndonjë funksion publik, megjithatë ai ishte njëri nga më meritorët që Kosova të arrinte në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

I theksova këto pjesë nga biografia e Adem Demaçit, jo se pre­ten­doj ta përshkruaj biografinë e tij me kaq pak rreshta, por për ta theksuar një fakt të rëndësishëm se Adem Demaçi, që nga rinia e tij e hershme, kur filloi konfrontimin e parë me regjimin titist jugo­sllav e deri në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qe­në hallka kryesore që ka lidhur brezat e ndryshëm për liri. Duke qenë një nga të veprimtarët më të vjetër dhe njëri nga ata që nuk u dorë­zua kurrë, ai, në vazhdimësi, gëzonte admirimin dhe respektin e të gjitha brazave. Edhe sot kur i ka mbushur 80 vjet, baca Adem është figura më me ndikim në të gjitha shtresat e popullit shqiptar. Ndo­nëse me shëndet të dobësuar, ai dhe vepra e tij gëzon respektin maksimal.