A është poezia ende e mundshme?

Vjollcë Berisha

Të gjithë ne që jemi mësuar të zhgaravisim mbi një copë letër, duke u munduar të shtrydhim deri në pikën e fundit ndjeshmërinë tonë dhe aftësinë për të thithur të dukshmen e të padukshmen në botë, jemi tërësisht të lidhur me litarët e dyshimit nëse poezia është ende e mundshme në kohën e komunikimit masiv e në kohën e informacioneve krejtësisht të pafiltruara që mëtojnë ta stërmbushin kujtesën e ta trashin shijen tonë estetike.

Në të gjitha epokat e njërëzimit, buzë secilit ndryshim a secilës prirje për një prurje të re, janë gjetur reflektime të këtilla që dridhen nga frika e fundit të poezisë më shumë se nga mendimet mbi apokalipsin dhe gjithnjë pas tyre, si përgjigje lakonike, ka gdhirë pohimi ricosian se “sa është e pashtershme jeta, po aq është e pashtershme edhe poezia.”

Nëse ende sot flasim për një prodhim tërësisht subjektiv me të gjitha karakteristikat e fisnikërisë njerëzore, një prodhim që domosdo i nënshtrohet edhe ligjeve të shijes dhe modës, është lehtësisht e kuptueshme që të vihemi përballë frikës që ngjallin format e reja të krijimtarisë, shumësisë së teksteve poetike që shpërthejnë si dëshirë për t’i bërë bashkë dy-tri figura, jo rrallë shterpe, apo dy-tri rima, jo rrallë foljore, që në kohën e masmedias kanë dhe mundësinë të gjejnë lehtë rrugën për te publiku, rrugë këto që në asnjë rast nuk u siguron një biletë udhëtimi për në krye të listës së vlerave letrare, por që arrijnë të çrregullojnë shumëçka në baraspeshën e listës, duke e krijuar kaosin receptiv në të cilin padashur humbin vëmendjen krijimet e vërteta dhe autorët e tyre të talentuar.

Duke qenë plotësisht prodhim i ndjenjave më të thella e më të holla njerëzore, si dhe duke qenë fryt i vetmisë krijuese dhe i përshtypjeve të akumuluara, te poezia, më shumë se te të gjitha artet, vihet re edhe trandja më e vogël në botën e njeriut, në mënyrën e jetesës, bile edhe në kurbën e ëndrrave të tij. Ajo, si një sizmologe e kujdesshme, shënon të gjitha ndryshimet në shijen e përgjithshme, në hapësirat e caktuara për interesime të veçanta të stilit, në ndikimet e ndërsjella të artit të kombeve e kohërave, si dhe të gjitha prirjet për shmangiet eventuale nga shprehja e deriatëhershme artistike.

Mungesa e vëmendjes së përgjithshme ndaj këtij arti të veçantë, zvogëlimi i atij publiku elitar që e thith me një frymë poezinë, përmbysja e vlerave të mirëfillta poetike, mosvëmendja e merituar, vërshimi i pseudopoezisë dhe humbja e garës së poezisë ndaj këtij fenomeni efemer, janë vetëm disa nga krizat që i kalon arti në epokën tonë.

Ajo që e thellon dilemën se a do të jetë në gjendje poezia të mbijetojë në universin  e komunikimit masiv, është pikërisht frika nga tjetërsimi i natyrës njerëzore, nga zvogëlimi i ndjeshmërisë krijuese, nga erozioni shpirtëror i kombeve etj.

Njeriu i sotëm, evropiani i djepit të qytetërimit botëror, përfshirë edhe homobalkanicusin dhe homoalbanicusin (prodhuesi i fundit i eposit si lloj i veçantë letrar), e ka ulur për disa gradë temperaturën e ndjeshmërisë njerëzore, aftësisë së tij të rrezatimit shpirtëror. Ai është njeriu që s’ka më durim të shtrohet në biseda të gjata tavolinash, por e pi kafenë me një gllënkë të vetme në banak dhe niset ta harxhojë ditën si shkumës. Ai është njeriu që nuk ka durim të shfletojë me gishtin tregues nga mëngjesi në mbrëmje të njëjtën gazetë, por shtrydhet midis dritareve të shumta të ekranit të celularit që i servon një ujëvarë informacionesh të selektuara e të paselektuara që ia mbysin orët e mbamendjen. Ai është njeriu që s’dridhet nga frika se mund të mos jetë marrë vesh mirë për kohën e vendin e takimit me një mikeshë të vjetër, pasi në çdo çast mund ta verifikojë me një telefonatë dy-trisekondëshe. Ai është njeriu që s’e njeh as dorëshkrimin e atij që i dërgon puthje vizuele dhe letra pa mbarim…Ai është njeriu i çdogjësë dhe boshllëkut. Ai është njeriu që po vrapon drejt robotizimit. Poezia e tij kërkon të jetojë, siç ka jetuar edhe në kohëra të rrezikshme (bile ku e ku më mirë), siç ka jetuar kur s’e ka pasur këtë trajtë që ka sot.

Megjithë këto ndryshime në botën që na rrethon, me gjithë mëdyshjen tonë se ç’orakull mund ta parashihte fatin e poezisë së njerëzimit, kemi kaq shumë të drejtë për të dhënë përgjigje afirmative, në të mirë të poezisë. Mjafton të flasim për dëshirën e nevojën e njeriut për art edhe para qytetërimeve, për format e ndryshme të poezisë që kanë përfaqësuar kohëra të ndryshme, madje edhe mometet më të rënda të historisë së njerëzimit janë brendashkruar në dëshirën për art, për të ardhur te kjo përgjigje afirmative për vazhdimin e fjalës poetike, ndoshta sipas profecisë së poetit grek Karlos Kuerios që thotë:

Durim, poet durim!

Pa shpirt ky ç’qytetërim?

Njerëzimi, me shkencë të thatë ngarkuar,

 i zbehtë

 i shpërfytyruar, nesër te porta jote do trokasë

i penduar.

 Do kthehet, vëlla, do kthehet e do shikosh

me lot në sy të lypë një këngë për lëmoshë.

Ose sipas konstatimit të drejtë të Tagorës, i cili, përkundër profetizimeve mbi humbjen e primatit të poezisë në raport me artet e tjera apo të vdekjes së saj, thotë që poezia do të vazhdojë të shkruhet derisa dy njerëz të dashuruar të ecin mbi këtë tokë.