Iluzioneve se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjendja politike dhe kushtet socio-ekonomike për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, do të ndryshojnë rrënjësisht, iu erdhi fundi ende pa përfunduar LIIB.

Ndonëse kishte pasur një deklarim zyrtar përmes Rezolutës së Konferencës së Bujanit, ku ishte shprehur vullneti i shumicës së popullit të Kosovës për të ardhmen e tij, ai nuk u përfill. Në Kosovë u vendos regjimi ushtarako-policor, që u përcoll me vrasje, shpërngulje e shfarosje masive, deri në përmasa të gjenocidit kundër popullit shqiptar.

Përpjekjet e kundërvënies së ripushtimit të Kosovës nga aradhat çetniko-partizane, pas luftës në Drenicë, Gjilan dhe vise të tjera të Kosovës, përgjatë viteve 1944-45, ishin kryesisht nga LNDSH. Pas vrasjes së një numri të konsiderueshëm të veprimtarëve, intelektualëve e patriotëve shqiptarë, veçanërisht pas vrasjes së Gjon Sereçit dhe gjyqit të njohur si gjyqi i Prizrenit, praktikisht kjo lëvizje do të shuhet. Por jo edhe rezistenca, sepse shumica dërmuese e popullit shqiptar nuk pajtohej me situatën e krijuar dhe nuk e duronte pozitën e të nënshtruarit.

Në statistikat e fillimit të viteve gjashtëdhjetë, thuhej se nga viti 1945 deri më 1960, kishin dalë para gjyqeve jugosllave mbi pesëqind organizata, grupe të mëdha e të vogla, ose individë të cilët janë akuzuar për orvatje të shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia për të ia bashkangjitur Shqipërisë.

Rezistenca nga fundi i luftës kishte trajta të një rezistence të organizuar jo edhe aq mirë.
Ishin krijuar organizata ilegale. Këtu po veçoj Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë e udhëhequr nga Metush Krasniqi dhe Komitetin për Bashkimin e Trojeve Shqiptare me Ali Aliun dhe Kadri Halimin në krye, të cilët në fund të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar do të arrestohen, sikurse edhe Adem Demaçi, i cili i ishte kundërvënë haptazi tendencave ekspulsioniste. Pra, kishte shprehur pakënaqësinë e tij dhe ishte përpjekur të pengonte shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, gjë e cila ishte rezultat i shtypjes nacionale dhe zbatim i marrëveshjeve jugosllave-turke, (Tito –Kypreli) për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e veta drejt shkretëtirave të Anadollit.

Në këtë kohë studenti i ri, Adem Demaçi kishte shkruar disa tregime dhe shkrime publike kundër politikave shtypëse, diskriminuese e hegjemoniste serbe, në revistat e kohës, me çka pasqyronte gjendjen e rëndë të popullit shqiptar. Kulmin e kishte arritur me botimin e romanit “Gjarpërinjtë e gjakut” në revistën “Jeta e Re”. Këto qëndrime do të merren si shkas për arrestimin dhe dënimin e tij.

Qëndrimi para organeve të UDB-së e veçanërisht fjalët e tij në gjyq, do të jenë premisë e ndërtimit të personalitetit të Adem Demaçit, si figura emblematike me të cilën do të identifikohet gjithë lufta e popullit shqiptar dhe që do të marrë epitetin e simbolit të rezistencës sonë kombëtare.

“Prej këtu ku jam, po iu them edhe një herë se; nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi e as në Serbi.
Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq.”

Kjo ishte fjala përfundimtare në Gjykimin e parë në mars të vitit 1959 dhe një parashikim profetik i Adem Demaçit.

Pas daljes nga burgu më 18 Nëntor 1961, Ademi vëren se situata fare nuk kishte ndryshuar dhe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi vazhdonte politika e persekutimit, eksploatimit, stigmatizimit dhe dëbimit. Në këtë situatë, Adem Demaçi vendosi që të konkretizojë idenë të cilën gjatë viteve 50-ta, ua kishte shpalosur disa shokëve të tij për krijimin të një organizate ilegale. Në vitin 1963, bashkë me veprimtarë e patriotë si Mustafë Venhari, Ramadan Shala, Fazli Grajçevci, Rexhep Elmazi, Kadri Kusari, Dinë Spahiu, Bedri Qollaku, Ahmet Haxhiu, Zeqir Gërvalla etj. themelojnë Organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Me krijimin e LRBSH-së fillon një kapitull i ri i organizimit ilegal të shqiptarëve në Jugosllavi. Organizata gjeti shtrirje të shpejtë në të gjitha hapësirat ku jetonin shqiptarët dhe në Turqi, ku tashmë kishte një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të shpërngulur. Ajo shpërndau dhe filloi propagandimin e programit të saj politik.

”Lëvizja jonë për me mbërrijtë qëllimin e naltpërmendun, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore – prej atyne politiko-propagandistike – mjete paqësore – e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore – mjete jopaqësore.“

Shumë shpejt në radhët e saj aderuan me qindra anëtarë. E meta LRBSH-së ishte se nuk kishte përvojë organizimi në fshehtësi. Radhët e saj shpejt u dekonspiruan. Kështu më 8 qershor 1964, Adem Demaçi do të arrestohet bashkë me mbi 300 anëtarë të LRBSH-së.

Ndonëse pati shumë anëtarë të LRBSH-së të arrestuar dhe të dënuar, pati edhe shumë anëtarë të tjerë të cilët mbetën jashtë burgjeve dhe vazhduan forcimin e organizimit klandestin. Anëtarët dhe fryma e programit të LRBSH-së, organizuan demonstratat e vitit 1968. Aktivitetet e organizimit ilegal, presionet publike përmes zërit të protestës dhe ndryshimet në kreun e LKJ-së krijuan një tendencë paksa më liberale edhe në Kosovë, ku pati disa avancime të të drejtave, kulturore, sociale, arsimore, ekonomike e madje edhe politike të shqiptarëve në kuadër të autonomisë së Kosovës të cilat u integruan në Kushtetutën e vitit 1974.

Në këtë vit Adem Demaçi do të lirohet nga burgu pasi kishte qëndruar plot dhjetë vite. Pra lirohet më 8 Qershor 1974. Avancimi i të drejtave arsimore të shqiptarëve u krijoi mundësi më të mira ngritjes së vetëdijes kombëtare. Kjo shpiente drejt forcimit perfeksionimit të organizimit ilegal, krijoheshin organizata të reja politike të cilat programin e LRBSH-së, e kishin në
fundament të programeve të tyre.

Natyrisht UDB i ndiqte këmba-këmbës veprimtarët dhe të gjithë ata që kishin guximin të ngrinin zërin kundër gjendjes prej të robëruari të popullit shqiptar në Jugosllavi. Në vitin 1975, UDB-ja do të lansojë një fushatë të arrestimeve kundër anëtarëve të organizatës Grupi Revolucionar dhe veprimtarëve të tjerë të organizatës Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës.

Në vazhdën e këtyre arrestimeve të fundit do ta arrestojnë Adem Demçin, të cilin në një proces te montuar do ta dënojnë me pesëmbëdhjetë vite burg. Dënimi i Demaçit për herë të tretë dhe fjalët e tij se „kolonizatorët serbч më mirë që më kanë zgjedhur mua për të më thyer sepse nuk do të arrijnë të më thyejnë kurrë”, si dhe qëndrimi stoik në burgjet paraprake e bënë Adem Demaçin simbol me të cilin identifikohej e gjithë rezistenca e organizuar.

Pushtuesit dënuan qindra veprimtarë gjatë viteve 70-të, por me mijëra të tjerë u organizuan në kuadër të organizatave të ndryshme ilegale të cilat shpërndanin materiale dhe sqaronin masat e gjera popullore mbi gjendjen e rëndë të popullit shqiptar dhe domosdoshmërinë e rritjes së rezistencës për liri, barazi, demokraci e Republikë.

Pas shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shtua numri grupeve të organizuara dhe rritej interesimi për të aderuar në këto grupe. Pra, kishte shumë organizata të cilat vepronin të shkëputura nga njëra-tjetra, por orientimin thuajse e kishin të njëjtë. Tek të gjitha, ndonëse nuk kishin pasur mundësi ta konsultonin dhe nuk e njihnin fare Adem Demaçin, personaliteti i tij dhe fryma e programit të LRBSH-së ishin me shumë ndikim, madje nxitës dhe frymëzues të të gjithë atyre që organizoheshin.

Adem Demaçi nuk përmendej shumë publikisht sepse çdo apostrofim i emrit të tij do të thoshte rrezik për burgosje. Edhe fotot i kishte të rralla. Mediat nuk publikonin asnjë foto të tij, përveç shtypit ilegal, kurse UDB ishte kujdesur për të zhdukur fotot e Adem Demaçit.

Shumë prej veprimtarëve betimin e bënin para flamurit dhe fotos së Adem Demaçit. Me këtë frymë do të organizohen demonstratat e vitit 1981 në të cilat emri i Adem Demaçit do të brohoritet vazhdimisht dhe do të kërkohet lirimi i tij nga burgu. Pas demonstratave të vitit 1981 organizimi ilegal do të goditet sërish nga pushtuesit dhe do të arrestohen me mijëra shqiptarë kryesisht të rinj. Organizatat kishin krijuar përvojë të punës në fshehtësi prandaj edhe ishte nevojë e kohës së transformimit organizativ, kështu që ato kërkuan njëra-tjetrën dhe vendosën komunikim të rregullt. Pas hartimit të Tezave për Frontin e Republikës, material cili u bë bazë e bisedimeve mes grupeve dhe organizatave, do të themelohet LRSSHJ (më vonë LPK), e cila përkundër goditjeve, arrestimeve dhe vrasjeve të anëtarëve të saj do të ketë vazhdimësi organizative deri në çlirimin e Kosovës.

Se sa ndikonte dhe sa ishte i pranishëm emri i Adem Demaçit në organizimin ilegal, mbase më së miri dëshmon dhe emërimi i tij Marshal nga veprimtarët që kishin synuar krijimin e Partisë së Luftës së Kosovës, të cilët u arrestuan dhe dënuan në vitin 1984. Pas arrestimeve të shumta gjatë viteve 1984 -1985 organizimi ilegal LRSSHJ u transformua në organizatën politike-ushtarake LPRK, gjegjësisht LPK, e cila do të jetë boshti i krejt organizimit ilegal dhe nga e cila do të organizohet e gjithë rezistenca e organizuar kundër pushtuesve deri në krijimin e UÇK-së, kurse figura e Adem Demaçit do të jetë emblema e këtij organizimi.

Pas daljes nga burgu, më 21 prill të vitit 1990, Adem Demaçi sërish do të mbetet figura me të cilin më së shumti thirreshin veprimtarët dhe lëvizja çlirimtare, tashmë jo vetëm ata të organizimit ilegal por edhe partitë politike legale që ishin krijuar pas ndryshimeve të mëdha në bllokun e Lindjes dhe dështimit të konceptit socialist mbi shtetin.

Menjëherë pas daljes nga burgu, organizimi ilegal, gjegjësisht kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ka kontaktuar dhe ka mbajtur takime të rregullta konsultative duke kërkuar mendimin e tij rreth situatës dhe rreth mundësisë së avancimit të luftës për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi.

Adem Demaçi në fillim ka kërkuar që të mbështetet alternativa politike, gjegjësisht LDK, e cila po ndërtonte strukturat e saj duke thënë se: “E kam lënë dimër dhe gjeta pranverë “, sepse në atë kohë kur ai u lirua nga burgu ishte kulmi i shpartallimit të LKJ-së si strukturë politike e shtetërore, ndërsa LDK ishte në hovin e themelimit të saj.

Më vonë, me eskalimin e situatës dhe pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, në një takim në mars të vitit 1992, që kisha me Adem Demaçin, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së LPK-së,  bashkë me Ahmet Haxhiun dhe Azem Sylën ai do të na thotë: “Siç e shihni do ta kemi të vështirë të çlirohemi pa luftë. Ne duhet të mbrohemi, por mundësitë nuk i kemi të mëdha. Prandaj sugjerimi im është që ju të grumbulloni forcën në një vend. Nëse i keni dy revole e dy bomba në një vend ti çoni dhe nga aty të niset.”

Edhe ky ishte një parashikim thuajse profetik, sepse forca filloi të grumbullohet rreth Prekazit dhe Drenicës nga ku u zgjerua lufta çlirimtare në tërë Kosovën, në të cilën tashmë jo vetëm fryma, por edhe fjala e Adem Demaçit ishte mjaft e pranishme dhe me shumë ndikim.