adem-demaci    Adem Demaçi

“Bashkimin Kombëtar e shoh si një proces të ligjeve të jetës, i cili gjërat i çon përpara. Bashkimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalë asnjë forcë. Bashkimi i shqiptarëve do të dështonte vetëm sikur shtetet, të cilat e copëtuan korpusin, trupin, territorin dhe kombin shqiptar, sikur të mbërrinin t’i eliminonin shqiptarët, atë nuk arritën ta eliminonin, pavarësisht që kanë pasur deri diku sukses në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Dhe, vetë qëndresa e shqiptarëve, mbijetesa e shqiptarëve, është faktori kryesor, i cili me kalimin e kohës do t’i çojë në bashkimin kombëtar, po me anë të futjes në Bashkimin Evropian, ku do të krijohet klima që ata të bashkohen pa e lënduar askënd, pa e shkelur askënd, dhe pa mundësinë që dikush ta pengojë një gjë të tillë, sepse të gjithë do të jemi brenda BE-së, nën kulmin evropian. Si të tillë, shqiptarët s’do t’i ndalojë askush që të qarkullojnë lirisht, të punojnë lirisht, të krijojnë ide, të marrin kredi, të kenë bashkëpunim edhe me njëri-tjetrin, po edhe nga bota tjetër që dëshiron të na ndihmojë.”

 

ukshinhoti13      Ukshin Hoti

“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike . (…) Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.”

 

qosja1     Rexhep Qosja

“Është me rëndësi të madhe që ky integrim gjithëkombëtar të sëndërtohet duke iu shmangur neoliberalizimit ekonomik që sjell fryte vetëm për klasën politike dhe oligarkinë, në njërën anë, dhe duke ndërtuar ekonominë atdhetare, që e ka parasysh jetën e të gjitha shtresave kombëtare, në anën tjetër. Një ekonomi e tillë, atdhetare, bëhet premtim se bashkimi kombëtar, bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, e rrit cilësisht, e pasuron gjithanshëm jetën e popullit shqiptar. Idetë janë ato që e lëvizin botën, por, siç e ka thënë njëri prej nismëtarëve të Bashkimit Evropian, institucionet i bëjnë njëmendësi të sendërtuar ato ide. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe do të bashkohen në mënyrë klasike qoftë jashtë Bashkimit Evropian qoftë në Bashkimin Europian.”

 

  Ismail Kadare

“Asnjë doktrinë, asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh apo organizmash ndërkombëtare nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjithë kombet e tjerë të Evropës, plotësisht apo gati plotësisht e kanë kryer: bashkimin e tyre. Me këtë akt, populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë, e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.Në familjen e popujve evropianë, kombi shqiptar është i vetmi sot që është shënjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale, ai, i prerë mizorisht, është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dy mijë vjet që ekziston në këtë botë, ai as ka sulmuar kend, as ka zhdukur kend e as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve. Shprehje të tilla si “Shqipëri e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurrur në 28.000 kilometrat e saj, është e kërcënuar të fajësohet si “e madhe” në qoftë se do të arrijë 45 ose 50 mijë kilometra, e shtete të tjera me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrore, shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës, që kanë pjellë teori më të zeza se murtajat, që kërcënojnë njerëzimin me armë bërthamore, nuk quhen “të mëdha”.Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale, kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. “